Guximi i Vjosës

Politika

Guximi i Vjosës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 5 janar 2021 Në ora: 08:31
Vjosa Osmani

U.d e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, ka vendosur që në këto zgjedhje të garojë me një Listë të vet, duke ndarë rrugët përfundimisht me LDK-në.

Madje, është raportuar se edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë dalë anëtarë duke ju bashkuar Listës së Osmanit.

Ajo ditët e fundit ka bërë publik edhe sloganin “Guxo” me të cilin do të paraqiten në fushatë.

Slogan ky i cili është kritikuar nga partitë e tjera, sidomos nga PDK-ja, duke thënë se të njëjtin slogan e kanë përdorur në zgjedhjet e vitit 2004. “Kësaj i thonë rrëshqitje Frojdiane”, kishte thënë në një deklaratë të tij, zyrtari i PDK-së, Avni Bytyçi.

Zogaj: Slogani “Guxo” interesant që simbolikisht le shumë për t'u kuptuar

Image
Skender Zogaj

Analisti Skender Zogaj në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se, Vjosa Osmani është edhe një fenomen i ri në skenën e trazuar politike e shpirtërore të shqiptarëve të Kosovës.

“Vjosa Osmani është edhe një fenomen i ri në skenën e trazuar politike e shpirtërore të shqiptarëve të Kosovës, të cilët menjëherë pas luftës e ngaterruan udhën e lirisë dhe, qe 20 vjet po sillen si "miza pa kry" duke gatuar "petulla me ujë"! Kjo mënyrë e sjelljes e ka degjeneru ëndrrën e lirisë dhe, tashmë jemi dëshmitarë të një shoqërie të kaosit, ku gjithçka është e mundur dhe asgjē e pamundur! Në rrethana të këtilla arsyeja nuk ka asnjëlloj kuptimi, sepse, të menduarit dhe të vepruarit racional të lë me gishta në gojë”, shprehet Zogaj.

Ai më tej shton se, ajo ndodhet në grupin e kreut të garuesve për pushtet, dëshiron marrjen e pushtetit por nuk do ta ketë lehtë sepse duken mos qenë “borëbardha e LDK-së”.

Ai për sloganin“Guxo” thotë se, është interesant që simbolikisht lë shumë për t'u kuptuar.

“Prandaj, Vjosa Osmani e ndodhur në grupin e kreut të garuesve për pushtet, është krejtësisht normale që ta dëshiroj marrjen e pushtetit! Këtë ambicie Vjosa e ka shprehur qartë, por nuk do ta ketë lehtë sepse duken mos qenë "borëbardha e LDK-së", vështirë që mund të gëzojë votën e elektoratit militant të traditës rugoviane, që nuk bëjnë ballë të votojnë jasht listës partiake. Mirëpo, përcaktimi i Vjosës që të garojë me slloganin "Guxo", është vendim interesant që simbolikisht le shumë për t'u kuptuar” përfundon Zogaj.

Mehazi: Slogani “Guxo” një slogan i plotë, i qartë, pa ekuivoke partiake, do jetë më shumë veprues sesa emërues

Image
Sulejman Mehazi

Analisti politik, Sulejman Mehazi në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se, pas shumë thashethemeve për Osmanin se si do të qëndrojë në politikë, ajo tregoi vet se do të garojë në zgjedhje me Listë të vet, duke paraqitur edhe sloganin “Guxo” që sipas Mehazit ai është një slogan i plotë, i qartë, pa ekuivoke partiake që do jetë më shumë veprues e foljor sesa emërues e emëror të inicialeve partiake PDK, LDK e AAK.

“Pas shumë thashethemeve, se, Vjosa Osmani do i bashkohet LVV-së, se do dalë e vetme në zgjedhjet e reja parlamentare, apo do jetë opozitë brenda LDK-së, dhe ja më në fund opinioni i gjerë e ka të qartë se presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, gjatë këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme do konkurojë me listën e vet të deputetëve me sloganin "Guxo", një slogan i plotë, i qartë, pa ekuivoke partiake që do jetë më shumë veprues e foljor sesa emërues e emëror të inicialeve partiake PDK, LDK e AAK”, thekson Mehazi.

Më tej tregon se me çfarë ka të bëjë slogani “Guxo”, duke thënë se do jetë parti tematike qytetare sesa ideologjike konfliktuoze.

“Slogani "Guxo" i Vjosa Osmanit s'ka të bëjë me drejtime ideologjish politike e të djathtëve, të majtës apo të qendrës, po më shumë e ka karakterin e një grupi partiak tematikë, pra “Guxo” e Vjosa Osmanit do jetë parti TEMATIKE qytetare sesa ideologjike konfliktuoze. Grupi "Guxo" i Osmanit do prekë e do nxisë të gjithë qytetarët e guximshëm, po edhe të partive tjera që do marrin forcën e guximit të ndryshimeve të mëdha politike në Republikën e Kosovës.

Pra, Osmani me "Guxo" gjatë fushatës zgjedhore do jetë kallëzues foljor të veprimeve të mëdha e jo kallëzues emëror të stagnimeve të mëdha politike njëzetvjeçare në Kosovë”, përfundon Mehazi.

Duhanaj: Po synon të garoj me një listë, përkatësisht subjekt të vetin, në koalicion me LVV-në

Image
Leon Duhanaj

Kurse analisti Leon Duhanaj, për “Bota sot” ka thënë se, Osmani tash e një vit, është pozicionuar trup kundër çdo vendimi të organeve të LDK-së.

“Për znj. Osmani kam respekt, bazuar në të arriturat që ka pasë deri tani në politikën Kosovare. Madje kam besuar që do të bëhet promotor demokratik në kuadër të LDK-së. Por, ajo çfarë znj. Osmani ka bërë tash e një vit, duke u pozicionuar trup kundër çdo vendimi të organeve të LDK-së.
Duhet kuptuar se edhe demokracia i ka kufijtë e vetë, nuk është demokraci me i shkelur vendimet e shumicës, prandaj edhe shkarkimi i saj nga pozitat udhëheqëse në LDK, ishte i natyrshëm dhe i kuptueshëm, çka nuk nënkupton se ishte edhe e përjashtuar nga partia. Pra, znj. Osmani ishte larguar edhe nga kuvendi i LDK-së por nuk ishte përjashtuar dhe, elektorati i LDK-së edhe pse ishte kah fundi i listës, e mbështeti duke i dhënë shansin e ri” thotë Duhanaj.

Ai ka kritikuar Osmanin duke thënë se ajo, bëri veprime antistatutare dhe anti-demokratike, duke kundërshtuar e vetme vendimet e shumicës.

“Kësaj radhe, znj. Osmani ka shkuar shumë larg. Ajo bëri veprime antistatutare dhe anti-demokratike, duke kundërshtuar e vetme vendimet e shumicës. Tani, po synon të garoj me një listë, përkatësisht subjekt të vetin, në koalicion me LVV-në, gjë që është në kundërshtim të plotë me vizionin që ka përfaqësuar në LDK. Nëse rugovizmi vërtetë ka armiq, atëherë ata janë në VV. Në ketë këntekst, mund të vlerësohet edhe vetë sllogani " GUXO". Është vërtetë guxim për të mos thënë hipokrizi, e llojit të vetë që në emër të "mbrojtjes" së rugovizmit, me dalë me e luftuar LDK-në nga taborri i VV-së”, përfundon Duhanaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat