“Sa të jem president, s’do ta njoh pavarësinë e Kosovës”, zyrtari amerikan flet për “Bota sot” për deklaratën e Vuçiqit

Politika

“Sa të jem president, s’do ta njoh pavarësinë e Kosovës”, zyrtari amerikan flet për “Bota sot” për deklaratën e Vuçiqit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 30 dhjetor 2020 Në ora: 19:10
Thomas Countryman, ish-zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për çështje evropiane

Dialogu i Kosovës me Serbinë rinisi këtë vjeshtë, por arritja e një marrëveshjeje duket se është ende larg. Këtë e ka lënë të kuptohet vet presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili kohët e fundit deklaroi se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, për sa kohë që ai është president.

"Derisa të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi në vitin 2022, nuk do të ndodhë njohja e Kosovës. Më pas, është populli që do të vendosë," është shprehur Vuçiq për mediat serbe.

Se një marrëveshje e qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë është larg, e ka konfirmuar për gazetën “Bota sot” edhe ish-zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për çështje evropiane, Thomas Countryman.

Ai ka thënë se situata politike në Prishtinë dhe Beograd vështirëson gatishmërinë e të dyja palëve për të bërë kompromise të arsyeshme.

“Është e qartë, ne mbetemi larg një marrëveshjeje të qëndrueshme bilaterale që do të avanconte fatin evropian të Kosovës dhe Serbisë. Është e vështirë të shohësh që situata politike në Beograd ose Prishtinë ndryshon në një drejtim që do t'i bënte të dy palët më të gatshme për të bërë kompromise të arsyeshme”, ka thënë për “Bota sot” ish-përgjegjësi për Ballkanin në Departamentin e Shtetit, tash drejtor i bordit të Asociacionit për Kontrollin e Armëve, Thomas Countryman.

Sipas tij, dialogu tani duhet të përqëndrohet në masa specifike, nga të cilat do të përfitonin ekonomikisht qytetarët e të dy vendeve.

“Në këtë kohë, negociatat duhet të përqendrohen në masa specifike, konkrete nga të cilat do të përfitonin qytetarët e të dy vendeve në jetën e përditshme dhe situatën ekonomike”, është shprehur Countryman./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat