“Mediat e LPK-së dhe LBD-së e vranë Tahir Zemajn”, 18 vite pa pishtarin e lirisë së Kosovës

Politika

“Mediat e LPK-së dhe LBD-së e vranë Tahir Zemajn”, 18 vite pa pishtarin e lirisë së Kosovës

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 4 janar 2021 Në ora: 08:01
Pamje nga vendi ku ndodhi vrasja e Tahir Zemajt

Sot bëhen 18 vite nga vrasja e komandantit të luftës çlirimtare dhe kryestrategut, kolonel Tahir Zemajt, mirëpo që ende nuk ka asnjë të re nga hetimi i rastit.

Tahir Zemaj ishte vrarë në pritë në orët e hershme të mëngjesit të 4 janarit 2003 kur vetura e tij ishte goditur nga një breshëri plumbash duke ia marrë jetën Tahirit, të birit të tij Enisit dhe kushëririt të tij, Hasanit.

Pavarësisht kësaj, vrasja e Zemajt që nga 2003 nuk është avancuar aspak në zbardhjen e saj, duke u lënë anash nga prokurorët e rastit.

Vdekjen e Zemajt e kanë kujtuar gjithmonë e gjithë kryesia e LDK-së, duke u shprehur që Zemaj ishte vrarë në pritë njëjtë sikurse edhe figura tjera të LDK-së dhe se përgjegjësit e këtyre vrasjeve lëvizin të lirë dhe po vazhdojnë të krijojnë pengesa që këto raste të mos zbardhen.

Për mos zbardhjen e rastit, i zëshëm ndër vite ka qenë gjithmonë shoku i Zemajt, Nazif Ramabaja i cili çdoherë ka kërkuar se për mos zbardhjen e rastit duhet të japin përgjegjësi organet shtetërore të Kosovës.

Përveç vrasjes së Tahir Zemajn, janë edhe shumë vrasje të tjera të tilla të cilat ende nuk mund të zbulohen se nga kush janë vrarë.

Krasniqi: Zemajn e kanë vrarë disa herë virtualisht, për ta vrarë fizikisht më 04 janar 2003

Në lidhje me përvjetorin e Zemajt, i kontaktuar nga “Bota sot”, Sefedin Krasniqi, publicist dhe autor i librit “Kështu foli Tahir Zemaj”, ka treguar detaje të padëgjuara më herët në lidhje me Zemajn para se ta vrisnin.

Image
Sefedin Krasniqi

Krasniqi thotë që shqiptarët e spektrit të majtë ekstrem shqiptar, e kanë vrarë me gazetat e tyre, të cilat i përmend me emra dhe shprehët që këto media kanë qenë të kontrolluara dhe komanduara nga LPK dhe LBD si bija të PPSH së Enver Hoxhës.

Më tej, Krasniqi shprehet që ata të cilët para luftës nuk kanë mundur ta arrijnë LDK-në, pas luftës u rreshtuan në PDK dhe pasi edhe aty dështuan tashmë janë stacionuar në VV dhe me përkushtim po luftojnë gjithçka që nuk është në LVV.

“Kolonelin Tahir Zemaj, mbrojtësin e Llukës, fituesin e Betejës së Loxhës, shqiptarët e kanë vrarë disa herë virtualisht për ta vrarë fizikisht, më 04 janar 2003. Shqiptarët e spektrit të majtë ekstrem shqiptar, e kanë vrarë me gazetat e tyre, siç ishte “Zëri i Kosovës”, “Bota e re” (e asaj kohe) “Radio Kosova e lirë” etj! Të gjitha këto medie të informimit kontrolloheshin dhe komandoheshin nga LPK dhe LBD si bija të PPSH së Enver Hoxhës. Ata që kanë kontrolluar këto medie, pasi s’kanë mundur, para luftës, ta marrin LDK-në, pas luftës u rreshtuan në PDK dhe pasi edhe aty dështuan, sepse i shtrydhi mire “George Washington” i Bidenit, tash janë stacionuar vendosmërisht në istikamet e LVV-së dhe me përkushtim po luftojnë gjithçka që nuk është në LVV. Edhe pse të shantazhuar, ata ushtarakë të FARK-ut që refuzuan që kolonel Tahir Zemaj ta merrte drejtimin e brigadave të FARK-ut që operonin në Koshare, duhet t’i vras ndërgjegjja. Edhe këta e kanë vrarë goxha mire”, u shpreh Krasniqi.

Tutje, Krasniqi tregon dy gjëra të cilat nuk i ka thënë më herët, ai tregon momentin kur është takuar me Zemajt pas vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit duke iu drejtuar, “Tahir kujdes, nuk është mire të them, por enveristët e Kosovës, tash ty të kanë në sy”, ishin fjalët e Krasniqit drejt Zemajt.

Gjënë e dytë që publicisti e tregon ekskluzivisht për “Bota sot”, ishte edhe momenti i varrimit të Rugovës dhe Smajl Hajdarajt në të cilin mori pjesë edhe Tahiri, e që në atë kohë TV kishte bërë një reportazh në të cilin fokus kishte Zemajt. Krasniqi thotë që në ato momente ka telefonuar Zemajt për ngushëllime dhe i është shprehur që mënyra se si kamera e kishte fiksuar nuk i kishte pëlqyer.

“Me këtë rast do t’i them dy gjëra që s’i kam thënë kurrë. Pas vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit, Zemaj më erdhi për ngushëllime. Erdhi vetë i shtati. Qëllova në punë, por gjeta kohë të rrimë 15 minuta bashkë. Kur e përcolla me miqtë e tij, e ndala dy minuta dhe i thash; Tahir kujdes, nuk është mirë të them, por enveristët e Kosovës, tash ty të kanë në sy. Iu ndërrua çehrja, por nuk më tha gjë.

Kur u varros komandanti i Rugovës, Smajl Hajdaraj, Tahiri mori pjesë. TV bëri një lajm/reportazh dhe filmi pati mbaruar duke e fiksuar pikërisht kolonelin. I telefonova dhe pasi I shpreha ngushëllime, i thash që mënyra se si u fiksua nga kameramani, ndoshta ishte bërë për efekte pozitive, por mua s’më pëlqeu, sepse u fiksua në atë mënyrë sikur donte ta apostrofojë se ja ‘ky është në radhë’. Dhe vërtetë ashtu ndodhi”, u shpreh Krasniqi.

Në fund Krasniqi thekson që e gjithë kjo nuk do të ndodhte nëse Zemaj nuk do të reagonte për ushtarët që ia kishin vrarë siç kanë vepruar shumë para tij.

Mirëpo deklaratat që Zemaj vazhdimisht ka bërë duke denoncuar krimin, kanë bërë që Zemajt t’ia vjedhin lavdinë e fitores së Betejës së Loxhës se të vetat s’i patën kurrë dhe ta vrasin në mënyrë të fshehtë pas shpine.

“Çdo gjë do të përfundonte këtu, sikur komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Tahir Zemaj, pas luftës ta kishte mbyllur gojën për t’i lënë gjakhumbur ushtarët që i‘a kishin vrarë, siç thoshte ai, me tradhti pas shpine. Sikur t’i kishte lënë në harresë dëshmorët e Betejës së Loxhës. Sikur të mos i kishte ndie në shpirt vuajtjet e ushtarëve të brigadës „Mërgimi“. Sikur ta kishte sharë eprorin e tij Ahmet Krasniqin, ashtu siç kanë bërë të tjerë për një leckë, për një gojë bukë. Por, ja që komandanti foli dhe tha të kundërtën. Denoncoi krimin në shumë intervista dhe në dy librat e tij të titulluara, "Kështu foli Tahir Zemaj", vëllimi I dhe II. Komandantin Tahir Zemaj e vranë për t’ia vjedhur lavdinë e fitores së Betejës së Loxhes, sepse të vetat s’i patën kurrë. Edhe vrasësit janë fshehje publike, sepse dihet saktësisht kush e bëri këtë vrasje mizore. Mjafton që policia e Pejës të tregojë në emër të kujt ishte e regjistruar vetura Opel Ascona nga e cila gjuajtën vrasësit, të cilën vrasësit e hodhën në lumin Drin“, përfundoi Krasniqir për „Bota sot“.

Zogaj: Vrasësit e Tahir Zemajt shëtisin edhe sot të lirë

Image
Skënder Zogaj

Analisti politik, Skënder Zogaj në një prononcim për „Bota sot“, u shpreh që Zemaj i përket piedestalit të burrave të mëdhenj të Kosovës që nuke kurseu vetën për vendin e tij.

Zogaj më tej thotë që duke iu falënderuar personalisht Tahir Zemajt, nuk ka ndodhur vëllavrasja ndërmjet dy krahëve të UÇK-s dhe kjo është një dëshmi që pasqyron meritat madhore të tij, por që në vend të mirënjohjes ai u vra tinëzisht nga plumbat e tradhëtisë.

“Nuk ka asnjë̄ dilemë se, koloneli Tahir Zemaj i përket piedestalit të burrave të mëdhenj të Kosovës, dhe njëra nga figurat më trimërore tē luftës çlirimtare, së cilës i shërbeu si i ka hije bijve të devotshëm të atdhetarisë tradicionale shqiptare, duke u vendosur në vijën e parë të frontit kundër pushtuesit serb! Tahir Zemaj ishte oficer kariere, me përgatitje profesionale elitare dhe me përvojë të mirëfilltë ushtarake, që nuk e kurseu t'ia ofronte vendit në çastet e duhura. Lavdia e Betejës së Loxhës e ka kryepersonazh historik Tahir Zemajn, i cili në kushte e rrethana shumë të ndërlikuara mosmarrveshjesh dhe kundërshtimesh të brendshme të faktorit ushtarak, vepron si i ka hije një strategu të vërtetë duke penguar eskalimin e konfliktit që krahu i ushtrisë së vetorganizuar demonstron kundër formacioneve institucionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, të cilit kishin depërtuar në Kosovë! Pra, duke iu falenderuar personalisht Tahir Zemajt, nuk ka ndodhur vëllavrasja ndërmjet dy krahëve të UÇK-s dhe kjo është një dëshmi që pasqyron meritat madhore të tij. Mirëpo, për fat të keq, nē vend të mirënjohjes dhe respektit për kontributin në çlirimin e vendit, koloneli Tahir Zemaj pas luftës tinzisht vritet nga plumbat e tradhëtisë”, u shpreh Zogaj.

Në fund, Zogaj thotë që edhe pse kanë kaluar 18 vite nga vrasja e Zemajt, ky rast ende nuk është zbardhur dhe kjo na lë të kuptojmë që vrasësit e tij edhe sot enden të lirë e për vrasjet e shumë të tjerëve nuk dim ende asgjë.

“Kanë kaluar 18 vjet dhe kjo vrasje makabre ende nuk është zbardhur! Kjo nënkupton se vrasësit janë të lirë dhe shetisin rreth nesh! Kjo tregon se ata ende janë të fortë dhe i mbajnë kapur institucionet të cilat nuk guxojnë të mirren me kriminelët dhe t'i zbardhin krimet e tyre! Prandaj Kosova 20 vjet pas luftës edhe pse është shpallur shtet i lirë dhe i pavarur, në fakt nuk është as i lirë dhe as i pavarur, por tash është shtet i vetpushtuar! Këtë e pasqyron edhe kriza aktuale politike e vendit, në brendinë e së cilës, të pagjeturit dhe vrasjet e pazbardhur politike janë plaga kryesore që e mbanë peng shtetin e Kosovës! Është e trishtueshme kur edhe pas dy dekadash nuk dihet kush i vrau bijtë më të mëdhenj tē Kosovës: Tahir Zemajn, Ahmet Krasniqin, Sebahate Tolajn, Xhemajl Mustafën, Enver Malokun, Smajl Hajdarajn, Ismet Racin etj, etj”, përfundoi Zogaj për “Bota sot”.

Haziri: Vrasja e Zemajt është neglizhuar nga organet e drejtësisë

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa publicisti Nexhat Haziri për "Bota sot", ka thënë se vrasja e Zemajt është neglizhuar nga politika apo nga drejtësia e kapur nga mafia politike tash e 18 vite.

Haziri thotë që mos zbardhja e vrasjes së trefishtë një farë mënyre ka qenë edhe peng i stabilitetit politik, pasi vrasja kur ka ndodhur ka qenë administrata e UNMIK-ut e pranishme në Kosovë dhe se heshtja ishte një lloj kompromisi të mos zbulohej siç e quan Haziri “i forti i Dukagjinit”.

“Vrasja e kolonelit Zemaj, gjegjësisht zbardhja e saj dhe nxjerrja e autorëve para drejtësisë, është neglizhuar nga politika apo nga drejtësia e kapur nga mafia politike, tash e 18 vite. Po ashtu mendoj se për, mos zbardhja e vrasjes së trefishtë, të Kolonel Zemajt, djalit të tij Enisit dhe kushëririt Hasanit, në një farë mënyrë ka qenë edhe peng i stabilitetit politik, pasi vrasja kur ka ndodhur ka qenë administrata e UNMIK-ut e pranishme në Kosovë dhe pasi që kjo vrasje dhe hetimet për të shkonin deri të përgjegjësia e një lideri politik të caktuar, që mbahej dhe mbahet akoma edhe sot si i forti i Dukagjinit, dhe për ta ruajtur një stabilitet të brendshëm politik, administrata ndërkombëtare pranoi si të thuash një heshtje kompromisi. Në këtë aspekt do ta rikujtoja edhe deklaratën e Zyrës së Përfaqësisë së SHBA-ve në Kosovë, e cila drejtë-përsëdrejti drejtoi gishtin nga ky subjekt politik që udhëhiqej nga i “forti I Dukagjinit”, u shpreh Haziri.

Më tej, Haziri kujton vdekjen e dy policëve të Kosovës, të cilët janë munduar të zbardhin këtë vrasje mirëpo që iu kushtoi me vdekje.

Sipas Hazirit, nuk ka ekzistuar një vullnet politik e i guximshëm nga prokuroria e shtetit e as ndërkombëtar që të zbardhet kjo vrasje mirëpo që Haziri shpreson që Specialja të i jep një epilog vrasjes së trefishtë dhe vrasjeve të tjera politike që kanë ndodhur.

“Tentimi për zbardhjen e kësaj vrasje dhe që thuhej si ishin shumë afër iu kushtoi me jetë dy policëve të Kosovës, SHPK-së siç quhej në atë kohë, pra Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, që për këtë akt kriminal tashmë keni një kriminel të dënuar siç është Bedri Krasniqi. Në përgjithësi pra nuk ka ekzistuar një vullnet politik e as një veprim i guximshëm dhe profesional i prokurorisë së shtetit, qoftë edhe asaj ndërkombëtare për zbardhjen e vrasjes së trefishtë të 4 janarit të vitit 2004. Megjithatë shpresoj dhe uroj që fillimi i proceseve gjyqësore nga Gjykata Special, ti jap epilog vrasjes së Kolonel Tahir Zemajt djalit të tij Enisit dhe Kusheririt Hasanit, pasi pistat janë shumë të qarta që të dërgojnë në adresën e vërtetë se kush së paku dha urdhrin për vrasjen e Kolonel Zemajt, por edhe të vrasjeve të tjera politike të ndodhura në Kosovë, pas mbarimit të luftës”, përfundoi Haziri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat