47 kandidatë për deputetë nga të gjitha partitë janë persona që kanë pasur probleme me ligjin.
E për këta, është vendosur që të largohen nga listat zgjedhore.
Në mesin e tyre është edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Pas kësaj ka pasur reagime të shumta pro dhe kundër këtij vendimi.
Lidhur me këtë çështje, për gazetën “Bota sot” ka folur drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj.
Ai ka thënë se nuk janë pajtuar me interpretimin që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë nenit 45 të Kushtetutës, pasi konsiderohet kufizim i të drejtave kushtetuese lidhur me të drejtën për tu zgjidhur.
“IKD nuk ishte pajtuar me interpretimin që Gjykata Kushtetuese i kishte dhënë nenit 45 të Kushtetutës, duke e konsideruar si kufizim te të drejtave kushtetuese lidhur me të drejtën për tu zgjedhur. Këtë vendim e kemi parë në kundërshtim me frymën dhe qëllimin që ligjvënësi e ka paraparë në nenin 45 të Kushtetutës”, është shprehur ai.
Por edhe përkundër mospajtimeve me këtë vendim, sipas Miftarajt, secila parti, institucion dhe kandidat e ka për obligim të respektojë një vendim të tillë.
“Në anën tjetër, edhe përkundër mos pajtimeve me këtë vendim të GJK, secila parti politike, institucion dhe kandidat e ka për obligim të respektojë një vendim të tillë, duke respektuar hierarkinë institucionale dhe vendimet e institucioneve kushtetuese”, ka deklaruar Ehat Miftaraj për “Bota sot”.