Dialogu Kosovë-Serbi do të jetë më i lehtë me Joe Biden në krye të Amerikës

Politika

Dialogu Kosovë-Serbi do të jetë më i lehtë me Joe Biden në krye të Amerikës

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 6 janar 2021 Në ora: 20:42
Joe Biden

Dialogu Kosovë-Serbi, pas një pauze rreth 2-vjeçare, rinisi në korrik të vitit 2020, pas largimit të masave të reciprocitetit dhe taksës 100 përqind ndaj mallrave serbe. Gjatë vitit të kaluar pati dy takime fizike mes kryeministrit Hoti e presidentit serb Vuçiq në Bruksel, një në Uashington dhe një takim virtual në samitin e Parisit. Ndërsa 6 takime u zhvilluan në nivel të ekspertëve.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po konsiderohet i dështuar gjatë vitit 2020. Megjithëse ishte proklamuar se mund të jetë vit i marrëveshjes finale, një gjë e tillë nuk u arrit, edhe pse u nënshkrua një marrëveshje ndërmjet dy vendeve në Uashington.  

Përveç marrëveshjes së Uashingtonit, për të cilën u tha se është më shumë ekonomike por që nuk munguan as çështjet politike, nuk u arrit njohja reciproke. Ndërsa ka rreth katër muaj që Hoti e Vuçiq nuk janë takuar pas dallimeve për themelimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Disa prej partive politike thonë se Kosova e humbi rastin historik për ta arritur njohjen reciproke gjatë vitit të kaluar, ndërsa LDK si parti në pushtet vlerëson se dialogu ka marrë shtytje të madhe në vitin 2020.

Por, se a duhet të vazhdoj dialogu edhe këtë vit e kanë komentuar edhe disa njohës të çështjeve politike.

Dialogu duhet të jetë serioz

Kështu, analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se duhet të ketë dialog por të jetë serioz dhe i barabartë i të dy shteteve, e jo në stilin e mëparshëm individual e privat të Thaçit e Vuçiqit, që takoheshin e bisedonin për qejfin e tyre.

Image
Sulejman Mehazi

“Pas zgjedhjeve të reja parlamentare, normalë, se qeveria e re e Kosovës duhet biseduar me Serbinë, por ky dialog të jetë serioz e jo në stilin e mëparshëm individual e privat të Thaçit e Vuçiqit, të cilët takoheshin në Bruksel, bisedonin për qejfin e tyre, pinin e hanin, jepnin deklarata formale para gazetarëve e ktheheshin në vendet e tyre. Kurrsesi s'duhet përsëritur dialogjet e tilla të ekskursioneve njëditëshe të Thaçit e Vuçiqit, por dialogu Kosovë- Serbi të jetë serioz e i barabartë i dy shteteve sovrane”, tha ai.

Tutje ka shtuar se dialogu i Thaçit me Vuçiqin, karakter kishte bisedat pa përmbajtje thelbësore politike. Sipas Mehazit, për t’u ringjallur dialogu Kosovë-Serbi, elita politike e Kosovës duhet të ndryshoj diskursin e dialogut politik ndaj Serbisë, me dialog argumentues, për faljen e krimeve dhe gjenocideve, për largimin e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë, gjë që vetëm kjo mënyrë e dialogut do të jetë i suksesshë dhe i dobishëm për Kosovën.

“Dialogu i Thaçit me Vuçiqin e kishin karakterin e bisedave të pa sosura të miqëve nëpër restorante e ahenge të ndryshme, pa farë përmbajtje thelbësore politike. Për t'u ringjallur dialogu Serbi-Kosovë, elita politike e Kosovës duhet ndryshuar diskursin e dialogut politik ndaj Serbisë, me kërkesa kushtëzuese dialoguese, me dialog të fortë e argumentuese, për faljen e krimeve dhe gjenocidet e bëra serbe ndaj popullit të Kosovës, për largimin e Kosovës nga kushtetuta e Serbisë, për dëmshpërblimet e paguara serbe ndaj Kosovës. Vetëm kjo mënyrë e dialogut me Serbinë do jetë i suksesshëm e i dobishëm për Republikën e Kosovës. Për ndryshe bisedat e llojeve tjetër fare do jenë nënçmuese e në dëm të sovranitetit të Kosovës. Kosovës nuk i nevojitet dialogje të stërgjatura uikendesh, Vuçiq-Thaçi, po dialog sovranitetesh të dy shteteve fqinje me të gjitha të drejtat e barabarta territoriale shtetërore”, shtoi ai.

Diaolgu të vazhdohet me kushte

Edhe analisti Skënder Mulliqi e ka komentuar këtë. Ai gjithashtu ka thënë se dialogu duhet të vazhdoj por me kushte, dhe se Qeveria e re duhet t’i ndërpres praktikat e vjetra të dialogimit me shtetin serb.

Image
Skënder Mulliqi

Sipas tij, bisedimet duhet të kushtëzohen me pranimin e pavarësisë dhe me të pagjeturit. Por, edhe pala shqiptare duhet të jetë e kujdesshme pas deklaratës së Lajcak që nuk ka mundësi me vazhdu dialogu pa u diskutuar statusi politikë i Kosovës, gjë që për këtë deklaratë duhet të kërkohet sqarim nga organet e reja të shtetit të Kosovës.

Dialogu përkohësisht i ndërprerë Kosovë- Serbi, sigurisht se do të vazhdojë , por jo pa kushte .Qeveria e re duhet të ndërpres praktikat e vjetra të dialogimit me shtetin serb, që presidenti Vuqiq ti cakton agjendat e bisedimeve si deri me sot. Bisedimet duhet të kushtëzohen me pranimin e pavarësisë , dhe me të pagjeturit shqiptarë të luftës të bartur në Serbi. Pastaj ,duhet pala shqiptare të jetë shumë e kujdeshme pas deklaratës së ndërmjetësit të BE-së në bisedime, Mirosllav Lajqak se nuk ka mundësi me u vazhdu dialogu pa u diskutuar statusi politikë i Kosovës. Kjo deklaratë e rrezikshme duhet të kërkohet të sqarohet nga organet e reja të shtetit të Kosovës. Por, kështu vjen puna kur delegacionet e mëparshme shqiptare kanë nënshkruar marrveshje të dëmshme për Kosovën, siq janë Demarkacioni dhe "Zajednica", me disa kompetenca ekzekutive që tregon se faktikisht edhe është kaluar nga bisedimet teknike në nivel të bisedimeve që prekin statusin e Kosovës. Zatën duket se edhe kjo ka ndikuar në ndryshim qendrimi të Lajqakut, nëse deklarata është krejt personale , që është pak e besueshme.

Më tej ka theksuar se nuk duhet të pranojm trysnitë që të vazhdohen më bisedimet pa kushte, madje Faktori Ndërkombëtar ka kërkuar që pa kushte të zhvillohet bisedimet, ndërsa shtetit serb që ka bërë gjenocide nuk i ka vu asnjë kusht.

Mulliqi ka shtuar se me ardhjen në pushtet për president të SHBA-ve, Joe Biden, Kosova do të marrë frymë më lehtë sepse administrata e Biden do të hjek përfundimisht nga agjenda idenë e shkëmbimeve territoriale.

“Nuk duhet më të pranojmë trysnitë që të vazhdohen bisedimet pa asnjë kusht siq ka ndodhur deri më tash. Faktori ndërkombëtar sikur është treguar i padrejtë kur vazhdimisht ka kërkuar që pa kushte të zhvillohen bisedimet, kurse në anën tjetër agresorit shtetit të Serbisë që ka bërë gjenocid për qudi nuk i ka vu asnjë kusht të vetëm. Kjo praktikë ishte dashur të ndërprehet, se Serbia ishte shteti që i shkaktoi luftën dhe vrasjët masive të formës gjenocidiale. Mbas ardhjës në pushtet për president të SHBA-ve, të Gjoe Biden, Kosova sigurisht do të merre frymë shumë më lehtë. Merre frymë më lehtë së besohet se administrata e presidnetit, Bajden , do të hjeke përfundimisht nga axhenda iden e shkëmbimeve territorale”, shtoi ai.

Ai thotë se ishte dashur që të gjithë kriminelët serb të përgjigjen para Gjykatës Speciale, ndërsa lidhur me atë kur bëhet fjalë për statusin, Kosova nuk ka se qfarë të bisedoj me palën serbe sepse pavarësia është e shpallur me Planin e Ahtisarit, Kushtetutën e Kosovës dhe konfrom ligjeve ndërkombëtare.

“Sikurse u formua gjykata e padrejtë speciale vetëm për Kosovën, për krime të supozuara të luftës, ishte dashur që të gjithë kriminelët serbë që shumica janë të lirë të përgjigjen para Gjykatës Speciale , ose të një gjykate të Kosovës. Kosova nuk ka çka të bisedojë me palën serbe kur bëhet fjalë për statusin, sepse pavarësia është shpallur me Planin e Ahtisarit, Kushtetutës së Kosovës, dhe konform ligjeve ndërkombëtare, siq e ka vërtetuar këtë edhe GJND-ja. Gabimet e shumta politike me Serbinë , nuk ishte dashur kësaj radhe në bisedime të na përseritën”, përfundoi Mulliqi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat