Një ditë më parë Vjosa Osmani e ka prezantuar sloganin “Guxo”.
Me “Guxo”, Osmani u bën thirrje votuesve të mundshëm të saj duke thënë se “Guximi për sot është ndryshimi për nesër!”.
E, analisti poltik Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se, praktika e vjetra poltike i kanë ngulfatur proceset demokratike dhe proceset zhvillimore në Kosovë.
“Është koha e ndryshimeve të pozitive në Kosovë pas një kohe të gjatë. Kosova me votën e sovranit duhet të largohet nga këto praktika të vjetra të cilat i kanë ngulfatur proceset demokratike dhe proceset zhvillimore në Kosovë. Kjo kastë politike më shumë punoi për përfitime personale se sa për shtetndërtim dhe mirëqenje. Vendi nuk po ka mundësi të dalë nga krizat politike, krizat institucionale dhe krizat ekonomike sociale. Rënia e Qeverisë Kurti, formimi i Qeverisë Hoti dhe rënia e kësaj të fundit, shpërfaqi njerëzit reformist, dhe shpërfaqi ata të cilët po i pengojnë këto. Sigurisht se në këtë mes një vend të rëndësishëm zë edhe u.d e presidentes të Kosovës, zonja Osmani, e cila përqafon idetë reformiste së bashku me Albin Kurtin e LVV-së. Edhe pse koha është shumë e shkurtër për përgatitje më të mira, se zgjedhjet mbahen brenda 45 ditësh, më duket se disponimi karshi Listës është duke u rritur dita ditës”, thotë Mulliqi.
Sipas tij, edhe pse Osmani u nda nga LDK si parti e madhe, dhe se çdo ndarje ka turbulenca, votuesit e shumtë kësaj radhe do të përcaktohen për krahun reformist siç është Vjosa Osmani.
“Edhe pse çdo ndarje nga një subjekt politik nuk bëhet pa turbulenca, në këtë konstest edhe ndarja e Vjosës nga LDK-ja si parti madhe, megjithatë situata e krijuar dhe nevoja për ndryshime në Kosovë, është tepër e madhe. Votuesit e shumtë kësaj radhe do të përcaktohen për krahun reformist siç është Vjosa Osmani. Kështu që unë mendoj se Lista do të ketë përfaqësim të mirë në organet e reja shtetërore të cilat do të dalin pas këtyre zgjedhjeve”, shprehet Mulliqi.
Në fund komenton edhe sloganin duke thënë se, është konform guximit që e tregoi Vjosa Osmani deri më tash në politikë.
“Më duket se një pjesë e elektoratit të LDK -së, të pa përcaktuarit, kësaj radhe do t’i përgjigjen thirrjes për dalje në zgjedhje duke votuar për Vjosën. Shumica e qytetarëve të lodhur nga gjendja e pa perspektivës së krijuar në Kosovë, do të votojnë LVV dhe Listën e zonjës Osmani. U mendoj se pas zgjedhjeve do të kemi aderime të mëdha në përkrahje të partisë të zonjës Osmani, e cila është një personalitet bashkëkohor, e ditur, dhe e përgatitur për sfidat e politikës moderne. Edhe sllogani politik gjatë zgjedhjeve “Guxo” më duket se është shumë i drejtë, dhe konform guximit që e tregoi Vjosa deri më tash në politikë. Ky sllogan tregon gjithashtu vendosmërinë e Listës për ndryshime që po vjen në pushtet, e jo për ndryshime më shumë kozmetike të deritashme”, përfundon Mulliqi për “Bota sot”.