Kundërshtohet ideja për propozimin e Vasfije Krasniqit presidente

Politika

Kundërshtohet ideja për propozimin e Vasfije Krasniqit presidente

Arife Morina Nga Arife Morina Më 4 shkurt 2021 Në ora: 17:48
Vasfije Krasniqi

Posti i Presidentit të Kosovës, po del të jetë një nga postet më të ndërlikuar dhe më të dashura për politikanët e Kosovës. Kjo pasi me afrimin e kohës kur duhet të propozohet dhe zgjidhet presidenti i vendit, po shtohen edhe kandidatë të tjerë të cilët po e synojnë këtë post.

Pas Ramush Haradinajt dhe Vjosa Osmanit të cilët kohë më parë i kanë zyrtarizuar kandidimet e tyre për president, doli Behgjet Pacolli i cili ditë më parë bëri të ditur kandidimin për post të presidentit.

Mirëpo, krahas këtyre tre emrave për president, është përmendur dhe propozuar edhe Vasfije Krasniqi-Goodman. Emrin e kësaj të fundit e përmendën analistët politik, Bleron Baraliu dhe Rron Gjonvoci. Ku sipas tyre, Krasniqi-Goodman është personi më i duhur për postin e presidentit.

Analisti politik në SHBA, Bleron Baraliu, ditë më parë ka deklaruar se nuk do të çuditej nëse kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi-Goodman, do të kandidohej për presidente në nomenklaturën e radhës.

“Nuk besoj që zgjedhja e saj Vetëvendosje ka qenë për arsye morale, por pavarësisht se çka, është e drejtë e saj. Nuk do të befasohesha aspak nëse Vasfija do kishte qenë kandidate për presidente pas zgjedhjeve”, deklaroi Baraliu.

Gjithashtu edhe aktivisti Rron Gjinovci propozoi Vasfije Krasniqin për presidente të ardhshme të Kosovës. Ai u shpreh se në këtë mënyrë e gjithë bota do e kuptonte realitetin e luftës në Kosovë.

Madje sipas Gjinovcit po të ndodhte një gjë e tillë, do të mund ta shihnim edhe përballjen e Vasfije Krasniqit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në takimin e Presidentëve të Ballkanit Perëndimor duke ja kujtuar këtij të fundit krimet e ushtrisë serbe në Kosovë.

Mirëpo, analistët politikë nuk e mbështetën kandidimin e Vasfije Krasniqit – Goodman për president. Kjo për faktin se Vasfijes, sipas tyre i duhet një ambientim dhe përvojë më politikën në Kosovë. Ata propozuan që fillimisht ajo ta fitojë mandatin për deputete, pastaj pas një periudhe të caktuar të propozohet dhe pse jo të zgjidhet presidente e vendit.

Bekteshi: Nëse nuk zgjidhet një femër për presidente mos u befasoni nëse sërish vjen zarfi nga ‘Dragodani’

Image
Ramazan Bekteshi

Veprimtari nga Amerika dhe njohësi i çështjeve politike, Ramazan Bekteshi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar kandidimin për deputete të Vasfije Krasniqi-Goodman dhe mundësinë e saj për të marrë postin e presidentes së vendit.

Bekteshi shpreson që Krasniqi-Goodman si viktimë e dhunës nga forcat serbe mund të zgjidhet deputete dhe të ketë një shans të ri, që tragjedinë dhe kauzën e saj ta çoj përpara, fajtorët të dënohen, së bashku me Serbinë si shtet që kreu gjenocid në Kosove.

“Më gjithë kurajën e saj, me gjithë aktivitetin e saj ndërkombëtar, lobimin për gratë e dhunuara, dhe mundi i saj për zbardhjen e një tragjedie ndër më të tmerrshmet që nga Lufta e II-të Botërore, dhunimin e rreth 20.000 femrave në Kosovë nga policia dhe forcat paramilitare serbe, Vasfija vetë, si një viktimë e luftës që në moshën 16 vjeçare, tani shpresoj të zgjidhet si një parlamentare e re dhe të ketë një shans të ri, që kësaj tragjedie kolektive që politikanët tanë, UNMIK-u dhe EULEX-i e injoruan keq, ti japi një mundësi shtesë që ketë kob të heshtur ta ngrit në një nivel të ri në instancat ndërkombëtare. Si një parlamentare aktive, në një komision parlamentar adekuat ajo do të kishte një rast real që ketë kauzë tragjike ta çoj përpara, fajtorët të dënohen, së bashku me Serbinë si shtet që kreu gjenocid në Kosovë”, deklaroi Bekteshi.

Ndërsa, sa i përket kandidimit të saj si president e vendit, ai u shpreh se do të ishte një kandidatë e qëlluar, mirëpo nëse Vasfija nuk e ka shkollimin dhe përvojën adekuate, ajo do të i bënte vendit më shumë dëm, sesa dobi.

“Vasfije Krasniqi-Goodman do të ishte një kandidate e qëlluar për presidente, si një viktime tragjike e luftës përball një presidenti kriminel serb që ishte pjesë e kësaj makinerie famëkeqe, por nëse Vasfija nuk ka shkollim adekuat, nëse, Vasfija nuk ka përvojë në menaxhimin e punëve shoqërore e situatave serioze, ajo do ti bënte më shumë dëm se sa dobi edhe Kosovës edhe kauzës së saj”, tha Bekteshi.

Bekteshi bëri apel që postin e presidentit të vendit ta marrë një person profesionistë dhe me një përvojë të mëhershme. Sipas tij, këtë post nuk mund ta marrë një person vetëm se ka qenë në luftë, as me tituj e shkollim të marrë paslufte.

“Për President shteti duhet të zgjidhen njerëzit më profesionist e më të dijshëm që ka Kosova dhe me një përvojë paraprake. Timonin e shtetit s’duhet ta marri dikush vetëm se ka qenë në luftë, as me shkollim e tituj të marrë paslufte me shpejtësi, as personi pa përvojë qoftë edhe me PhD nga një universitet prestigjioz, as ai apo ajo vetëm pse është djalë, vajzë, vëlla, i afërte i një familje të njohur, por që nuk ka asnjë përvojë paraprake në punë shtetërore e menaxheriale, organizative etj. Pra, kurrsesi nuk bënë që presidenca të jetë puna e parë serioze e një kandidati presidencial”, theksoi veprimtari.

Sipas Bekteshit, zgjedhja e presidentit të vendit duhet të bëhet nga populli përmes votës, pasi propozimi i presidentit nga subjektet politike ka qenë një mollë sherri dhe bllokadë politike për shtetin e Kosovës.

“Zgjedhja e presidentit do të duhej të bëhej me votë popullore sepse, e para, zgjedhja apo propozimi i Presidentit nga partitë ka qenë një praktike e keqe dhe një molle sherri, dhe një bllokadë politike për shtetin dhe, e dyta, sepse meshkujt që kanë qenë në pozita shtetërore s’kanë ndërmarr asnjë hap serioz për dhunimet dhe gjenocidin, andaj dhe s’është dënuar asnjë nga dhunuesit, e treta, sepse politikanët heshtën, e heshtja s’është asgjë tjetër por aprovim”, nënvizoi analisti.

Në fund, Bekteshi propozoi disa emra të grave dhe çikave të Kosovës për presidente para Vasijes, ato janë Vjosa Osmani, Donika Gërvalla, Dua Lipa, Albulena Haxhiu, Mimoza Kusari-Lila, Kimete Berisha, etj.

Madje veprimtari paralajmëroi se nëse nuk zgjidhet një femër president, mos u befasoni nëse ju vjen zarfi nga ‘Dragodani’.

“Duke i pasur parasysh të gjitha këto dështime para se të propozohej një mashkull për president, unë do të propozoja disa femra që to ti renditja para Vasfijes, emra të çikave/grave të Kosovës, gjithnjë sipas meje, që do të bënin një pune më me dinjitet se burrat e kapur dhe konfliktuoz, e ato janë: Vjosa Osmani, Donika Gërvalla, Dua Lipa, Albulena Haxhiu, Mimoza Kusari-Lila, Kimete Berisha dhe të tjera, dhe, nëse nuk zgjidhet një femër për presidente mos u befasoni nëse sërish vjen zarfi nga Dragodani”, përfundoi Bekteshi.

Mehazi: Vasfije Krasniqi më shumë do ishte e vlefshme si deputete sesa si presidente e Kosovës

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot”, ka folur për kandidatët për postin e presidentit dhe mundësinë që këtë post ta marrë Vasfije Krasniqi-Goodman.

Mehazi tha se sa më shumë që po afrohen ditët për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, aq më shumë po dalin kandidatë për këtë post.

“Sa më shumë që afrohen ditët për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës që udhëhiqet përkohësisht nga znj. Vjosa Osmani, aq më shumë do dalin kandidatë për këtë post më të lartë shtetëror. Pas Haradinajt, Osmanit e Bekim Jasharit ja në kohën e fundit nëpër media përfolet edhe për kandidaten për deputete të LVV-së, Vasfije Krasniqin Goodman, si presidente e ardhshme e Kosovës”, deklaroi Mehazi.

Profesor tha se derisa të zgjidhet presidenti i ri i Kosovës do të vazhdojnë të ketë spekulime për kandidatin e këtij posti. Mehazi u shpreh se as Vasfije Krasniqi nuk do të pranonte të bëhej president para Vjosa Osmanit.

“Derisa të zgjidhet presidenti i ri i Kosovës, normale se mediat do propagandojnë "spektakle presidenciale" që më shumë e kanë kuptimin e të pavërtetave e spekulimeve mediatik sesa të propozimeve partiake.

Dhe vet Vasfije Krasniqi nuk do pajtohej të bëhej presidente para Vjosa Osmanit, këtë luks të Krasniqit nuk do ia lejonte edhe Haradinaj, i cili, me këmbëngulje lufton të hyp në fronin e Republikës së Kosovës”, nënvizoi Mehazi.

Sipas profesorit, Krasniqit-Goodman i mjafton të bëhet deputete, e cila me dëshmitë e saja do ta dridhte parlamentin e Kosovës për krimet serbe ndaj saj dhe qytetarëve të Kosovës.

“Vasfije Krasniqin mjafton të bëhet deputete, e cila, me dëshmitë e saja të gjalla të dridh parlamentin e Kosovës për krimet serbe ndaj Vasfijes, familjes dhe qytetarëve të Kosovës.

Vasfije Krasniqi më shumë do ishte e vlefshme si deputete sesa si presidente e Kosovës”, përfundoi Mehazi.

Qarri: Vasfija duhet të ambientohet me politikën vendore dhe të krijojë përvojën fillestare me angazhimin politik në Kosovë

Image
Gani Qarri

Kurse, analisti politik, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka kujtuar vuajtjet dhe dhimbjet e Vasifje Krasniqit gjatë luftës së fundit në Kosovë. Madje ai përmendi edhe seancën në të cilën Krasniqi-Goodman mori pjesë duke e shpalosur përvojën dhe vuajtjet e saja të shkaktuara nga forcat serbe.

“Vasfije Krasniqi Goodman, është njëra prej viktimave më të njohura, të mbijetuara të luftës, e cila, siç do të shprehej at Zef Pëllumbi, duket të ketë mbijetuar, vetëm për të treguar tmerrin e përjetuar të saj dhe të mbi 20 mijë femrave tjera të përdhunuara edhe të moshës minore, deri në ato shtatëvjeçare nga kriminelët serb, tmerr të cilin ajo, për herë të parë mundi ta shpjegonte publikisht, jo në atdheun e saj, por vetëm përtej Atlantikut, në seancën e fund prillit të vitit 2019,me temën: ”Viktimat e luftës në Kosovë”, të mbajtur në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shpjegoi Qarri.

Ndërsa, duke u bazuar në këto më lartë, Qarri tha se zgjidhja e Vasfijes si president e vendit do të i bënte nderë të gjithë Kosovës.

Ndaj zgjedhja e një femre si Vasfija për presidente të shtetit tonë të ri, do ti bënte nderë të veçantë gjithë Kosovës, e sidomos kur bëhet fjalë, për një viktimë të pambrojtur, e të keqtrajtuar si në kohë Holokausti, në mënyrën më çnjerëzore, në moshën e saj ende minore nga kriminelët okupator serb, gjë që do ta nderonte shumë jo vetëm vet Vasfijen si person por edhe mbi 20 mijë simotra të saj dhe tonat, me përjetime të njëjta tmerri si në kohën e gjenocidit nazist në kampet e përqendrimit, të cilat ende kujtohen me dhembje nga e gjithë bota”, deklaroi analisti.

Mirëpo, Qarri tha se duke u bazuar në stigmatizimet në vijimësi që u bëhen asaj dhe bashkë mbijetuesve të Vasfijjës, zgjidhja më e mirë njëherë do të ishte që ajo në zgjedhjet e 14 shkurtit, të i marrë votat e mjaftueshme për deputete.

“Por duke parë stigmatizimin në vijimësi, që ende u bëhet asaj dhe bashkëmbijetuesve të Vasfijes nga politika e inkriminuar dhe shoqëria patriarkale kosovare, gjatë gjithë kohës së pasluftës, zgjidhja më e mirë aktuale për Vasfijen,si aktiviste dhe mbrojtëse e të drejtave të njeriut dhe padrejtësive tjera që në vijimësi i janë bërë dhe vijojnë ti bëhen popullit shqiptarë, do të ishte që ajo në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të fitojë votat e mjaftueshme për deputete të Kuvendit të Kosovës”, nënvizoi Qarri.

Në vazhdim, analisti përmendi faktin që Krasniqi-Goodman ka jetuar në Amerike dhe se fillimisht ajo duhet të ambientohet me politikën vendore, ndërsa pas një periudhe kohore të kandidonte për postin e presidentit.

“Duke pasur parasysh se Vasfija jeton në SHBA, kjo do të ishte nisma më e duhur që ajo fillimisht të ambientohet me politikën vendore dhe krijojë përvojën nismëtare me angazhimin politik në vend, ndërsa në një etapë, pak të mëvonshme të zgjidhet me aklamacion dhe votat e të gjithë deputetëve edhe presidente e vendit”, theksoi Qarri.

Tutje, ai përmendi edhe faktin se Vasifje Krasniqit nëse zgjidhet president e vendit, gjatë bisedimeve me Serbinë, mund të përballet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Dhe sipas Qarrit një gjë e tillë mund të jetë shumë e rëndë për një viktimë të dhunuar si Vasfija.

“Unë nuk kam të drejtë, as nuk mund të flasë mbi potencialet e angazhimit dhe gjendjen e saj emocionale, por e di që në situatën e rëndë në të cilën ndodhet procesi i bisedimeve me Serbinë, presidentët e Kosovës dhe të Serbisë duhet të takohen, ndoshta edhe disa herë ndërmjet veti, ku sipas rregullave ndërkombëtare të dialogimit, në protokollet zyrtare parashihet që presidentët të përshëndeten, ulen bashkë në të njëjtën tavolinë përballë njëri tjetrit dhe komunikojnë drejtpërsëdrejti ndërmjet veti, gjë që do të ishte mjaft e rëndë për një viktimë përdhunimi si Vasfija, e cila duke njohur mentalitetin dhe cinizmin serb, edhe mund të ofendohet për ta provokuar edhe më rëndë”, potencoi ai.

Dhe pikërisht kjo përshëndetje dhe ulja përballë me Vuçiqin, sipas Qarrit do të ishte pjesa më e rëndë për Vasfije Krasniqin.

“E pikërisht kjo etapë problematike, ndoshta do të ishte më e rënda për Vasfijen, që të përshëndetet dhe ulet përballë një krimineli si Vuçiqi në të njëjtën tavolinë, si dhe të bisedojë me të, pa emocione të mëdha, kur dihet se vet krimineli Vuçiq,ishte pjesë e Qeverisë pushtuese serbe, ministër i informatave të Millosheviqit dhe njëri nga udhëheqësit e organizimit shtetëror të gjenocidit, krimeve më barbare dhe të gjitha të këqijave që u ndodhën sidomos femrave por edhe familjeve të pambrojtura shqiptare nga ushtria dhe policia e Serbisë okupatore në Kosovë”, u shpreh analisti.

Në fund, Qarri deklaroi se zgjidhja më e mirë për Vasfijen është që ajo të fitojë vota të mjaftueshme për deputete dhe të ambientohet me politikat vendore dhe te krijojë një përvojë fillestare dhe më pastaj në një etapë tjetër të zgjidhet president e vendit.

“Zgjidhja më e mirë aktualisht për Vasfijen, do të ishte jo emërimi apriori i saj si presidente, por që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ajo të fitojë votat e mjaftueshme për deputete të Kuvendit, si nisma e duhur që Vasfija të ambientohet me politikën vendore dhe të krijojë përvojën fillestare me angazhimin politik në Kosovë dhe në një etapë, pak të mëvonshme, pse të mos zgjidhet, bile do të ishte mirë që me aklamacion dhe votat e të gjithë deputetëve të emërohet edhe presidente e vendit, si një nga pozitat më të diskutuara ditëve të fundit, ku me të drejtë edhe emri i Vasfije Krasniqit-Goodman është potencuar seriozisht për këtë post të lartë shtetëror”, përfundoi Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat