Kryeministri aktual në detyrë Avdullah Hoti do të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Kryesia e LDK-së këtë vendim e ka marrë duke u bazuar, në qeverisjen e mirë të Hotit në këto 6 muaj.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha në një konferencë për media se, Hoti e ka drejtuar në mënyrë të drejtë punën e Qeverisë dhe ka treguar se ajo zbaton ligjin dhe lufton kundër krimit dhe korrupsionit.
“Qeveria e ka bërë punën mirë në mënyrë të suksesshme duke rivendosur raportet që kanë qenë përpara më SHBA-në, BE-në dhe institucionet financiare si dhe ta kthejë besimin e këtyre vendeve dhe institucioneve karshi Kosovës”, tha Mustafa.
Kandidati për kryeministër Avdullah Hoti së shpejti pritet që ta bëjë publik ekipin dhe programin e tij qeverisës. LDK-ja synon që në këto zgjedhje të garojë e vetme.
Përveç LDK-së, edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka zyrtarizuar kryetarin e saj në detyrë, Enver Hoxhajn, si kandidat për kryeministër. Ndërsa, Vetëvendosje dhe AAK pritet të garojnë në zgjedhjet e ardhshme me Albin Kurtin dhe Ramush Haradinaj.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë vijnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, më 21 dhjetor, që vota e Etem Arifit, me rastin e votimit të Qeverisë së Avdullah Hotit, më 3 qershor, ishte e pavlefshme, pasi ndaj tij kishte një dënim të formës së prerë me mbi një vit burgim.
Bajraj: LDK lidere, Hoti, favorit për kryeministër në zgjedhjet nacionale
Njohësi i çështjeve politike, Fatmir Bajraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar vendimin e LDK-së për kandidimin e Avdullah Hotit si kryeministër në zgjedhje e parakohshme.
Bajra vlerësoi lartë kryeministrin në detyrë, Avdullah Hotin për personalitetin e tij, duke thënë se ai ka trashëguar cilësoi nga fryma dhe filozofia Rugoviane.
“Personalitetin e Kryeministrit Hoti e përshkon një butësi apostolike-autentike dhe një qetësi proverbiale gjenetike, e trashëguar nga fryma e urtë, filozofike – Rugoviane”, u shpreh ai.
Analisti e mbështeti fuqishëm vendimin e kryesisë së LDK-së për vendosjen e Avdullah Hotit si kandidat për zgjedhjet parlamentare. Kjo pasi, Bajraj tha se Hoti bëri një punë të jashtëzakonshme dhe e nxori vendin nga kaosi dhe izolimi ndërkombëtar.
“Vendimi i Kryesisë së LDK-së, për kandidaturën e Dr. Avdullah Hotit për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të fillim vitit të ardhshëm, ishte një vendim logjik, i bazuar dhe i shëndetshëm për LDK-në, dhe proceset kruciale politike nëpër të cilat po kalon vendi, duke pasur parasysh faktin se kryeministri i tashëm dhe i ardhshëm i Kosovës z. Avdullah Hoti, bëri një punë brilante duke nxjerrë vendin nga një gjendje amullie, kaosi dhe izolimi ndërkombëtar”, theksoi Bajraj
Tutje, njohësi i çështjeve politike përmendi sukseset e kryeministrit Hoti gjatë këtij mandati. Bajraj, tha se rimëkëmbja ekonomike, dialogu me Serbinë, lufta kundër korrupisionit, janë disa nga suksese e Hoti.
“Kryeministri Hoti, çoj para proceset politike dhe jo vetëm, duke ia dalë mbanë dhe me sukses betejën me Covid-19, rimëkëmbjen ekonomike, dialogun me Serbinë dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me theks të veçante; çkapjen e shtetit në një kontekst sfidues dhe përballë një opozite destruktive dhe sabotuese të proceseve politike, siç ishin LVV & PDK.
Qeveria Hoti, e nxori vendin nga izolimi nderkombëtar dhe "shkriu" raportet me aletatet dhe parneret strategjik, marrëdhëniet me të cilët ishin në piken zero dhe me tendencë të përkeqësimit radikal dhe me rrezik potencial për vetë shtetin e Kosovës”, nënvizoi Bajraj.
Pavarësisht sfidave dhe fushatave mediale të egra me të cilat u përballë Hoti,, Bajraj tha se me një natyrë të qetë intelektuale dhe me përkushtim Hoti i’a doli të nxjerrë suksese të jashtëzakonshme në një situatë të jashtëzakonshme.
“Kryeministri Hoti, me një natyrë të qetë intelektuale, por i përkushtuar maksimalisht t'i ndihmoj vendit dhe qytetarëve në këto kohë sfiduese, përkundër një opozitë destruktive dhe agresive në Parlament, brishtësisë së numrave dhe një fushate mediale të egër të etabluar kundër Qeverisë dhe Kryeministrit Hoti, kjo e fundit ia doli të nxjerrë suksese të jashtëzakonshme në një situatë të jashtëzakonshme”, deklaroi Bajraj.
Ai u shpreh se Hoti fal kësaj pune dhe sukseseve në qeverisje të vendit gëzon një mbështetje të madhe nga qytetarët e vendit, ku kjo mbështetje edhe do të përkthehet në votë të lirë të qytetarëve
“Kryeministri Hoti, falë sukseseve të prekshme në qeverisjen e vendit, gëzon një mbështetje të fuqishme qytetare dhe besim të tyre, e cila do të përkthehet në votë të lirë në zgjedhjet e parakohshme si pasojë e neglizhimit dhe dështimit të Parlamentit në lidhje me certifikimin dhe mandatin e deputetit minoritar, Etem Arifi dhe votës së tij për Qeverinë Hoti”, tha Bajraj, përcjell “Bota sot”.
Në vazhdim, analisti potencoi se LDK me Avdullah Hotin do të ofrojnë ekipin, shtabin e fushatës dhe ofertën më të mirë për qeverisjen e vendit, pasi ka një potencial profesional dhe akademiko-politik. Bajraj tha se LDK me kandidat Hotin është subjekti favorit për të i fituar zgjedhjet.
“LDK, dhe tanimë, i ri-kandiduari për kryeministër, z.Avdullah Hoti, përballë oponentëve në skenën politike, do të ofroj ekipin, shtabin e fushatës dhe do shpalosë ofertë më të mirë për qytetarët dhe qeverisjen e vendit, për çfarë LDK-ja ka potencial të mjaftueshëm profesional dhe akademiko-politik i cili bënë diferencën me të tjerët.
LDK-ja, me kandidatin për kryeministër, është favorite e këtyre zgjedhjeve, dhe sipas të gjitha gjasave do t'i fitoj ato dhe të drejtën e krijimit të institucioneve dhe drejtimin e Qeverisë së Kosovës”, theksoi Bajraj.
Në fund, Bajraj tha se Hoti fal punës së tij i ka të hapura dyert tek shtetet aleate, përfshirë edhe rregullimin e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe ShBA-në, të cilat Kurti i kishte sjellë në pikën zero.
“Z. Hoti, si Kryeministër i Kosovës, për dallim nga oponentët, ka të hapura dyertë e kancelarive perëndimore dhe në qendrat e vendosjes, duke mos anashkaluar edhe shtetin amë, Shqipërinë dhe SHBA-të, me të cilët ish Kryeministri Kurti, kishte sjellë marrëdhëniet në pikën zero, si pasojë e paaftësisë dhe mungesës së dijes dhe guximit prej shtetari”, përfundoi Bajraj.
Ahmeti: Pas zgjedhjeve, LDK-ja të fillojë një reformë të madhe radikale brenda partisë
Ndërsa, analisti politik, Hidajet Ahmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar kandidimin e Avdullah Hotit për kryeministër të vendit, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ahmeti u shpreh se LDK-ja që nga vdekja e Presidentit Historik, Ibrahim Rugova është në pozicionin më të keq si subjekt politik në zgjedhje.
“LDK-ja, si parti politike në këto zgjedhje është në pozicionin më të keq të mundshëm që nga vdekja e presidentit historik, Ibrahim Rugova. Gabimet e një pas njëshme i kanë kushtuar dhe do t’i kushtojnë në vazhdimësi LDK-së dhe do t’i paguaj me kosto të lartë politike”, deklaroi Ahmeti.
Analisti tha se Lidhja Demokratike e Kosovës duhet domosdoshmërisht të i nënshtrohet një reforme të brendshme partiake, kjo pasi ka një rënie të madhe elektorale.
“LDK-ja pas këtyre zgjedhjeve e ka të domosdoshme t’iu nënshtrohet një reforme radikale, pasi me trendin e rënies elektorale do ta shemb traditën e një partie institucionaliste e shtet ndërtuese. Gjykoj se, LDK-ja si parti politike për ta kthyer besimin duhet të largoj klikën e vjetër, jo për nga mosha por, për nga mentaliteti qeverisës, vetëm përmes kësaj reforme mund ta kthej besimin e humbur”, theksoi Ahmeti.
Tutje, ai shtoi se kandidimi i Avdullah Hotit për kryeministër ishte i pritshëm. Edhe pse paralajmëroi se Hoti do të djeget në këto zgjedhje, sakrifica e tij politike është përgatitje për të parin e LDK-së.
“Nominimi i zotit Hoti për kryeministër nuk ishte i papritur, pasi në vazhdimësi zyrtarët e LDK-së janë thirrur në qeverisje të mirë nën udhëheqjen e tij. Rrjedhimisht, tash nuk do të kishte logjikë që zoti Hoti të largohet nga gara për të parin e LDK-së në këtë zgjedhje. Në këto aventura politike të LDK-së, zoti Hoti potencialisht do të djeget në këto zgjedhje, por sakrifica e tij politike potencialisht mund të jetë përgatitje e tij për të parin e LDK-së mbas zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, nënvizoi Ahmeti.
Në fund, analisti tha se Hoti është profesionist i çështjeve ekonomike, por i mungojnë atributet kryesore të liderit dhe ai mban një barrë të madhe të përgjegjësisë e mban LDK-ja.
“Faktikisht, zoti Hoti është një profesionistë i çështjeve ekonomike, por kjo nuk do të thotë që ai do të dalë i suksesshëm në këto zgjedhje, pasi këtij të fundit i mungojnë atributet kryesore të një lideri. Por, nuk duhet gjykuar vetëm në kontekstin e personalitetin e zotit Hoti, por barrën më të madhe të përgjegjësisë e mbartë LDK-ja , e cila ka keqqeverisur që nga mbas lufta”, përfundoi Ahmeti.