Dita e zgjedhjeve brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po afrohet.
Deri tani në organet e kësaj partie e kanë paralajmëruar kandidaturën për kryetar të LDK-së, Anton Quni, nënkryetar i LDK-së dhe kryetar i degës së LDK-së në Prizren, Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, kryetar i komunës së Gjilanit dhe i degës së LDK-së në Gjilan, Lumir Abdixhiku, anëtar i Kryesisë së LDK-së dhe Besian Mustafa, aktualisht ministër në detyrë i bujqësisë.
Këto zgjedhje priten që të jenë vulë për rrugën e kësaj partie në të ardhmen, kjo pasi LDK-ja ka shënuar rënie gjatë mandatit të fundit të Musufës dhe kjo u vërtetua edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Sipas ekspertëve, ndikimi i Mustafës brenda partisë mund të vazhdojë edhe nëse ai nuk do të jetë në krye të LDK-së. Kjo sipas tyre, ka të bëjë me kandidaturën e disa personave, të cilët vlerësohen si dorë e zgjatur e Mustafës.
Bytyçi: Influencimi i Isa Mustafës në rrjedhat politik të LDK-së
Opinionisti politik Adem Bytyçi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, është shprehur se kandidatët e deri tanishëm për kryetar të LDK-së janë dorë e zgjatur e klanit të Mustafës.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/March/13/auto_auto_auto_auto_nese_do_te_kishte_Cmim_Nobel_per_sakrifice_per_liri_ai_do_tYi_takonte_Adem_Jasharit_dhe_familjes_se_tij1583581758158367595015838314871615621049.jpg)
“Unë mendoj se janë dorë e zgjatur e klanit të Isa Mustsfës. Pastaj edhe pas largimit të Isa Mustafës nga posti i Kryetarit të partisë, edhe një kohë relativisht të gjatë influencimi i Isa Mustafës në rrjedhat politike të LDK-së, do të jetë e madhe”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Më tej, Bytyçi nuk beson se mund të ketë zgjedhje demokratike brenda LDK-së.
“Gjithashtu nuk besoj se edhe pas ndryshimeve kuadrovike në LDK, LDK-ja do restaurohet shpejt për ta kthyer imazhin që e ka pasur dikur. Nuk besoj se do të ketë zgjedhje demokratike me rastin e zgjedhjes së udhëheqësisë së re të LDK-së, pas dorëheqjes së Isa Mustafës”, ka potencuar Bytyçi për “Bota sot”.
Qarri: Mustafa vijon të manipulojë pareshtur me klanin e vet brenda këtij subjekti politik
Ndërkaq, analisti politik, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka akuza ndaj Mustafës, duke thënë se ai po manipulon me klanin e vet brenda këtij subjekti politik.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/March/13/auto_gasb1615621030.jpg)
“Mjerisht megjithëse tanimë na ndajnë vetëm pak ditë nga zgjedhjet për kryetar të LDK-së, Isa Mustafa me shokë në kryesinë e vjetër ,,sikur mos të mjaftoni dëmi që i ka shkaktuar kësaj partie, me gjithë dorëheqjen e tij formale nga posti i të parit të saj, ai vijon të manipulojë pareshtur me klanin e vet brenda këtij subjekti politik, që edhe pas tij, gjithsesi në krye të LDK-së, të katapultohet dikush nga shokët e vjetër të ish kryesisë”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Sikurse parafolësi, edhe Qarri mendon se disa nga kandidatët të cilët e kanë paraqitur kandidaturën janë dorë e zgjatur ose të dëgjueshëm të përhershëm të Mustafës.
“Madje edhe pse tashmë katër zyrtarë të LDK-së kanë zyrtarizuar kandidaturën e tyre për kryetar të LDK-në, Isa Mustafa me rrjetin e vet mafioz, është përkujdesur me kohë, që kuadrot e reja dhe të pa njollosura në parti, t’i baltosë sa më rëndë me afera dhe skandale të cilat u qesin hije të zezë edhe atyre, gjë që dëshmon se klani i Isa Mustafës është ende shumë aktiv edhe në këto zgjedhje, brenda partisë. Për aq më tepër, siç dihet tanimë publikisht, disa nga kandidatët, apo gjysma prej atyre sa kanë paraqitur kandidaturën deri më tani, për kryetar të LDK-së, janë dorë e zgjatur ose të dëgjueshëm të përhershëm të Isa Mustafës”, ka theksuar ai.
Sipas tij, ndaj njërit nga kandidatët për kreun e LDK-së, përkatësisht Besian Mustafës ka pasur tentime që të baltoset figura e tij.
“Ndaj për baraspeshimin e kandidaturave, Mustafa është përkujdesur intensivisht që t’i baltosë sa më keq dhe vend e pa vend, kuadrot e pastra si të birin e Xhemajl Mustafës, Besianin dhe pas aferës në Arkivin e Shtetit, pa vonuar shumë, orkestroi edhe shpërthimin e skandalit me donacione, në Ministrin e Bujqësisë të udhëhequr nga Besian Mustafa, për baraspeshimin e kandidaturës së tij, në sytë e publikut me atë të Lutfi Hazirit si dorë e zgjatur e PDK-së brenda LDK-së, apo edhe Anton Çunin, të përfolur bashkë me Naser Osmanin etj, tash e sa vite për afri me SHIK-un”, ka thënë Qarri për “Bota sot”.
Më tej, ai ka paralajmëruar se çfarë mund të ndodhë në LDK nëse rikthehet kryesia e vjetër.
“Ndaj zgjedhje të tilla, të manipuluara, jo vetëm se nuk mund të quhen fer dhe as të lira, por nëse vazhdon ndikimi në këtë formë torturuese i Isa Mustafës dhe klanit të tij, nuk mund të flitet më, as për votime të pa anshme dhe zgjedhjen demokratike të kryetarit të ardhshëm të LDK-së, përderisa goditen kuadrot e reja dhe avancohen të dëgjueshmit e Isa Mustafës & Co, në mënyrë që edhe pas tij, gjithsesi në krye të LDK-së, të vije serish dikush nga kryesia e vjetër dhe vet pjesëtarët e damkosur të klanit të Isa Mustafës, të cilët ndoshta kanë porosi nga ai, që ta qojnë deri në fund shkatërrimin total të LDK-së”, ka deklaruar Qarri për “Bota sot”.
Mehmeti: Asnjëri nga kandidatët për kryetar nuk janë kritikues të Isës
Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike Faton Mehmeti, mendon se Mustafa vazhdon të ketë ndikim të madh në LDK.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/March/13/auto_Faton-Mehmeti1615620993.jpg)
“Nuk besoj se Isa ka hequr dorë nga LDK, Isa akoma vazhdon të ketë ndikim të madh në LDK. Për rrjedhojë po përgatit terrenin në mënyrë të fshehtë për të kontrolluar prapë partinë, tanimë nga prapaskena”, ka deklaruar ai.
Në fund, Mehemti ka potencuar se kandidatët e deritanishëm për liderin e LDK-së nuk kanë qenë kritikues të ish kryetarit Mustafa.
“Asnjëri nga kandidatët për kryetar nuk janë kritikues të Isës, të gjithë kanë qenë dhe janë në postet që mbajnë me direktiva të Isa Mustafës. Kjo është e mjaftueshme për të qenë të bindur në lojën nga prapaskena Këta kandidatë aktualisht, pa përjashtim janë maska e Isa Mustafës, të tillët nuk prodhojnë ndryshim por vazhdim të kontrollit të partisë nga klani Isa Mustafës”, ka përfunduar ai për “Bota sot”.