U.D e presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka përfunduar sot takimet me përfaqësuesit e partive politike për të caktuar datën e zgjedhjeve.
Takimet i filloi dje dhe tashmë mbetet që të caktohet data për zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Ato do të mbahen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli jokushtetuese votën e deputetit Etem Arifi për Qeverinë Hoti.
Partitë janë deklaruar se janë të gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve, duke përmendur muajin shkurt si mundësi për mbajtjen e tyre.
Lidhur me vendimin e Kushtetueses, ish deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ato duhet zbatuar dhe nuk kontestohen.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk kontestohen, ato obligativisht duhet të zbatohen”, është shprehur ai.
Sa i përket zgjedhjeve, ai ka thënë se do të jetë një rezultat me lëkundje 2-3 për qind nga zgjedhjet e kaluara, duke thënë se e sheh garën me VV-në e që pret rezultate të favorshme për LDK-në.
“Unë vlerësoj se do të jetë rezultat me lëkundje 2-3% nga zgjedhjet e fundit, nuk pres ndryshime spektakolare, e shoh garën për vend të parë mes LDK dhe VV. Pres rezultate të favorshme për LDK”, ka deklaruar Naser Rugova për “Bota sot”.