Ndonëse më 9 tetor të këtij viti ndodhi një vjedhje spektakolare ku nga Thesari i Shtetit, u avulluan mbi 2 milionë euro duke kaluar nga Arka e Shtetit tek llogaria e kompanisë LDA ShPK, megjithatë ende mbetet mister se çfarë u bë me ato para.
E në lidhje me këtë analisti politik Nexhat Haziri ka thënë për gazetën “Bota sot” se organet e hetuesisë janë duke e bërë punën e tyre që të zbardhet e gjithë skema kriminale që vodhi mbi 2 milionë eurot nga thesari i shteti.
“Ky ishte një skenar i përgatitur por edhe i garantuar deri në finalizimin e tij edhe nga faktori politik. Po ashtu ky skandal kriminal, përpos që varfëroi buxhetin e shtetit në këtë kohë pandemie, po ashtu ishte edhe një mesazh i keq edhe për imazhin e shtetit jo vetëm në sytë e qytetarëve të vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Haziri.
Ai beson në gatishmërinë dhe aftësinë e qeverisë Hoti, që se bashku edhe me mekanizmat ligjor, do të bëjnë të mundshëm kthimin e këtyre parave në buxhetin e shtetit dhe nxjerrjen e kriminelëve para drejtësisë. “Jo vetëm për këtë çështje por besoj edhe në zbardhjen e tërë kësaj skeme se kush qëndronte prapa tyre, gjë që kjo e fundit është shumë domethënëse për qytetarët e Kosovës”, është shprehur analisti politik Nexhat Haziri.