Luftëtari i ditëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dan Limaj, ka dal hapur në përkrahje të kandidatit për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.
Limaj në një prononcim ekskluziv dhënë gazetës “Bota sot”, ka deklaruar se kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka merita të mëdha në përmirësimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, andaj, sipas tij, kandidati i LDK-së meriton përkrahje në këto zgjedhje.
“Është e domosdoshme që kësaj here me luftu të keqën në Kosovë. E keqja në Kosovë është Lëvizja Vetëvendosje, me bindjen dhe njohurit e mija. Si parësore, neve na duhet një kryeministër normal, sikurse çdo shtet tjetër evropian. Përmirësimi i raporteve nga ana e kryeministrit Avdullah Hoti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i prishën dy kryeministrat e kaluar, më ka shtyrë ta përkrah kandidatin e LDK-së për kryeministër”, shprehet Limaj.
Kurse, i pyetur për sondazhet e fundit, të cilat e radhisin si të parën Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit si të parën, ndërsa LDK-në e Isa Mustafës si të tretën, ish-komandanti i UÇK-së tregon se të tilla sondazhe kishte edhe pas përfundimit të luftës, por atë botë LDK-ja e presidentit Rugova fitonte bindshëm zgjedhjet.
“Të njëjtat sondazhe ka qenë edhe në vitet 1999 dhe 2000, që thonin se Lidhja Demokratike e Kosovës, mirëpo, përkundrazi, LDK-ja e mori pushtetin. Unë e shoh Lidhjen Demokratike të Kosovës si fituese të këtyre zgjedhjeve”, deklaron ai.
Krejt në fund, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thekson se e sheh një Ibrahim Rugova të ri, Avdullah Hotin e LDK-së.
“Takimi i Avdullah Hotit me presidentin francez, Emmanuel Macron, duhet vlerësuar pasi një gjë të tillë nuk arriti ta bënte as Hashim Thaçi dhe kryeministrat tjerë. Po ashtu, harominizimi i raporteve me Brukselin, këto gjera na duhen si Kosovë. E shoh një Ibrahim Rugovë të ri te kryeministri Avdullah Hoti”, tha në fund luftëtari i ditëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-komandanti Dan Limaj.
Kujtojmë se Limaj ka qenë mbështetës besnik i Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, edhe si ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai përkrahjen për kryeministrin në detyrë e ka bërë të ditur edhe përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Si i ri në moshë ishte nder dhe krenari që isha krah për krah me ikonën dhe artikuluesin e rrugës së Pavarësisë së Kosovës, Presidentin Rugova. Pastaj në mbrojtje të pragut të shtëpisë e në ndjekje të rrugës së trasuar nga komandanti legjendar Adem Jashari, për të vazhduar në vitin 2000 në luftën e Preshevës me komandant Leshin e për t’i dhënë një përmbyllje betejave shqiptare me luftën e Maqedonisë së bashku me Ali Ahmetin. Kohët ecin, por çlirimtarët nuk ndryshojnë. Ata gjithmonë gjenden në rrugën e duhur. Në rrugën që siguron lirin e këtij vendi. Në rrugën që qon këtë vend drejtë integrimeve në mesin e popujve perëndimor, aty ku edhe e ka vendin. Andaj, në këto rrethana jo të lehta që po kalon vendi im përsëri ndihem krenar të jem i radhitur në anën e duhur. Në anën e intelektualëve që i janë përkushtuar vazhdimit të rrugës se duhur drejt integrimeve në NATO dhe BE. Përpara z. Avdullah Hoti”, ka shkruar Limaj.