Ka filluar një përplasje e madhe në distancë mes Vjosa Osmanit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton gazeta “Bota sot”.
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, ka reaguar pas intervistës së mbrëmshme të Vjosa Osmanit, e cila ka drejtuar akuza në drejtim të partisë që drejton Isa Mustafa, duke thënë se LDK-së i ka mbetur vetëm llogoja. Përveç tjerash Osmani ka treguar se do të garojë me një listë të veçantë dhe se nuk do të bashkëpunojë me LDK-në.
Gecaj ka thënë se Vjosa Osmanin do ta mallkojë “buka e LDK-së”. Sipas tij, kryekuyvendarja Osmani është hipokrite, egoiste, manipulante dhe njeri falso që “ecë mbi kokat e njerëzve”.
Kurse, Osmani u shpreh se LDK nuk mbajti premtimet, dhe se e vetmja gjë e rëndësishme për lidershipin aktual të partisë së udhëhequr nga Isa Mustafa, është qëndrimi në pushtet.
“Kjo ka qenë zgjidhje e LDK-së apo logos që për momentin e kanë njerëzit që janë në lidership, por votuesin e LDK-së dihet që e përfaqësoj unë dhe po ashtu parimet mbi të cilat kemi garuar në zgjedhjet e fundit i përfaqësoj unë dhe shumë kolegë të mi, sepse ne kemi dalë dhe kemi garuar me një platformë të caktuar, me premtime të caktuara dhe që të gjitha ato fjalë që i kemi dhënë i kemi mbajtur. Të njëjtat qëndrime që i kam mbajtur para tetorit ato të njëjtat qëndroj edhe sot prandaj edhe me besim të plotë e them se e përfaqësoj votuesit e njëjtë”, tha Osmani.
Analisti politik, Faton Mehmeti, duke e komentuar situatën e fundit që po ndodhë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka thënë ndarja mes LDK-së dhe Vjosa Osmanit, do të dëmtonte të dyja palët.
Mehmeti propozon se zgjidhja më e mirë do të ishte sikur Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Vjosa Osman, të bashkoheshin përseri.
“Zgjidhja më e mirë si për Vjosa Osmanin ashtu edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës është të bashkohen prapë, pasi ndarja do i dëmtoj të dyja palët. Vjosa Osmani, pavarësisht mbështetjes që ka, asnjëherë nuk mundet me arrin ato vota që i ka arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Por edhe LDK-ja pa Vjosa Osmanin do të humb shumë vota, andaj janë të detyruar të bashkohen”.
Tutje, analisti Mehmeti thekson se çdo inat me njëri-tjetrin do t’u kthehet bumerang të dyja palëve, si Vjosa Osmanit, ashtu edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Pavarësisht se Vjosa Osmani, me të drejtë, ndjehet e tradhtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës cila e përdori si karrem për vota dhe e përjashtojë nga partia. Besoj se një bashkim i tyre edhe pse i vështirë, pasi të dyja palët nuk lëvizin nga qëndrimet, duhet të ndodh. Çdo variant tjetër, pos bashkimit do i konvenonte Lëvizjes Vetëvendosje, derisa LDK dhe Osmani do jenë të dyja humbëse”, tha në fund, analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.