Largimi i Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës shkaktoi shumë debate dhe reagime të mëdha në vend.
Menjëherë pas vendimit të Gjykata Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti, filluan aderimet në iniciativën e Vjosa Osmanit. Para disa ditëve, vetëm nga dega e Mitrovicës, Osmanit iu bashkuan 33 anëtarë të LDK-së.
Këto aderime tek Osmani u komentuan mjaftë shumë, madje u paralajmëruan edhe aderime të reja.
Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj në një prononcimi për gazetë “Bota sot” ka komentuar këto aderime të aktivistëve dhe anëtarëve të Lidhjes Demokratike tek iniciativa e Vjosa Osmanit.
Duhanaj tha se Osmani nuk ka arritur të marrë shumë anëtarë nga strukturat qendrore.
“Në çdo përçarje, pa marrë parasysh peshën e ndikimit publik, ndodhin edhe thyerje, përkatësisht ndarje në vijën e dytë, përkatësisht lokale të frontit. Në rastin konkret, znj. Osmani, nuk është që ka arritur të marrë shumë nga strukturat qendrore”, deklaroi Duhanaj.
Tutje, analisti tha se Osmani me aderimet e këtyre personave nga niveli lokal, po e sheh më të lehtë rrugën drejt suksesit.
“Atë çfarë ajo mund të bëj, është të marrë njerëz nga niveli lokal, duke i shfrytëzuar ambicient e tyre për karrierë, pasi që po i duket si rrugë më e lehtë drejtë suksesit”, theksoi Duhanaj.
Në fund, ai tha se Osmani po mundohet të përfitoj nga momenti, por ndikimi i këtyre aderimeve nuk do të jetë i madh, nëse LDK arrin ta menaxhoj situatën
“Natyrisht që të tillët mund të përfitojnë nga momenti, nëse znj. Osmani i bashkohet listës së VV-së dhe, nëse VV fiton apo bëhet pjesë e Qeverisë së ardhshme. Megjithatë nuk mendoj që ndikimi i tyre do të jetë i madh, nëse LDK, di ta menaxhoj mirë ketë situatë”, përfundoi Duhanaj.