Zgjedhjet e reja prishin pazaret për president?

Politika

Zgjedhjet e reja prishin pazaret për president?

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 29 dhjetor 2020 Në ora: 18:29
Presidenca

Ka tashmë disa muaj që po përflitet për pozitën e presidentit, ku ngritja e aktakuzave ndaj ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe dorëheqja e tij e ka “rindezur” këtë  çështje.

Vendimi i Gjykatës Kushtetutës për votën e deputetit Etem Arifi, e ka ndryshuar tërësisht “lojën” për presidentin.

Tani duhet të pritet deri pas zgjedhjeve që të dihet se cili kandidat për president do të ketë kuorumin për zgjedhjen e tij.

Ndërkaq, nëse nuk arrihet një gjë e tillë, atëherë ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodh në këtë rast.

Ahmeti: Nuk përjashtohen edhe vakumet kushtetuese

Lidhur më këtë, njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se Kushtetuta në shumë dispozita të saj krijon konfuzion procedural, por nuk përjashtohen edhe vakumet kushtetuese.

“Padyshim, zgjedhjet e reja do të prodhojnë një situatë të re politik dhe në këtë realitet do të jetë një mundësi më e lehtë për ta zgjedhur presidentin. Kushtetuta e Republikës së Kosovës në shumë dispozita të saj krijon konfuzion procedural, por nuk duhet përjashtua edhe vakumet kushtetuese të cilat krijojnë situate të paqena duke i dhënë mundësi secilit për interpretim  subjektiv”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Hidajet Ahmeti

Më tej, Ahmeti shpjegon se nëse arrihet  marrëveshje politike me subjektet që fitojnë shumicën e thjeshtë dhe sigurohet kuorumi për zgjedhjen e presidentit.

“Mendoj se pozita e presidentit determinon një marrëveshje politike vetëm për këtë pozitë, por jo domosdoshmërisht koalicion qeverisës. Nëse  Lëvizja Vetëvendosje  së bashku me iniciativën Osmani arrijnë ta fitojnë shumicën e thjeshtë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, atëherë mundësia për zgjedhjen e president është shumë e lehtë. Në këtë rast mund të kemi marrëveshje politike  me subjektet që fitojnë shumicën e thjeshtë dhe ndonjërën nga partitë politike të cilat sigurojnë kuorumin për zgjedhjen e presidentit, por jo domosdoshmërisht koalicion qeverisës”, ka potencuar ai.

Sipas tij, nëse një gjë e tillë nuk arrihet atëherë vendi shkon sërish në zgjedhje. Ahmeti thekso se  disa parti politike pa kushte mund ta japin votën për presidentin në mënyrë që vendi të mos shkoj në zgjedhje.

“Hipotetikisht, nëse një gjë e tillë nuk ndodhë atëherë Kushtetuta në rastin e presidentit është qartë, vendi përsëri shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por, besoj shumë se partitë politike të cilat mund të pengojnë në konsensusin e përbashkët për zgjedhjen presidentit do të paguajnë kosto të madhe politike. Në këtë variant, partitë politike të cilat do të dalin keq në zgjedhje nuk do ta kenë luksin t’ju nënshtrohen procesit elektoral përsëri. Disa parti politike pa kushte mund ta japin votën për presidentin vetëm e vetëm që vendi mos të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi do ta kenë të domosdoshme reformën substanciale brenda subjekteve të tyre”, ka deklaruar Ahmeti për “Bota sot”.

Krasniqi: Klasa politike në vendin tonë i ngjanë shumë asaj të Republikës së Shqipërisë

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Islam Krasniqi, shprehet për “Bota sot” se nuk do të ketë probleme rreth postit të Presidentit pasi që Gjykata Kushtetuese ju ka hapur rrugën duke e dërguar vendin në zgjedhje.

Image
Islam Krasniqi

“Klasa politike në vendin tonë i ngjanë shumë asaj të republikës së Shqipërisë, shkelin parimet shtetërore për ato personale pavarësisht asaj së është në interes nacional nëse nuk kanë interes e lanë në sirtarë. Po besojmë së nuk do të këtë probleme lidhur me postin e Presidentit pasi që Gjykata Kushtetuese ju ka hapur rrugën duke e dërguar vendin në zgjedhje, (edhe pse nuk besoj që është kompetente për këtë çështje) duke u bindur së edhe në këtë zgjedhje presidenti do të jetë pjesë e pazareve politike, ashtu siç jemi mësuar ti shohim deri më tani”, ka Krasniqi për “Bota sot”.

Sipas tij, Gjykata Kushtuese nuk e ka parë këtë, por ai mendon se ajo mund të zgjidhje për një çështje të tillë.

“Po në qoftë së nuk gjejnë “gjuhen” e përbashkët për postin e presidentit Gjykata Kushtetuese nuk i ka paraparë këto probleme, ajo mund të gjejë ndonjë zgjidhje jashtë kompetencave të saj, siç e kemi parë shumë herë, pasi që ka zbrazëtira juridike shumë të mëdha brenda saj dhe vendos shabllon siç ka vendos me dërgu vendin në zgjedhje e cila nuk është çështje e gjykatës, apo qysh e ka aprovu afatin e Presidentit për Hoti si mandatar për krijimin e qeverisë”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Burjani: Me rendësi është që të arrihet një marrëveshje së paku e koalicionit të ardhshëm që formojnë qeverinë

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot” shprehet se nëse do të ketë marrëveshje për koalicion, në të do të përfshihen edhe posti i presidentit, dhe i kryeministrit.

Image
Blerim Burjani

“Në këto zgjedhje duket se duhet të ketë marrëveshje të plotë për një koalicion që formohet pas zgjedhjeve, dhe të cilët do merren vesh edhe presidentin edhe për kryeministrin e shtetit”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Por, nëse nuk arrihet që partitë politike të bëjnë një marrëveshje për postin e presidentit, Burjani deklaron se kjo është një temë shumë e komplikuar dhe nuk është e lehtë të zgjidhet.

“Pra të ketë një marrëveshje ose para zgjedhore ose pas zgjedhore, që të mos ketë vazhdim kronik të problemeve ose prapë shteti të shkojë në zgjedhje. Kjo tash është temë shumë e komplikuar dhe nuk është e lehtë të zgjidhet. Me rendësi është që të arrihet një marrëveshje së paku e koalicionit të ardhshëm që formojnë qeverinë. Pra paraprakisht do të ishte pozitive të ketë marrëveshje”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat