Analisti politik, Fadil Lepaja, duke i komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, thotë se, Partia Demokratike e Kosovës, ka mbetur në prag të zgjedhjeve pa kreun e saj, kurse LDK-ja, pa flamurin e Rugovizmit të cilin e mori Vjosa Osmani me vete pas largimit nga LDK-ja.
“Nëse PDK, në prag të zgjedhjeve nacionale mbeti pa kokë, LDK-ja mbeti pa flamur. Flamurin e rugovizmit e mori me vete zonja Osmani kur e larguan nga LDK-ja për shkak të mbrojtjes pikërisht të kësaj fryme përgjatë thyerjeve të mëdha në shoqëri dhe politikë e të cilat sollën edhe deri te rënia e koalicionit për të cilin zonja Osmani ishte angazhuar shumë, do të thosha me tërë qenien e saj”, thotë Lepaja.
Ai shton se, tash ndodhemi para sfidave të mëdha për vet LDK-në dhe prolongimi i zgjedhjes së kryetarit të ri dhe kryesisë së re nuk është shenjë e mirë se ajo do të bëjë kthesë të shpejtë dhe do të ofrohet për koalicion, por mbetet e hapur mundësia që ajo të përkrahë kandidaturën e zonjës osmani për presidente, qoftë me votimin e saj, apo vetëm me qëndrimin në sallë gjatë procesit të votimit.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/February/17/auto_Fadil-Lepaja1613572377.jpg)
“Mendoj se vizita e ambasadorit amerikan që i bëri zotit Kurti dhe zonjës Osmani, ishin mesazh i qartë se SHBA-ja e mbështetë qeverinë e re dhe nuk mbështetë një politikë që pengon ndërtimin e institucioneve të reja. Kjo gjithsesi ka rëndësi për dy partitë, edhe LDK edhe PDK-në megjithëse kjo e dyta është deklaruar menjëherë që do të mbështes krijimin sa më të shpejtë të institucioneve”, thotë ai.
Ai shton se, duke përkrahur ndërtimin e institucioneve dhe duke qenë konstruktiv lidhur me zgjedhjen e presidentit, këto dy parti do të tregojnë se po përpiqen të rimëkëmben pas humbjes së thellë që e pësuan dhe gjithashtu do të dëshmojnë se aty ende ka forcë që Kosova të shihet si prioritet mbi interesat partiake.
“Zgjidhja ideale u përmend nga z. Abazi dhe të ngjashme e kisha përmendur edhe unë në disa debate këto javë, pra rikthimi i Vjosës dhe flamurit të rugovizmit në LDK dhe largimi i individëve të cilët i kishin kontribuar krizës me kufijtë dhe me qeverinë Kurti 1”, thekson ai.
“Nëse LDK nuk gjen rrugë për të u reformuar dhe hyrë sërish në një koalicion me VV, qoftë drejtpërdrejtë apo duke e mbështetur në parlament atë dhe zonjën Osmani, LDK rrezikon të shuhet ose të gëlltitet nga PDK-ja, sidomos nëse mbeten të fuqishëm krijuesit e krizës dhe favoritët e z. Thaçi në këtë parti”, përfundon Fadil Lepaja.