Lumir Abdixhiku është zgjedhur kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e tetë të LDK-së.
Abdixhiku është kryetari më i ri që e ka udhëhequr ndonjëherë LDK-në, ndërsa timonin e partisë po e merr në gjendjen më të keqe të saj prej themelimit.
Ai zyrtarisht është pjesë e LDK-së prej vitit 2017 dhe është zgjedhur tri herë deputetë në tri palë zgjedhje. Në të fundit, ai mbante numrin 11 në listë, ndërsa doli i treti më i votuari.
Nijazi Halili, anëtar i rregullt i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se Kuvendi i sotëm zgjedhor në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka lënë shumë përshtypje të mira.
Halili shprehet se për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh ai që ishte më i miri.
“Lumir Abdixhiku, frymë e re Lidhjes Demokratike të Kosovës. Me shumë vëmendje, dhe përkushtim e kam përcjellë punimet e këtij, Kuvendi zgjedhor dhe ajo që më la shumë përshtypje ishte se zgjidhjet ishin fer e demokratike, i tërë procesi u zhvillua dhe u përmbyll pa asnjë incident, thjeshtë si rrjedhojë fitoi ai që është më i miri, ai që mori besimin nga elektorati zgjedhor, shumicën e votave nga Kuvendi Zgjedhor i LDK-se, Lumir Abdixhiku”, shprehet Halili, për gazetën “Bota sot”.
Tutje, njohësi i zhvillimeve politike shprehet se Abdixhiku do të ketë edhe mbështetjen e elektoratit të LDK-së, pas një zbehje që pati në zgjedhjet e fundit.
“Fitoren e Abdixhikut, e pranuan të gjithë, edhe humbësit e këtij, procesi i cili u duartrokit nga anëtarët në sallë, dhe dy kandidatët të cilët ishin në garë e pranuan humbjen dhe u përqafuan duke e mbështetur fitoren bindes të kryetarit të ri, Lumir Abdixhiku. Si rrjedhojë, ky është ndryshimi, fryma e re e Lidhjen Demokratike të Kosovës, e besoj se do të ketë mbështetje e elektoratit të LDK-së, pas një zbehje të këtij subjekti i cili u pa në zgjedhjet e 14 shkurtit”, është shprehur ai.
Në fund, ai thekson se pas këtij procesi, Lidhja Demokratike e Kosovës do të funksionojë ndryshe dhe do të kthejë besimin e humbur.
“Me Lumir Abdixhikun, besoj se Lidhja Demokratike e Kosovës do të funksionojë ndryshe dhe do të kthejë besimin e humbur në elektoratin e tij”, ka deklaruar Nijazi Halili, anëtar i rregullt i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA.