Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha të martën se është i inkurajuar nga emërimet e reja në administratën e ardhshme amerikane, ndërsa hodhi dyshime për zbatimin e dakordimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator të vitit 2020.
Në një video debat me ambasadoren gjermane në Uashington, Emily Haber, lidhur me bashkëpunimin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës me Ballkanin Perëndimor, ai tha se “administrata e re po emëron njerëz që e njohin Ballkanin Perëndimor, që ndjejnë përgjegjësi për rajonin. Ata që tashmë janë emëruar, nuk kanë nevojë që të marrin leksione për rajonin. Është administratë e re, por që po emëron njerëz të dëshmuar si partner të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, tha zoti Lajçak.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/January/13/auto_ErjMs3ZXMAQOBmf1610500792.jpg)
Ai tha se nuk pati një bashkërendim midis Brukselit dhe Uashingtonit vitin e kaluar kur edhe u arrit marrëveshja ekonomike Kosovë – Serbi në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump.
“Pikë së pari nuk ishte një marrëveshje sepse nuk përmbushë kriteret për të qenë e tillë. Janë dy deklarata të nënshkruara ndarazi nga përfaqësuesit e Beogradit dhe të Prishtinës. Pra nuk janë ligjërisht të detyrueshme. Së dyti, nuk ka një mekanizëm zbatues, nuk ka afate dhe e tëra varet nga vullneti i mirë i të dyja palëve”, tha ai, duke nënvizuar se nuk mund të ketë normalizim ekonomik pa normalizimin politik të marrëdhënieve ndërmjet palëve.
“Nuk mund të zhvilloni tregun dhe të nxisni investime nëse keni çështje të hapura për kufijtë, nëse problemin e dokumenteve, nëse keni problem të kaloni kufijtë etj. Pra normalizimi politik krijon hapësirën për normalizim ekonomik”, tha zoti Lajçak.
Ai me herët të martën shkroi në rrjetet sociale se është takuar me ndihmës sekretarin amerikan të shtetit Philip Reeker dhe gjatë takimit është “konfirmuar bashkëpunimi i ripërtërirë ndërmjet BE-së dhe Shteteve të Bashkuara ne Ballkanin Perëndimor. Ne biseduam për situatën në rajon dhe aktivitet e ardhshme”, shkroi ai.
Ai tha se vazhdimi i bisedimeve nuk mund të ndodhë pa përfundimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë të caktuara për 14 shkurt.
"Nuk është koha për të organizuar një takim të ri. Ne kemi nevojë për një qeveri të re me një mandat të fortë që do të vazhdojë procesin e bisedimeve”, tha ai.
Të filluara 10 vjet më parë bisedimet Kosovë-Serbi më ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, qenë ndërprerë në nëntor të vitit 2018 për të vazhduar në korrik të vitit 2020. Por, rifillimi i tyre nuk shënoi ndonjë zhvillim të rëndësishëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet palëve.
Normalizimi i marrëdhënieve është kusht për proceset integruese të të dyja palëve. Por, ndërsa Serbia ka hapur që në vitin 2014 procesin e negociatave për anëtarësim, Kosova është madje vendi i vetëm në Evropën Juglindore që nuk është përfshirë në regjimin e udhëtimit pa viza.
“BE-ja duhet ta mbajë premtimin ndaj Kosovës duke i liberalizuar vizat”, tha të martën në Bruksel zonja Osmani.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/January/13/auto_138222363_1906986662796922_1939078945633122930_o1610500812.jpg)
![Image](/media/botasot.info/images/2021/January/13/auto_Erj6b3bXMAoG6CK1610501312.jpg)