Opsionet e Lëvizjes Vetëvendosje, për ta bërë presidente Vjosa Osmanin

Politika

Opsionet e Lëvizjes Vetëvendosje, për ta bërë presidente Vjosa Osmanin

Arife Morina Nga Arife Morina Më 18 shkurt 2021 Në ora: 13:11
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, janë cilësuar si zgjedhje mirë të organizuara dhe zhvilluara në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta.

Dita e zgjedhjeve, saktësisht procesi i votimit dhe numërimit në përgjithësi është zhvilluar qetë, i rregullt dhe pa ndonjë parregullsi serioze, që do të mund të ndikonte në integritetin e procesit zgjedhor.

Përveç kësaj, këto zgjedhje befasuan edhe me rezultatet e partive politike, ku vlen të ceket se Lëvizja Vetëvendosje mori 47% të votave, një rezultat ky që nuk kishte arritur më parë në zgjedhjesh.

Mirëpo, ndonëse se Vetëvendosje arriti të merrte një numër të madh të ulëseve në Kuvendin e Kosovës, kjo nuk ia mundëson edhe zgjedhjen e presidentit të vendit, pasi duhen 81 vota.

Dhe duke pasur që zgjedhja e presidentit të vendit është një nga punët e para dhe më të rëndësishme që duhet të bëjë VV, duket se do të has në vështirësi për ta përfunduar këtë gjë.

Vjosa Osmani ishte kandidatja zyrtare për postin e presidentit nga Vetëvendosje në këto zgjedhje parlamentare, por pas raporteve të tensionuara të Osmanit me LDK-në e kanë bërë shumë të vështirë sigurimin e votave për presidente.

Prandaj, VV dhe kreu i saj Albin Kurti gjendjen para një udhëkryqi ku duhet vendosur se si do t’i sigurojnë votat për presidente, apo edhe do të duhet të bëjë koalicion paszgjedhor me ndonjë parti opozitare.

Megjithëse, Kurti ka deklaruar se nuk do të bëjë koalicione paszgjedhore, atëherë e ka vënë në pikëpyetje në mënyrën se si do ta zgjedh presidentin, derisa nuk i ka votat e mjaftueshme.

Disa njohës të çështjeve politike kanë përmendur një koalicion të VV-së me pakicat jo serbe dhe me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për ta zgjedhur presidentin. Një koalicion i tillë do të kishte shumë mundësi ta zgjedhte Ramush Haradinajn president, pasi edhe ai ishte qëllimi i kreut të AAK-së, prej muajsh.

Ndërsa, të tjerë analistë politikë ia kanë propozuar edhe një plan tjetër Kurtit, duke propozuar Murat Jasharin për president në rast se nuk arrin t’i sigurojë votat e mjaftueshme për Vjosa Osmanin.

Ahmeti: Zgjidhja e presidentit duhet të jetë brenda kornizës institucionale

Image
Hidajet Ahmeti

Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar mënyrën se si duhet të zgjidhet presidenti i vendit nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi kjo e fundit doli fituese e zgjedhjeve parlamentare.

Ahmeti tha se me publikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, në vendin tonë u prodhuan një realitet i ri politik. Sipas tij, me këto rezultate Vetëvendosje nuk ka nevojë të bëjë koalicion qeverisës, por vetëm të bëjë marrëveshje për postin e presidentit.

“Zgjedhjet e reja prodhuan një realitetet të ri politik, i cili do të determinon një marrëveshje për pozitën e presidentit, por jo domosdo koalicionin qeverisës. Nëse Lëvizja Vetëvendosje do të arrijë shumicën e thjeshtë në Kuvendin e Republikës, atëherë nuk është i domosdoshëm një koalicion qeverisës, por është e nevojshme për një marrëveshje me subjektet tjera politike vetëm për pozitën e presidentit”, ka deklaruar Ahmeti.

Analisti kërkoi që presidenti të zgjidhet në korniza institucionale dhe të jetë një president parimor me kritere objektive.

“Mendoj se zgjidhja duhet të jetë brenda kornizës institucionale dhe të prodhoj një stabilitet afatgjatë, por mbi të gjitha të zgjidhet një president parimor mbi kornizën e kritereve objektive”, u shpreh ai.

Ahmeti shton se do të ishte veprim jo i duhur nëse presidenti do të zgjidhej me logjikën e njëjtë si deri më tani, që do t’i shërbente interesave personale dhe partiake.

“Më e keqja do të ishte nëse vazhdohet me logjikën e njëjtë, duke prodhuar një president të instrumentalizuar, i cili do t’i shërbente vetëm interesave partiake e jo duke realizuar mandatin e tij kushtetues e ligjor”, përfundoi Ahmeti.

Mehmeti: Vetëvendosje mund të veprojë me skenarin B, në rast së dështon të sigurojë votat për Osmanin

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti, erdhi me një sugjerim për Lëvizjen Vetëvendosje, lidhur me zgjedhjen e personit që duhet të propozohet për postin e presidentit të vendit.

Mehmeti u shpreh se së pari VV duhet të bëj koalicion me pakicat joserbe për ta formuar qeverinë me 61 deputet, pastaj të fillojë konsultimet për postin e presidentit të vendit.

“Mendoj se VV fillimisht do të bëj koalicion me pakicat joserbe, me të cilat do ta arrij numrin e kërkuar 61. Pastaj do të filloj konsultimet për president, por me qëllim që ta sjellë një figurë të jashtme politike, mundësisht Murat Jasharin”, u shpreh Mehmeti.

Njohësi i çështjeve politike përmendi edhe marrëveshjen e VV-së me Vjosa Osmanin për presidente, dhe tha se në rast të dështimit të sigurimit të votave për Osmanin, Vetëvendosje duhet ta përdor skenarin B.

“Megjithëse në fillim do të bëjë përpjekje për të siguruar votat për Vjosën dhe nëse një gjë e tillë nuk arrihet, atëherë do të veprojë me skenarin B, Murat Jasharin”, nënvizoi Mehmeti.

Në fund, ai potencoi se propozimi i Murat Jasharit për president të vendit, është një veprim më i duhur i Albin Kurtit, sesa arritja e një koalicioni paszgjedhor me AAK-në.

“Kjo besoj se është formula më e mirë dhe e vetmja që pritet te ndodh. Besoj se Albini nuk ka interes për ta futur AAK-në në koalicion, e cila edhe ashtu nuk i siguron 80 deputetë, e sa për qeveri e arrin edhe vetëm. Pra, nuk besoj se do të ketë koalicione, përveç me pakicat joserbe”, përfundoi Mehmeti.

Duhanaj: VV dhe Vjosa Osmani duhet të bëjnë koalicion paszgjedhor me AAK-në

Image
Leon Duhanaj

Kurse, analisti politik, Leon Duhanaj zgjedhjet e fundit parlamentare i cilësoi si zgjedhjet më spektakolare të mbajtura ndonjëherë në vend.

Kjo, jo vetëm për faktin se kishte ndryshime politike, por sipas Duhanajt, këto zgjedhje sollën një fitues të vetëm (Albin Kurtin), të cilit nuk ka mundësi t’i merret pushtetit

“Zgjedhjet e 14 shkurtit, dolën të jenë zgjedhjet me spektakolare në vend. Jo vetëm që pati ndryshime në skenën politike, por edhe sollën një fitues të vetëm të cilit nuk ka variante që t'i merret pushteti”, u shpreh ai.

Analisti përmendi një gjë që duhet ta ketë Vetëvendosje parasysh si fituese e zgjedhjeve, e kjo është marrëveshja e saj me Vjosa Osmanin për postin e presidentit.

“Ajo çfarë VV si fituese e zgjedhjeve duhet të ketë parasysh është marrëveshja me znj. Osmani dhe natyrisht nevoja për zgjedhjen e Presidentit, gjë që nuk mund ta arrij pa bërë një marrëveshje me ndonjërin nga subjektet shqiptare”, deklaroi Duhanaj.

Ai paralajmëroi edhe mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja në rast se nuk arrihet një marrëveshje për postin e presidentit. Duhanaj tha se për të shmangur zgjedhjet e reja, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani duhet që të bëjnë koalicion paszgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

“Duke qenë se PDK dhe LDK janë deklaruar për qëndrim në opozitë, z. Kurti i mbetet AAK me të cilën duhet të bëj marrëveshje. Tani duke qenë se z. Haradinaj ka synim pozitën e Presidentit, përderisa z. Kurti dhe znj. Osmani kanë hyrë po ashtu në garë me marrëveshjen për postin e Presidentit/es, mbetet të shihet ku dhe kush do të bëj kompromis, sepse pa president, nuk ka zgjidhje dhe pa zgjidhje shkohet në zgjedhje. Në ketë kontekst, mendoj që z. Kurti dhe znj. Osmani, duhet t'i gjejnë modalitetet që ta përfshijnë edhe AAK-në në koalicion”, ka deklaruar Leon Duhanaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat