Lidhja Demokratike e Kosovës ka emëruar kandidat për kryeministër, Avdullah Hotin.
Kjo është bërë e ditur nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas mbledhjes së kryesisë së partisë.
Hoti ka falënderuar LDK-në për besimin, derisa është shprehur i bindur në fitore.
Lidhur me kandidimin e tij, politologu Ramush Tahiri ka thënë për gazetën "Bota sot" se nëse LDK do të bënte eksperiment me figura të tjera si Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku apo Lutfi Haziri, do të dëmtohej më shumë.
"LDK nuk kishte rrugë tjetër përveç vazhdimësisë. Nëse do të ishte përpjekur të eksperimentonte me figura të tjera si Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku apo Lutfi Haziri, konsideroj se veç do të ishte dëmtuar dhe do të dëshmonte atë që po e thotë opozita për Qeverinë Hoti se ishte e pasuksesshme", është shprehur ai.
Sipas Tahirit, LDK me Hotin kandidat i ndalon përçarjet e brendshme dhe do të arrijë ta ruajë elektoratin, pavarësisht largimit të Vjosa Osmanit.
"Mendoj se LDK me Avdullah Hotin i parandalon përçarjet e brendshme dhe edhe përkundër largimit të Vjosa Osmanit, do të arrijë të ruajë elektoratin dhe votën dhe do të mbetet forcë e rëndësishme dhe ndoshta faktori kyç për formimin e Qeverisë pas zgjedhjeve", ka deklaruar Ramush Tahiri.