Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mos kenë liberalizim të vizave.
E kjo gjë nuk dihet se kur do të ndodhë.
Ambasadori gjerman në Kosovë Jorn Rohde, ka thënë se liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë, pasi ka shumë shtete që janë kundër.
Lidhur me këtë, njohësi i integrimeve evropiane, Sami Blakaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se mos liberalizimi është padrejtësi për Kosovën dhe kjo vjen nga papërgjegjësia e udhëheqjes politike në Kosovë.
“Mos liberalizimi i vizave për Kosovën është vërtetë një padrejtësi e madhe që vazhdon t’i bëhet qytetarëve të Kosovës. Kjo padrejtësi në radhë të parë vjen nga papërgjegjësia e udhëheqjes politike në Kosovë e cila është fajtori kryesor, pse qytetarët e Kosovës sot mbesin të vetmit të izoluar në Ballkan”, është shprehur ai.
Blakaj rendit arsyen për këtë, derisa shton se këto vite është edhe diplomacia e brishtë e Kosovës.
“Niveli i lartë i korrupsionit, varfëria e skajshme dhe ikja masive e të rinjve nga Kosova janë disa nga argumentet kryesore për Francën, Holandën por edhe për disa vende të tjera të BE-së, të cilat vazhdojnë t‘i thonë „JO“ heqjes së vizave për shtetasit e Kosovës. Listës së dështimeve në këto vite i bashkëngjitet edhe diplomacia e brishtë e Kosovës, e cila asnjëherë nuk arriti ta hartojë një strategji të mirëfilltë diplomatike përmes secilës do duhej të punonte për së afërmi dhe veç e veç me të gjitha vendet anëtare, veçmas me ato vende që po e pengojnë procesin”, ka theksuar ai.
Ai shton se vendimmarrja nuk është proces i thjeshtë pasi duhen votat e të gjitha shteteve.
“Vendimmarrja në BE nuk është një proces i thjesht dhe për t’i dhënë „dritën e gjelbër“ heqjes së vizave me Kosovën nevojitet aprovimi dhe vota e të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Sami Blakaj për “Bota sot”.