Të enjten, në hollin e Kuvendit të Kosovës, në një konferencë për media u zyrtarizua marrëveshja ndërmjet kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Vjosa Osmanit.
Sipas kësaj marrëveshje Vetëvendosje dhe Iniciativa Qytetare do të garojnë në një listë të përbashkët në zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Pjesë e kësaj, marrëveshje është edhe posti i presidentit dhe kryeministrit. Gjatë konferencës për media, u bë publike kandidatura e Osmanit për presidente të vendit.
Sipas ekspertëve është pritur kjo marrëveshje ndërmjet Kurtit dhe Osmanit, kjo për shkaka të qëndrimeve të përafërta politike. Po sa i përket, kandidaturës së Osmanit për presidente shprehen se është vështirë e realizueshme.
Marrëveshja e pritur
![Image](/media/botasot.info/images/2021/January/16/auto_auto_auto_auto_auto_hidajet14853281101526152544153944016215470638951610797927.jpg)
Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se është pritur një marrëveshje në mes Kurtit dhe Osmanit për shkaka të përputhshmërisë së qëndrimeve politike ndërmjet tyre.
“Marrëveshja parimore në mes zotit Kurtit dhe zonjës Osmani ka qenë e pritur, pasi ka një kohë të gjatë qëndrimet e tyre politike për shumë çështje janë përputhur. Gjykoj se ky bashkëpunim është mirëpritur nga qytetarët dhe nuk ka dyshim se do të sjellë rezultate të mira elektorale”, ka thënë ai.
Më tej, Ahmeti ka shtuar se nga bashkëpunimi i Kurtit dhe Osmanit janë tronditur estabilishmenti i vjetër politik, ndërkaq ka theksuar se është krijuar një momentum i ri politik.
“Ky bashkëpunim parazgjedhor ka tronditur estabilishmentin e vjetër politik, të cilët kanë qeverisur që nga mbas lufta, dhe me njëfarë mënyrë ka shterur debatin e mirëfilltë elektoral, pasi pjesa më e madhe e votuesve do të hedhin votën për ndëshkim të subjekteve politike që kanë qeverisur, e të cilët nuk janë as pak të interesuar të dëgjojnë retorikën pulitke të cilat janë mësuar t’i dëgjojnë në vazhdimësi. Nga ky bashkëpunim është krijuar një momentum i ri politik, ku subjekti fitues po dihet, por potencialisht është një luftë politike që subjekti fitues të marrë shumicën e thjeshtë në Parlamentin e Kosovës. Një realitet i tillë potencialisht do ta prodhonte një qeveri stabile në kuptimin e qëndrueshmërisë dhe funksionimit normal duke mos krijuar varësi nga dora e zgjatur e Beogradit”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.
Gjithashtu, Ahmeti ka komentuar edhe kandidimin e Osmanit për presidente, ku potencon se
“Thuhet që brenda marrëveshjes së parime se zonja Osmani është pretendonte për rilegjitimimin e pozitës së saj si presidente. Mbi këtë bazë mendoj se kandidimi në këtë mënyrë më shumë është kandidim politik, pasi dihen procedurat kushtetuese e ligjore për ta zgjedhur presidentin. Nga kjo ofertë politike është një përparësi, pasi qytetarët janë të vetëdijshëm të vlerësoj aspektin moral, profesional e politik të zonjës Osmani jo në mënyrën se si ka vepruar deri tani që presidenti të zgjidhet përmes pazareve politike e pa u verifikuar fare përkrahja në popull”, ka thënë Ahmeti për “Bota sot”.
Marrëveshja Kurti-Osmani e parealizueshme
Ndërkaq, Islam Krasniqi, njohësi i çështjeve politike në vend, është shprehur se marrëveshja e nënshkruar nga Kurti dhe Osmani nuk është parealizueshme, pas nuk mund të arrihet kuorumi për zgjedhjen e Presidentit.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/January/16/auto_auto_islam15577340231610797998.jpg)
“Marrëveshja e nënshkruar në mes të liderit të VV-së, Kurti dhe Osmani është e parealizueshme, pasi që nuk mund të arrihet kuorumi për zgjedhjen e Presidentit kur i dimë matematikat së si funksionojnë në kuvend. Për të qenë e realizueshme kjo matematik duhet VV-ja t'i fitojë mbi 60% të votave, e që s'do të ketë nevojë për lirimin e opozitës”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Gjithashtu, Krasniqi ka paralajmëruar se mund të ketë sërish bllokadë politike për postin e presidentit.
“Pas zgjedhjeve do të ketë një bllokadë lidhur me postin e Presidentit dhe për t'i pajtuar të tjerët VV-a do t'a propozoj Murat Jasharin si kandidat potencial për president i cili pa dyshim është apo mund të jetë unifikues i popullit, gjersa për të pajtuar Osmani mund t'i ofroj ndonjë post Ministror në të kundërtën vendi përsëri mund të shkojë në zgjedhje, për t'i ndryshuar matematikat brenda politikës duke e shkatërruar edhe opozitën!”, ka deklaruar Krasniqi për “Bota sot”.
Marrëveshja e shpresës
Ndërkaq, profesori Sulejman Mehazi ka potencuar se bashkëpunim i Kurtit e Vjosës ju jep shpresa të mëdha Republikës së Kosovës.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/January/16/auto_0-6701610798024.jpg)
“Marrëveshja e nënshkruar e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për të garuar me një listë të përbashkët gjatë zgjedhje që do mbahen më 14 shkurt është një lajm shumë i gëzuar e shpresëdhënës, se, më në fund, pas një politike katastrofike njëzetvjeçare do vijë një frymë e politikanëve të rinj me pastërti morale, intelektuale, politike e shtetërore. Ky bashkëpunim i Kurtit e Vjosës jo vetëm që ka gëzuar shumicën e qytetarëve të Kosovës, por ju jep shpresa të mëdha se më në fund Republika e Kosovës ka gjetur njerëzit e duhur në kohë të duhur për të udhëhequr denjësisht Kosovën drejt prosperitetit të shteteve evropiane e me standarde të brendshme social, ekonomi, politikë, juridike për gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Më tej, Mehazi shprehet se qytetarët e Kosovës e kanë të qartë se kë duhet të votojnë ne zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.
“Bashkëpunimi i dy forcave politike të pa korruptuara të LVV-së e "Guxo" është dhurata më e madhe votuese e datës së 14 shkurtit në Kosovë, tani më votuesit e kanë të qartë se në cilën anë të votojnë, në anën e së keqes politike njëzetvjeçare, apo në anën e së mirës politike shpresëdhënëse të Albin Kurtit e Vjosa Osmanit. Këtë luks politikë të ndryshimeve rrënjësore politike të 14 shkurtit e kanë në dorë qytetarët e Kosovës, ata ose do ta përkrahin të keqen njëzetvjeçare politike, ose do përkrahin luksin e ri jetësor politik e social të kryeministrit të ardhshëm Albin Kurtit dhe të kryetares së ardhshme të Kosovës Vjosa Osmanit. Me fitoren e thellë të LVV-së e "Guxo" Kosova do shkëputej e do shpëtonte prej zhvatësve të shtetit, po edhe do zgjidheshin shumë dilema dialoguese me Serbinë”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai ka folur edhe për kandidimin e Osmanit si presidente.
“Problemi nuk është se a do bëhet presidente Vjosa Osmani, po kyçi apo çelësi i rrugës politikë është te qytetarët se sa më shumë të votojnë LVV-në aq më shumë janë shanset e Vjosa Osmanit për t'u bërë presidente e Republikës së Kosovës.
Pra, nëse qytetarët duan lukse politike, sociale e jetësore ja ku janë, Albin Kurti me Vjosa Osmanin”, ka përfunduar Mehazi për “Bota sot”.