Synimi i Vetëvendosjes në Shqipëri, pas fitores në zgjedhjet në Kosovë

Politika

Synimi i Vetëvendosjes në Shqipëri, pas fitores në zgjedhjet në Kosovë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 21 shkurt 2021 Në ora: 10:20
Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje doli të jetë fituese e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vendin tonë.

VV-ja mposhti partitë tjera politike, duke kryesuar me 47%, duke mos i numëruar ende votat e diasporës, shkruan “Bota sot”.

Kreu i VV-së, Albin Kurti dhe kandidatja për presidente Vjosa Osmani, menjëherë pas rezultateve preliminare, falënderuan të gjithë qytetarët që u besuan votat e tyre, përmes një konference për media.

Kurti dhe Osmani deklaruan që do të punojnë për të mirën e qytetarëve, duke mos i përfshirë asnjëherë interesat e tyre personale.

Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë mirëpo ende pa u certifikuar ato, Kurti ka gjetur kohë të shkojë në Shqipëri dhe t’i ndihmojë Vetëvendosjes atje për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ku do të garojë me tre kandidatë në Qarqet e Tiranës, Lezhës dhe Gjirokastrës.

Kjo vizitë padyshim që ngjalli reagime, duke e parë si një tentativë që Kurti ta vë në diskutim përsëri bashkimin kombëtar, ku dihet që këtë ide Kurti e kahmotshme.

Ndër të tjera, Kurti këto ditë është deklaruar përsëri për bashkimin kombëtar duke e konfirmuar edhe njëherë që është pro kësaj ideje.

Ai ka thënë se në rast se nëse do të mbahej ndonjë referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ai do të votonte pro.

Kurti këto deklarime i bëri përgjatë një interviste me Euronews, vetëm disa ditë pasi partia e tij Vetëvendosje fitoi pjesën më të madhe të votave në Kosovë deri më tani, duke i hapur rrugën Kurtit për të formuar qeverinë.

“Ne ende nuk kemi ligj për referendume në Kosovë, por dy referendume ndërmjet shtetit tonë dhe Shqipërisë do ta zgjidhnin një gjë të tillë”, deklaroi Kurti, kur u pyet nëse e mbështet ende idenë e bashkimit kombëtar me Shqipërinë.

Se a do të realizohet një ide e tillë e cila gjithmonë u diskutua nga Kurti, mbetet të shihet në ditët në vijim.

Ndërsa njohësit e çështjeve politike për “Bota sot”, u shprehën që Kurti do të ketë synim bashkimin kombëtar gjatë qeverisjes së tij, pasi është ide e kahmotshme dhe se do të punojë në lidhje me këtë ide, duke shfrytëzuar edhe debutimin e VV-së në Parlamentin e Shqipërisë.

Mehazi: Kurti në planë të parë ka bashkimin kombëtar

Image
Sulejman Mehazi

Në lidhje me këtë temë, profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që Kurti pas fitores në Kosovë tani është duke kandiduar me tre deputetë në Shqipëri për t'i sfiduar mafiozët e Shqipërisë, në krye me Ramën dhe Metën.

Profesori thekson që vet shkuarja e Kurtit në Shqipëri, tregon që Kurti është i shqetësuar për zhvatësit edhe në Shqipëri, duke synuar t'iu kundërvihet atyre të cilët kanë harruar Kosovën dhe janë bashkuar me shtetin e Serbisë.

“Pas fitores së fuqishme në Kosovë, tani Albin Kurti me tre kandidatët e tij për deputetë do sfidojë edhe mafiozët e Shqipërisë në krye me Edi Ramën e Ilir Metën. Kandidimi i deputetëve të Vetëvendosjes në Qarqet e Tiranës, Lezhës e Gjirokastrës e merr formën e një parapërgatitjeje politike, ekonomike e shpirtërore për bashkim kombëtar. Vet shkuarja e Albin Kurtit në Shqipëri për të konsoliduar partinë e tij e për të forcuar pozicionet politike me qytetarët votues të Tiranës, Lezhës e Gjirokastrës tregon se Albin Kurti nuk është i kënaqur vetëm me mposhtjen e zhvatësve politikë të Kosovës, po shkon më tej e përtej në Shqipëri për të prishur gardhet e kufijve administrative e për t'iu dalë Albini në ballë edhe bajlozëve politikë të Shqipërisë, të cilët jo vetëm që kanë droguar e plaçkitur Shqipërinë, po edhe rëndë kanë anashkaluar Kosovën duke u lidhur e bashkuar me Vuçiqin e Serbisë me anë të Mini-shengeneve ballkanike”, u shpreh profesori.

Sipas tij, Kurti me VV-në do t’i kundërvihet Shqipërisë mirëpo edhe Maqedonisë, por që në plan të parë për Kurtin është bashkimi i trojeve shqiptare e pastaj pushteti.

“Si shihet, Albin Kurti, të gjithë kundërshtarëve politik brenda e jashtë kufirit të Kosovës do ju kundërvihet me forcën e partisë së tij të LVV-së për të eliminuar një nga një, ngadalë e sigurt politikanët e korruptuar si në Kosovë, Shqipëri, po shtrirja e tij politike me siguri do bëhet edhe në Maqedoninë Veriore. Projekti politik e strategjik i veprimit të LVV-së së Albin Kurtit në plan të parë është bashkimi i trojeve shqiptare e pastaj pushteti, së pari bashkimi, së dyti pushteti”, ka deklaruar Sylejman Mehazi për “Bota sot”.

Kelmendi: Kurti ka për qëllim inkuadrimin e VV-së, në Parlamentin e Shqipërisë

Image
Muhamet Kelmendi

Për këtë temë, “Bota sot”, kontaktoi me profesorin Muhamet Kelmendin, i cili komentoi për idenë e Kurtit për bashkimin kombëtar dhe vizita e tij në Shqipëri.

Kelmendi u shpreh se Kurti po përkrahet edhe nga partia politike në krye me Zijadin Selën, në Maqedoni, mirëpo që këto subjekte të tilla politike në Shqipëri dhe në Maqedoni janë shumë të vogla për të zhvilluar idenë e bashkimit kombëtar.

“Në kuadër të aktivitetit politik të z.Kurti është edhe organizimi i VV-së në Shqipëri dhe i përkrahjes së partisë politike në Maqedoni, me z.Zijadin Sela, kryetar. Natyrisht se me këto organizime nuk mund të bëhet bashkimi kombëtar. Subjektet e tilla politike në Shqipëri dhe në Maqedoni janë shumë të vogla për të mundur me zhvilluar idenë e bashkimi kombëtar”, tha profesori.

Më tej, Kelmendi ka thënë se VV ka për qëllim të fusë VV-në në Parlamentin e Shqipërisë, në mënyrë që të plasojë më lehtë idetë e veta tek qytetarët, kështu duke krijuar një lidhje politike për përbashkët të ardhmen e këtyre vendeve.

“Mirëpo kjo veprimtari e z.Kurti në Shqipëri është në rrugën e futjes së VV-së atje në Parlamentin e Shqipërisë. Për atë po përpiqet. Kjo edhe për faktin se me deputetët e VV-së në Parlament më lehtë plasohen idetë e VV-së tek qytetarët. Kështu synohet edhe një lidhje politike e përbashkët për të ardhmen e këtyre vendeve”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

Krasniqi: VV-ja të mos bëjë gabimin si qeveria e Haradinajt

Image
Islam Krasniqi

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që kjo vizitë nuk do të duhej të bëhej, pasi kjo ishte më shumë përzierje në punët e brendshme në Shqipëri, siç ka bërë Haradinaj gjatë kohës së qeverisjes së tij.

“Besoj se kjo vizitë është e gabuar pasi që për ne duhet të jenë të barabartë të gjithë dhe të respektohet edhe institucionet shqiptare duke mos u përzier në punët e tyre të brendshme. Ne duhet t'i ruajmë raportet dhe marrëdhëniet e mira me shtetin shqiptar dhe institucionet atje, duke mos u përzier në punët e brendshme të tyre, për të mos u armiqësuar apo mos të vije puna deri aty ku kishe ardhur me qeverinë Haradinaj”, theksoi analisti.

Në fund, Krasniqi është shprehur se ne duhet vetëm të përzihemi në çështjet kombëtare për interesa të popullit por jo në fushata zgjedhore.

“Ne duhet të përzihemi në çështjet nacionale apo kombëtare për interesat e popullit tonë për të përmirësuar gjendjen tonë por jo edhe në fushata zgjedhore”, ka deklaruar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat