Ditë më parë, Enver Hoxhaj, kandidat i PDK-së për kryeministër, shprehi gatishmërinë për debate televizive me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti, kërkesë kjo e cila është refuzuar nga Kurti.
“Kjo garë është për vendin e dytë në zgjedhjet e 14 shkurtit. E në atë garë, as unë as zonja Presidente, as s’kemi çfarë bëjmë as s’kemi çfarë kërkojmë”, ka qënë kjo përgjigja e kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti, ndaj ftesës së hapur të kreut të PDK-së Enver Hoxhaj për të zhvilluar disa debate televizive.
Profesori Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” ka folur lidhur kërkesat e Hoxhajt për debatin me Kurtin.
Mehazi është shprehur se sikurse PDK-ja, ashtu edhe partitë tjera politike nw vend mendojnë se do të dalin fituese të zgjedhjeve të 14 shkurtit, mirëpo sipas tij, realiteti është ndryshe.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/January/19/auto_0-6701611093275.jpg)
“Jo vetëm Enver Hoxhaj me partinë e vet të PDK-së mendojnë se do fitojnë, po edhe çdo lider partiak mendon, hiç më pak se i pari i PDK-së Hoxhaj. S’ka parti politike që gjatë fushatës zgjedhore nuk mendojnë sikurse PDK-ja. Secila parti politike gjatë fushatës zgjedhore shprehë dëshirat e veta fitimtare, edhe Fatmir Limaj me partinë e tij të vogël NISMA e sheh veten favorit e fitimtar”, shprehet Mehazi.
Sipas Mehazit, kërkesat e Hoxhajt për debat me Kurtin janë vetëm për të promovuar PDK-në për këto zgjedhje, ndërsa mendon se kandidati i PDK-së është inferior ndaj kandidatit të VV-së.
“Gjatë zgjedhjeve parlamentare nuk ka parti që nuk lavdërohet e nuk favorizon veten. Prandaj, sa ka të drejtë Enver Hoxhaj ta favorizojë veten, aq kanë të drejtë edhe Albin Kurti, Isa Mustafa e Haradinaj. Më qesharake është, se zotëri Enver Hoxhaj nga pamundësia për ta promovuar veten kërkon debat televiziv me më të fuqishmin e këtyre zgjedhjeve Albin Kurtin. Hoxhaj aq është inferior ndaj Albin Kurtit sa që për t’u rritur vet kërkon duel politik me liderin e LVV-së Albin Kurtin, i cili marrëveshjen e tij politike parazgjedhore e bën me qytetarët e jo Hoxhajn, Isën e Haradinaj”, ka deklaruar ai.
Ai madje konsideron se vet kjo kërkesë është dorëzim para Albin Kurtit dhe partisë së tij.
“Vet kërkesa e debatit me Kurtin tregon dorëzimin e PDK-së para LVV-së. Jo një, po edhe dhjetë debate të kishte Hoxhaj me Kurtin do dështonte, për shkak se rrjedha e partisë së tij vjen nga burimet e pa pastërta qeveritare njëzetvjeçare të Hashim Thaçit e Kadri Veselit, përkundër rrjedhës së pastër opozitare popullore të LVV-së. Debati i Kurtit me Hoxhajn do ishte i pavlerë, i pa dobishëm, humbje kohe, debat i filmave vizatimor. Debati i vërtet i Hoxhajt me Kurtit do jetë fitorja e madhe e LVV-së më 14 shkurt 2021”, tha në fund, opinionisti e profesori Sulejman Mehazi, për gazetën “Bota sot”.