I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka filluar sot vizitën treditëshe në Prishtinë prej nga më pas do të shkojë në Beograd, në një përpjekje për rifillimin e bisedimeve ndërmjet të dyja palëve menjëherë pas formimit të qeverisë së re të Kosovës.
Lidhur me vizitën e tij në Kosovë, analisti Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se ardhja e tij për dialog është e pritshme, madje duke e pasur parasqysh edhe qeverinë e re me potencial të fuqishëm që në këtë rast Lajçak do të marr hapa konkret për të shtyer përpara agjendën e dialogut.
Duhanaj thotë se me qeverinë e re krijohen parakushte për arritjen e ndonjë marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ardhja e përfaqësuesit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, z. Miroslav Lajcak, është e pritshme. Ai duke pasur parasysh përfundimin e zgjedhjeve në Kosovë dhe daljen e një qeverie me potencial të fuqishëm, merr hapat konkret për ta shtyer përpara agjendën e dialogut, aq më shumë kur ke parasysh që si Kosova, ashtu dhe Serbia tashmë kanë mazhorancë të fuqishme, shto kësaj edhe faktin se në Kosovë LVV-ja ka qenë e njohur për destruktivitet absolut dhe tani që ka fituar ta udhëheq me Qeveri krijohen parakushte solide për arritjen e ndonjë marrëveshje të mundshme Kosovë-Serbi. BE, por dhe SHBA, besoj që do ta kenë ketë çështje ndër temat prioritare, në mënyrë që duke krijuar paqe të qëndrueshme në regjion edhe ta nxisin integrimin e mëtejmë edhe ta ndërpresin rritjen endikimit rus”, tha Duhanaj.
Sipas Duhanaj, synimi i Lajçak-ut në Kosovë është të marrë opinion të gjerë nga politika, por vërehet edhe përpjekja për t’i inkuadruar qëndrimet nga vendet fqinje për një marrëveshje finale.
“Tani, duke analizuar agjenden e paralajmëruar vërehet fakti se z. Lajcak në Kosovë synon të marrë opinion të gjerë nga politika dhe çarqet tjera, përderisa në Serbi tashmë e ka më të çartë bazuar në faktin e kontrollit absolut që ka Vuçiç atje. Pos tjerash në agjenden e tij vërehet edhe përpjekja për t'i inkuadruar apo mareka e qëndrimeve edhe nga vendet fqinje në mënyrë që ta projektoj mundësinë e kalkulimit të një marrëveshje finale. Për Kosovën dhe shqiptarët është me rëndësi uniteti politik dhe çartësimi i idesë së përbashkët karshi të ardhmes së Kosovës”, shtoi ai.
Tutje ka theksuar se është më mirë që Kurti do ta ketë barrën e udhëheqjes në dialog, për ndryshe nuk do të tregohej bashkëpunues. Ajo që nuk i konvenon Kosovës, sipas Duhanaj është status quo, sepse është mungesë e zhvillimit, por kërkohet bashkëpunim për largimin e kësaj.
“Ndoshta është më mirë që z. Kurti do ta ketë barrën e udhëheqjes në dialog pasi që ky nga pozita e opozitarit nuk do të tregohej bashkëpunues, kështu që po besoj që partitë tjera janë më të përgjegjshme në ketë drejtim pasi që këtë e kanë treguar edhe në të kaluarën. Për Kosovën, dialogu dhe zgjidhja e këtij problemi është problem i dorës së parë pasi që ne nuk do të arrimë prosperitet në asnjë nga temat, përderisa këtë temë e kemi të pazgjidhur mbi tavolinë. Status quo nuk i konvenon Kosovës,pasi që është pengesë e zhvillimit dhe integrimit të mëtutjeshëm të saj, në këtë kontekst kërkohet unitet e bashkëpunim në mënyrë që njëherë e mirë ta largojmë këtë barrë nga shpina. Tani meqë e kemi edhe një administratë të re në Amerikë dhe Presidentin Biden që ka rol të vazhdueshëm pozitiv karshi Kosovës, duhet ta shfrytëzojmë si mundësi të lëvizjeve të mëdha”, përfundoi Duhanaj.