Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit i fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 14 shkurt.
Pas fitores bindëse, nga ana Lëvizjes Vetëvendosjes është thënë se kjo parti brenda pak javëve do të fillojë edhe krijimin e institucioneve të reja të vendit.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Tali, i cili ishte edhe këshilltar i ish-kryeministrit Albin Kurtit, ka thënë se për faktin se Lëvizja Vetëvendosje ka si prioritet luftimin e korrupsionit dhe krimit, ekziston tendenca që këtë të fundit ta ndalojnë në krijimin e qeverisë së re.
Tali ka paralajmëruar poashtu se janë bërë bashkë partitë tjera, të cilat ai i ka quajtur si “rojet e mjegullës”, për ta ruajtur interesin e tyre.
“Shihet se është një tendencë që Lëvizja Vetëvendosje mos ta arrijë shumicën e thjeshtë në Kuvend (të nevojshme për ta krijuar vet Qeverinë) për faktin se Lëvizja Vetëvendosje si prioritet ka luftimin e korrupsionit dhe krimit. Andaj janë bërë bashkë “rojet e mjegullës” për ta ruajtur interesin e tyre. Në këtë frymë unë i shikoj gjithë këto anulime votash të mërgatës. Sidoqoftë, “populli foli - foli edhe Zoti”, siç do të thonin latinët (vox populli vox dei), dhe institucionet duhen të sillen në atë modë, sikur të ishte mbarë e mirë, tashti të shohim”, ka deklaruar Tali, të shtunën për “Bota sot”.
Tutje, ish-këshilltari i ish-kryeministrit Albin Kurtit, ka bërë me dije se nga ana e partisë së tij, nuk ka kurrfarë problemi për krijimin e institucioneve të reja të vendit.
Gjersa, edhe ka shpjeguar se Lëvizja Vetëvendosje ka kuadro të mjaftueshme për ta udhëhequr secilin institucion qeveritar.
“Sa i përket krijimit të institucioneve, nuk ka kurrfarë problemi nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Tashmë të gjithë e dinë se VV-ja ka kuadro “par excellence” për ta udhëhequr secilin institucion qeveritar”, tha në fund ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Tali, për “Bota sot”.
Kujtojmë se zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit janë thirrur më 6 janar nga ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, në muajin qershor të vitit të kaluar.
Konstatimi i Gjykatës është shpallur më 21 dhjetor, me shpjegimin se një deputet që ka votuar për Qeverinë e Hotit, ka qenë i dënuar për vepër penale.
Një qeveri koalicioni e udhëhequr nga Kurti, vitin e kaluar, ka zgjatur vetëm 51 ditë, pasi është rrëzuar me votë mosbesimi.