Vota e deputetit Etem Arifi ka bërë që me këtë çështje të merret Gjykata Kushtetuese.
Dje u mbajt seanca dëgjimore që zgjati rreth pesë orë.
E për këtë vendimi do të merret në ditët në vijim, për çka ka bërë të ditur kryetarja e Gjykatës, Arta Rama-Hajrizi.
Lidhur me këtë, profesori dhe juristi Muhamet Kelmendi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se qeveria nuk i ka numrat për të funksionuar dhe në raste të tjera duhet të bëhet rivotimi, nëse i merr votat vazhdon, nëse jo jepet dorëheqje dhe shpallen zgjedhjet.
“Juridikisht është Qeveria Hoti nga momenti kur Etem Arifit për shkak të dënimit iu ka marrë mandati nga KQZ-ja, jo ligjore. Kjo d.m.th se kjo Qeveri nuk i ka numrat në Kuvend prej 61 deputetëve për të funksionuar. Në raste të tilla, del kjo Qeveri në rivotim në Kuvend për të shikuar ligjshmërinë e saj. Nëse i merr votat e vazhdon punën. Në të kundërtën kërkohet të japi dorëheqje qeveria dhe të shpallen zgjedhet”, është shprehur ai.
Sipas Kelmendit, çështja ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese nga vendimi i KQZ-së dhe nëse anulohet ky vendim dhe Arifi mbetet deputet, e vazhdon punën qeveria.
“Se pse çështja ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese vjen nga fakti i vendimi të KQZ-së. Pala e ka paditur KQZ-në këtë gjykatë dhe tash kjo gjykatë i dëgjon palët dhe vendos mbi vendimin e KQZ-së. Pra, nëse anulohet vendimi i i KQZ-së dhe mbetet Etem Arifi ende deputet e vazhdon punën Qeveria”, ka vlerësuar profesori.
Ai shton se nëse i refuzohet padia dhe Arifi vazhdon të jetë i shkarkuar, Qeveria duhet të dalë në Kuvend dhe të fitojë besimin me vota, gjithçka varet nga verdikti i Gjykatës Kushtetuese.
“Por, nëse refuzohet padia dhe vërtetohen vendimi i KQZ-së, deputeti Arifi vazhdon me qenë i shkarkuar dhe Qeveria Hoti duhet të dalë para kuvendarëve për të fituar besimin me vota. E tërë çështja tash varet nga verdikti i Gjykatës Kushtetuese. Mbi atë vazhdon punën Qeveria ose shkarkohet me vota dhe shkohet në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.