Integrimi Evropian do duhej të mbetet prioriteti kryesor i Kosovës, edhe pse fatkeqësisht deri më tani është bërë pak në këtë drejtim.
Njohësi i Integrimeve Evropiane Sami Blakaj ka thënë për gazetën “ Bota sot” se Qeveria e Kosovës në bashkërendim me institucionet e tjera përkatëse duhet të ndërmerre masa në përgatitjen e një strategjie të përbashkët për integrime.
Sipas tij, në këtë drejtim Qeveria e Kosovës duhet të ketë prioritete, të cilat në të njëjtën kohë janë edhe prioritete të Bashkimit Evropian.
“Qeveria e Kosovës duhet të ketë prioritet ndër të tjera forcimin e Reformës së Administratës Publike, forcimin e luftës kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar e shpëlarjes së parave, forcimin e reformës së gjyqësorit, implementimi i Strategjisë për Liberalizimin e Vizave, mirëmbajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore si dhe pjesëmarrja konstruktive në takimet rajonale”, ka thënë Blakaj.
Ai konsideron se Bashkimi Evropian funksionon mbi bazën e tri parimeve të përbashkëta institucionale: demokracisë, transparencës dhe llogaridhënies.
“Mendoj se janë pikërisht këto tri parime evropiane mbi të cilat duhet të investoj skena jonë institucionale dhe politike. Në të njëjtën kohë janë edhe qytetarët e Kosovës, ata të cilët duhet të angazhohen aktivisht në artikulimin dhe përçimin e kërkesave të tyre karshi politikbërjes dhe nivelit të përgjegjësisë institucionale”, është shprehur njohësi i Integrimeve Evropiane dhe i politikave të BE-së, Sami Blakaj.