Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar formimin e listës së saj për të garuar në zgjedhje, pa dhënë detaje nëse do të garojë si listë e vetme, apo me ndonjë parti tjetër si koalicion.
Këtë e ka komentuar edhe njohësi i çështjeve politike, Skënder Mulliqi, i cili në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se ndarja nga LDK-ja e Ibrahim Rugovës, ku ka vepruar për shumë kohë, sigurisht që nuk është e lehtë për Osmanin.
Ai thotë se si shkak që Osmani të largohet nga strukturat e larta të LDK-së, janë rrethanat politike të LDK-së në krye me Isa Mustafën dhe rrethanat që e quan në prishje të koalicionit me LVV-në.
“Ndarja nga një subjekt politik ku ke vepruar për shumë kohë, ku ke arritur zenitin politik edhe pushtetarë, në LDK-në, e dr. Ibrahim Rugovës, sigurisht se nuk është e lehtë për Vjosa Osmanin. Rrethanat politike në LDK-në me Isa Mustafën në krye, dhe rrethanat që e quan në prishje të koalicionit qeveritarë me LVV-në, e larguan Osmanin pashmangshëm nga ky subjekt politikë. E larguan nga strukturat e larta te LDK-së, vetëm pse Vjosa nuk deshi bashkëpunim me ata që këtë parti e bënë filial të partive tjera politike. Qeveria Kurti me të drejtë u cilësua qeveri e shpresës , të cilën e rrënuan vetëm pas 50 ditësh njerëzit e biznes politikës”, tha ai.
Tutje ka shtuar se rrjedhën për ngjarjet e fundit që kanë ndodhur, duke e përfshirë pa ligjshmërinë e deputetit Arifi, mënyrën se si u largua qeveria Kurti dhe se si u formua qeveria Hoti, opinioni i ka të gjitha informacionet lidhur me këto.
Sipas Mulliqit, situata e tanishme i’a shtojnë gjasat LVV-së dhe Vjosa Osmanit që në zgjedhjet e paralajmëruara të fitojnë pushtetin.
“Opinioni tashmë i ka të gjitha informacionet për rrjedhën e ngjarjeve politike, si edhe për ngjarjen e fundit lidhur me pa ligjshmërinë e deputetit Arifi, të shpallur nga Kushtetuesja. Vendi po shkon sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme nacionale breda një kohe të shkurtër. Mënyra se si u largua qeveria Kurti, mënyra se si u formua qeveria Hoti, jashtë praktikave të deritashme kushtetuese , krizat e vazhdueshme politike, institucionale, ekonomike, mos aftësia e kastës në pushtet në prurjen e gjendjes së normaitetit, edhe nga korrupcioni i lartë, pandemia, ua shton gjasat me të drejtë LVV-së dhe Listës së Vjosa Osmanit që në zgjedhjet e paralajmëruara të fitojnë pushtetin”, tha ai.
Më tej ka theksuar se edhe pse Vjosa nuk ka dhënë shumë detaje lidhur me subjektin politik që formon, dihet afërsia e saj me LVV-në. Mirëpo, Osmani as që mendon të bashkëpunoj me ata të cilët e kanë sjellë vendin në kriza.
“Është e vërtetë së Vjosa nuk ka dhënë shumë detaje lidhur më subjektin politik që po formon, por dihet për afrinë e saj me LVV-në. Kështu sipas gjitha gjasave Lista do të jetë në kuadër të LVV-së , më të propozuarit e saj për deputet të legjislacionit të ardhshëm. Vendit i nevojiten ndryshimet pozitive pas shumë kohësh. Vjosa nuk do te luhatët në përcaktimin e saj si reformatore , e cila as që mendon të bashkëpunon , me ata të cilët e kanë pru vendin në kriza të shumëllojshme. Vjosa i ka mbetë shumë besnike vizionit politike të presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugovës. Partive tjera politike iu mbetet t’i korrigjojnë gabimet, duke bërë reforma substanciale të brendshme“, përfundoi ai.