Sot u zyrtarizua njohja e Kosovës nga Izraeli.
Formalizimi i kësaj marrëveshjeje historike u bë në mënyrë virtuale. Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit, është arritur më 4 shtator të vitit të kaluar në Uashington.
Analisti politik, Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se, kjo njohje përveç që është e rëndësishme për Kosovën, do jetë nxitje edhe ndaj shteteve tjera që nuk e kanë njohur Kosovën.
“Zyrtarizimi i njohjes së Kosovës nga Izraili është ngjarje shumë e rëndësishme për Republikën e Kosovës që ndërkombëtarisht do i jep forcë e respekt superioriteti shtetit të Kosovës, do jetë nxitje edhe ndaj shteteve tjera që nuk e kanë njohur Kosovën. Njohja e Izraelit ka zemëruar armiqtë në krye me Serbinë e cila mundohet me çfarë do lloje mënyrash diplomatike të pengojë njohjen e Kosovës nga shtetet tjera”, ka thënë Mehazi.
Sipas tij, marrëdhëniet diplomatike të Kosovës me Izraelin i japin energji të fuqishme ndërkombëtare, stabilitet e autoritet botëror në rrafshe diplomatike e ekonomike.
“Zyrtarizimi i njohjes së Kosovës nga Izraeli është më i vlefshëm se sa mosnjohja e pesëdhjetë shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, marrëdhëniet diplomatike të Kosovës me Izraelin i japin energji të fuqishme ndërkombëtare, stabilitet e autoritet botëror në rrafshe diplomatike e ekonomike. Njohja e Izraelit ka forcuar e hekurosur fuqishëm pavarësinë e Kosovës që së bashku me SHBA-në do jenë bartëse të proceseve gjeostrategjike, politike, ekonomike e të sigurisë në Ballkan”, shprehet tutje Mehazi.
Ai mendon se, Izraeli do jetë më shumë ndikues ndaj Spanjës, Sllovakisë e Rumanisë për ta njohur Kosovën sesa ndikimet serbe për mosnjohjen e Kosovës.
“Marrëdhëniet diplomatike Kosovë-Izrael kanë zbehur edhe katër shtetet evropiane që se njohin pavarësinë e Kosovës, besojmë se tani e tutje Izraeli do jetë më shumë ndikuese ndaj Spanjës, Sllovakisë e Rumanisë për ta njohur Kosovën sesa ndikimet serbe për mosnjohjen e Kosovës. Tani më Kosova ka vulosur pavarësinë e saj me njohjen e Izraelit. Kosova përveç shtyllës së parë të pavarësisë, SHBA-në, ka shtuar edhe shtyllën e dytë të pavarësisë, Izraelin. Kujdes, se ai që ngucë Kosovën ka ngucur SHBA-në e Izraelin. Urime e suksese njohja e Kosovës nga Izraeli i fuqishëm”, përfundon Mehazi për “Bota sot”