“Të gjithë qytetarët e Kosovës (përfshirë edhe ata me vendbanim në një shtet tjetër), gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negative të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë, në të kundërtën duhet të izolohen për 7 ditë”.
Ky është njëri nga vendimet e Qeverisë së Kosovës , i cili gjatë ditës së sotme ka nxitur reagime të shumta. Kjo pasi, qeveria në detyrë sot lehtësoj masat në të gjitha komunat e Kosovës, derisa masat e vendosura për mërgimtarët vazhdojnë ende.
Këtë veprim analistë dhe zyrtarë të partive të tjera, e kanë parë si pengesë ndaj diasporës për të votuara në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Lidhur me këtë çështje, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se nuk janë të logjikshme kundërveprimet ndaj mërgimtarëve.
Mehazi u shpreh se këto vendime po ndërmerren për t’ia ndaluar hovin e fitores së Albin Kurtit në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Turpet më të mëdha në Kosovë janë institucionet më të larta shtetërore, gjykatat, KQZ-ja, qeveria të cilët si e qysh mundohet t'ia ndalin hovin e fitores Albin Kurtit të ditës së diel të 14 shkurtit. Do të ishin të logjikshme e të arsyeshme që të gjitha këto kundërveprime institucionale qeverisëse të bëheshin ndaj dialogut me Serbinë në dobi të Kosovës e jo kundër Albin Kurtit e mërgatës së gjorë që den baba den e kanë ndihmuar Kosovën e dashur të tyre”, theksoi ai.
Profesori mbeti i habitur se si mërgimtarët që duan të votojnë duhet të vetizolohen 7 ditë, e në anën tjetër lejohen tubimet madhështore të simpatizantëve partiakë pa farë maskash në fytyrë.
“Këto veprime antinjerëzore e antihumane ndaj mërgatës, vërehet e shihet se i bënë e gjithë mafia e bashkuar institucionale për të penguar humbjet e partive të tyre të cilët njëzetvjet pareshtur e kanë rrjepur Kosovën. Si është e mundur qeveria e Hotit në largim të "burgos" në vetizolim 7 ditorë mërgimtarët që duan të votojnë e në anën tjetër lejon tubimet madhështore të simpatizantëve partiakë pa farë maskash në fytyrë, a s'është nënçmuese për mërgimtarët kjo që bën qeveria e Kosovës?! Se ata do izolohen 7 ditë se janë të koronavirusuar, e qytetarët nëpër tubime partiake nuk janë të infektuar nga koronavirusi”, deklaroi Mehazi.
Në fund, ai tha se si është e mundur që me personat që vijnë nga Serbia për të votuar në Kosovë, kanë sjellje të mirë, ndërsa ndaj mërgimtarëve shfaqin armiqësi.
“Çështë kjo armiqësi e madhe ndaj Albin Kurtit e mërgatës? Kjo tregon se mafia juridike, politike, qeverisëse e KQZ-iste janë bërë tog për të mos humbur privilegjet zhvatesë që i lufton Albini e qytetarët e Kosovës. Si është e mundur që ligji kushtetues, KQZ-ja, qeveria e Hotit të bashkohen për të keqen e jo për të mirën e qytetarëve, mërgatës e Kosovës kundër Kurtit, në anën tjetër sa të butë e nënçmues janë ndaj Listës serbe që do vijnë nga Serbia të votojnë në Kosovë. Sa e shëmtuar e sa armiqësore është vendimi i qeverisë së Kosovës, për inat pse mërgimtarët shqiptarë do votojnë Albin Kurtin i fut në izolim shtatëditor, kurse serbët që do vijnë nga Serbia do hyjnë lirshëm për të votuar Listën serbe të Vuçiqit”, përfundoi Mehazi.