Ramabaja: Osmani Presidente, Kurti do t’ia konfiskojë pasurinë atyre që e ‘fshehën’ deri në Ishujt Maldive

Politika

Ramabaja: Osmani Presidente, Kurti do t’ia konfiskojë pasurinë atyre që e ‘fshehën’ deri në Ishujt Maldive

Nga: N.SH Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 16:02
Albin Kurti, Vjosa Osmani

Lëvizja Vetëvendosje, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ajo mposhti bindshëm e vetme të gjitha partitë politike ku doli e para.

Ishte shumë afër që të marr Qeverinë e vetme ku gati arriti ti ketë 61 deputet.

Në lidhje me qeverisjen e Vetëvendosjes dhe bashkëpunimit me Vjosa Osmanin ka fol dr. Sadri Ramabaja, i laureuar në shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare, thotë se Qeveria Kurti 2 do të jetë produkt i bashkëpunimit të VV-së me qytetarinë aktive dhe Listën “Guxo” të Vjosa Osmanit, që më 14 shkurt bënë historinë.

Natyrisht, sipas tij, kësaj qeverie do t’ i bashkohen edhe një pjesë e mirë e përfaqësuesve të grupeve minoritare jo serbe.

“Vjosa Osmani do të zgjidhet presidente e Republikës në njërën nga seancat e para të Parlamentit, natyrisht me votat e VV dhe të minoriteteve joserbe. Në seancë prezent do të jenë, sipas të gjitha gjasave, shumica e deputetëve të kësaj legjislature, nëse jo të gjithë”, thotë Ramabaja.

Ai për gazetën “Bota sot” pohon se, Qeveria Kurti 2 do të jetë e përkushtuar që nga dita e parë për përmbushjen e premtimeve të dhëna, jo vetëm gjatë fushatës, por edhe gjatë gjithë betejave për mbrojtjen e Republikës.

“Unë pres, ashtu si u shpreh kryeministri në ardhje - Albin Kurti, që në top prioritetet e qeverisë Kurti 2 të jetë, e para, beteja për vaksinimin e popullsisë, pra  beteja për mbrojtjen nga Kovidi dhe, e dyta, procesi i përshpejtuar i vetingut. Me procesin e Vetingut VV-ja do të hynte që në start në luftën e pakompromisë me krimin dhe segmentet që kanë kapur Shtetin. Ky proces do të promovojë shpejt shtetin e së drejtës, duke larguar elementët e inkriminuar nga sistemi prokurorial, Policia dhe Gjyqësori”, thekson Ramabaja.

Ai shton se, beteja kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit e nepotizmit sigurisht se do të jetë më e vështira, por edhe më e ashpra, “meqë do t’ i prek interesat e shumë prej figurave të “fuqishme” të politikës, që për njëzet e sa vite kanë bërë jetë të dyfishtë: natën si biznesmen e ditën si politikanë, duke prodhuar një shtresë oligarkësh, që kanë ushqyer olhokratët e instaluar në piramidën e shtetit”.

“Para ligjit, jam i prirë të besoj, se shpejt do të dalin të gjithë ata që kanë ra ndesh me të, duke përvetësuar e keqpërdorë pasurinë publike, duke transferuar së fundmi edhe shuma të mëdha financiare jashtë vendit, në të ashtuquajturat oaza të spastrimit të parasë, deri në Ishujt Maldive”, thotë Ramabaja.

Sipas tij, me aprovimin e ligjeve përkatëse, gjithsesi Qeveria Kurti 2, respektivisht Drejtësia, pret të startojë, po brenda këtij viti, edhe me aksionin e madh të konfiskimit të pasurisë së krijuar në rrugë e mënyra të paligjshme, duke ia kthyer atë popullit.

“Në këtë përballje të Shtetit të së drejtës me krimin, sigurisht se do të ketë edhe rezistencë. Sidoqoftë ajo do të thyhet shpejt edhe për faktin se do të has në dorën e fortë të Shtetit ligjor, që gjithsesi pres ta ketë mbështetjen e duhur edhe nga aleatët tanë, miqtë e dëshmuar edhe në çaste të vështira për kombin tonë. Shumë shpejt pres që Republika të funksionalizohet dhe të fillojë të shndërrohet në një faktor politik koheziv për Kombin”, përfundon dr. Sadri Ramabaja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat