Zgjedhjet e jashtëzakonshme, ndryshuan komplet rrjedhën e zhvillimeve politike. Tani e gjithë vëmendja po përqendrohet te ndryshimet brenda subjekteve politike dhe aderimeve të reja, shkruan “Bota sot”.
Këto zgjedhje kanë “bashkuar” partitë politike, ku pothuajse të gjitha kanë filluar diskutimet mes vete për koalicione të mundshme parazgjedhore.
Siç, dihet iniciative e Vjosa Osmanit ishte e para që kishte njoftuar se tani veç po bisedojnë me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për një koalicion parazgjedhor.
Krahas, Osmanit edhe Nisma e Fatmir Limajt i ka ofruar një bashkëpunim Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), mirëpo kjo e fundit ende nuk i ka dhënë një përgjigje definitive lidhur me një koalicion të mundshëm.
Por, për dallim prej Vjosa Osmanit dhe Fatmir Limajt, më i shpejtë u tregua kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AKR), Behgjet Pacolli. Pasi, pa shumë zhurmë kryesia e AKR-së njoftuan se janë pothuajse afër zyrtarizimit të koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Ishte Naim Murseli, këshilltari i kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook njoftoi se janë afër zyrtarizimit të koalicionit me LDK-në.
“AKR po i afrohet koalicionit parazgjedhor me LDK-në e cila së shpejti do të zyrtarizohet. Është vullnet brenda partisë por edhe i elektoratit tonë. Na priftë e mbara!”, shkroi Murseli, përcjell “Bota sot”.
Disa njohës të çështjeve politike koalicionin LDK-AKR e shohin si një shpëtim të Behgjet Pacollit. Pasi dihet se AKR ka një rënie të madhe elektorale e cila ia vështirëson qëndrimin e saj në skenën politike
Ndërsa, kishte edhe prej atyre që këtë koalicion e vlerësuan si një nga ofertat më të mira për qytetarët e vendit, gjatë zgjedhjeve të parakohshme.
Haziri: Koalicioni LDK-AKR oferta më e mirë për qytetarët e Kosovës
Ndërsa, analisti politik, Nexhat Haziri, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” u shpreh se koalicioni LDK-AKR është një koalicion i natyrshëm me orientim properëndimor.
“Është koalicion i natyrshëm i dy partive politike të qendrës së diathtë, me koncept politik qytetar, të vlerave tradicionale, orientim properëndimor dhe që në fokus kanë Kosovacentrizmin”, deklaroi Haziri.
Analisti tha se ky është një koalicioni që dallon nga koalicionet e tjera, kjo pasi në strukturat e tyre të brendshme politike nuk kanë njerëz të dënuar me krime ose vepra tjera penale.
“Të dy subjektet politike kanë bazamentin e filozofisë politike rugoviane, që i karakterizon urtësia, mençuria, humanizmi dhe përgjegjësia ndaj shtetit dhe qytetarëve. Pra është një koalicion që dallon nga koalicionet e tjera garuese në këto zgjedhje, por edhe nga partitë rivale, pasi në strukturat e tyre nuk kanë njerëz të dënuar për krime e as të dyshuar për vepra të tjera inkriminuese”, theksoi Haziri.
Në fund, ai këtë koalicionin e cilësoi si ofertën më të mirë për qytetarët e vendit në zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Është një ofertë e mirë për qytetarët në zgjedhjet parakohshme të cilat priten të mbahen në fillim apo në gjysmën e muajit shkurt, që duan një Kosovë demokratike, ku sundon rendi dhe ligji, e mirëqenë për qytetarët, partnere e besueshme e SHBA-ve dhe BE-së, e integruar në strukturat euro-atalantike”, përfundoi Haziri.
Duhanaj: Pacolli e shfrytëzoi partinë për interesa karrieriste personale
Kurse, njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” deklaroi se koalicionet parazgjedhore dhe Behgjet Pacolli janë një histori në vete.
“Çështja e koalicioneve parazgjedhore dhe z. Pacolli, tashmë janë histori në veti. Duke qenë se AKR, nuk është ndonjë subjekt i etabluar politik i cili kishte me pas elektorat stabil, atyre u duhet vazhdimisht të kërkojnë partner, në mënyrë që përmes tyre të përfitojnë me ndonjë deputet, përkatësisht pjesëmarrje në ndonjë dikaster qeveritarë”, theksoi Duhanaj.
Ai përmendi edhe zgjedhjet e vitit 2007 kur AKR mori një numër të lartë të deputetëve. Mirëpo, shkaku i koncentrimit të Behgjet Pacollit në karrierën e tij personale dhe mos fokusimi i tij në interesat partiake, AKR pësoi rënie elektorale.
“Për mendimin tim, kjo rrjedhë si pasojë e zgjedhjeve në 2007 ku AKR duke e shfrytëzuar në atë kohë edhe rënien e LDK-së pas ndarjes së 2006-es, u pa si alternativë dhe mori elektorat nga LDK duke fituar numër të konsiderueshëm të deputetëve. Mirëpo çfarë ndodhi me pastaj? Z. Pacolli nuk i kushtoj rëndësi as strukturave partiake, e as elektoratit të tij, përderisa koncentrimi i tij u fokusua në karrierën e tij personale, pra duke shfrytëzuar partinë për interesa karrieriste personale”, nënvizoi analisti.
Duhanaj tha se të gjitha partitë politike e kanë kuptuar se Pacolli bëhet pjesë e pazareve politike herën me njërën parti, herë me tjetrën. Këtë veprim të Pacollit, ai e cilësoi legjitim, mirëpo nga aspekti moral dhe politik nuk është i drejtë.
“Këtë̈ qasje e kanë kuptuar tashmë edhe subjektet tjera politike dhe çdo palë zgjedhje z. Pacolli bëhet pjesë e pazareve politike herë me njërën, herë me palën tjetër duke e ditur se nuk ka bazë elektorale për me shumë.
Kjo është krejtësisht legjitime, edhe pse ndoshta nuk është shumë e drejtë nga aspekti moralo-politik, pasi që ka ndodhur që pas zgjedhjeve deputet të veshur të cilët shfrytëzojnë listat e partive të mëdha, të distancohen dhe të bëhen akter të zhvillimeve politike pa ndonjë bazë elektorale, gjë që sidomos AKR e ka bërë vazhdimisht”, deklaroi Duhanaj.
Në fund, ai koalicionin LDK-AKR e konsideron legjitim dhe me interes të ndërsjellë, duke shfrytëzuar asetet politike të njëra-tjetrës.
“Megjithatë, konsideroj që është çështje legjitime dhe se subjekti i madh, që në ketë rast është LDK dhe AKR e konsiderojnë me interes të ndërsjellë me hy në garë duke shfrytëzuar qoftë edhe minimalisht asetet e ndonjë subjekti tjetër, është interes i ndërsjellë dhe i pranueshëm”, përfundoi Duhanaj.
Qarri: Pacolli po tenton ta keqpërdor LDK-në e Ibrahim Rugovës
Gani Qarri, njohësi i çështjeve politike, në një prononcim për gazetën “Bota sot ka komentuar koalicionin e mundshëm LDK-AKR. Qarri, Pacollin e cilësoi si një nga personat më i dështuar në politikën vendore, i cili po përpiqet të kontrabandohet për një mandat të ri parlamentar duke keqpërdorur LDK-në e Ibrahim Rugovës.
“Fatkeqësisht biznesmeni dubioz dhe i dështuari më i madh politikë bashkë me ortaket e tij të superinkriminuar në vend Behgjet Pacolli, po përpiqet sërish që të kontrabandohet me të gjitha mënyrat edhe për një mandat të ri parlamentar, tanimë duke keqpërdorur LDK-në e Ibrahim Rugovës, për futjen dhe garimin e partisë së tijë inekzistente nën ombrellën e segmenteve të mëdha politike, si LDK, në zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme që me 14 shkurt të këtij viti pritet të mbahen në Kosovë”, deklaroi ai.
Qarri u shpreh i mërzitur me rënien elektorale të LDK-së së Presidentit Historik, Ibrahim Rugovës. Ai tha se pavarësisht se LDK ishte disa herë në qeveri edhe e kishte Ministrinë e Punëve të Brendshme ajo nuk guxoi asnjëherë të merrej me zbardhjen e vrasjeve të pasluftës.
“Ndaj pikësëpari dua të shpreh publikisht dhimbjen time të thellë, për rënien e madhe e drastike të rejtingut të LDK-së, së Dr. Ibrahim Rugovës, kryesia aktuale e të cilës edhe pse të paktën dy herë drejtonte qeverinë dhe dy-a tri herë, ministrinë e punëve të brendshme, nuk guxoi kurrë të merrej me sqarimin e vrasjeve të njerëzve më të ndritur të saj, për të cilat vajtonte rregullisht me shumë zë, para se të hynte në zgjedhje apo të vinte në pushtet, e cila kësaj radhe përflitet të bëjë koalicion edhe me figura të dyshimta si Behgjet Pacolli”, nënvizoi ai.
“Madje, ajo të gjithë potencialin e mbetur negativ që ende posedon, ka filluar ta përdorë për denigrimin e një femre të ngritur e inteligjente shqiptare, një nëne të shkëlqyer dhe profesoreshe të respektuar në gjithë vendin, si dr.Vjosa Osmani, ndërsa në anën tjetër, si për të mbuluar maskaradën e pandershme që ka nisur kundër ish anëtares së kryesisë së vet, kandidates për kryeministre nga po kjo parti, kryetares së Kuvendit dhe presidentes provizore të Kosovës, ka filluar të kontaktoi edhe me një rusofil të njohur si Behgjet Pacolli, sikur dëshiron që rehabilitimin e vet të shkatërruar, ta gjejë në koalicion me të”, theksoi Qarri.
Qarri beson se AKR, si një parti minore, e pavlerësuar dhe pothuajse pa identitet politike, nuk e ndihmon dhe nuk i bënë nderë aspak një subjekti politik, siç është LDK-ja.
“E megjithëse kohët e fundit po flitet me të madhe për një partneritet jo fort të lavdishmëm ndërmjet LDK-së, si parti e vjetër e të madhit dr.Ibrahim Rugova dhe AKR-së, të krijuar si antipod i saj, nga një pion i Rusisë, një parti e re e tërësisht minore dhe pothuajse fare pa identitet, e pavlerësuar nga askush me pozitivitet në vend, besojë se kjo jo vetëm që nuk e ndihmon por as nuk i bënë nderë aspak LDK-së, përveç ngushëllimit, që mund të kenë gjetur Isa Mustafa e Ismet Beqiri se me pjesën e dalë jashtë përdorimit të udhëheqjes komunale nga AKR, pas dështimit të qeverisë qendrore, mund ta fitojnë garën komunale dhe në pamundësi për të qeverisur më Kosovën, ta qeverisin të paktën bashkërisht Prishtinën si kryeqytet”, u shpreh ai.
Tutje, njohësi i çështjeve politike e konsideroi fat të mirë faktin që LDK nuk ka arritur marrëveshje për koalicion me AKR-në, duke shpresuar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
“Për aq më tepër, AKR, kohëve të fundit ka rënie të atillë drastike, sa që, qysh nga zgjedhjet e fundit, gati as nuk është përmendur më, se ekzistonte si parti dhe segment politik, por përkundër faktit se ende nuk është shprehur dakordimi nga të dy palët, sipas AKR-s, ekziston vullneti i dyanshëm që pas plotësimit të procedurave paraprake, shumë shpejtë ta kemi edhe zyrtarizmin e koalicionit LDK-AKR, gjë që ende për fat të mirë nuk është konfirmuar edhe nga LDK”, u shpreh Qarri.
Në fund, ai tha se nëse me të vërtet ndodhë ky koalicion, atëherë dëshmohet edhe më tepër shkërmoqja që ka pësuar Lidhja Demokratike e Kosovës si brenda, ashtu edhe jashtë partisë. Ai tha se koalicioni me AKR-në është plotësisht i kotë dhe nuk mund të i sjellë fare votuese në zgjedhjet e parakohshme.
“E nëse megjithatë kjo vërtetë ndodhë, dëshmon edhe një herë më tepër shkërmoqjen e vërtetë nga brenda dhe jashtë,që ka pësuar dhe po pëson në vijimësi LDK, e cila pas dëbimit të Vjosa Osmanit e Haxhi Avdylit që ishte edhe ish kryetar dege në Prizren si njëri nga qytetet me potencialin më të madh të votuesve, koalicioni me AKR-në, pothuajse është tërësisht i kotë dhe nuk mund të ketë as çerekun e votuesve të një dege, bie fjala të qyteteve të mëdha, si Ferizaj, Mitrovica apo Prizreni, prej të cilave kanë filluar të ikin përfaqësues të rëndësishëm asambleve komunale bashkë me votuesit potencial nga këto komuna të Kosovës, e mos ta përmendim dr.Vjosa Osmanin e cila mbizotëronte me numrin e votave në gjithë LDK-në, dhe u afrohej votave të fituara nga e gjithë partia bashkë, dëm që LDK, edhe për një kohë të gjatë, nuk do të mund ta kompenzojë më”, përfundoi Qarri.