Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Liri Loshi, ka reaguar pas takimeve të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit me kryetarët e partive opozitare, Enver Hoxhaj (PDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK).
Loshi tha se LVV-ja nuk ka nevojë të bisedojë me asnjë parti opozitare për postin e presidentit, pasi populli e ka zgjedhur Vjosa Osmanin presidente.
Ai shtoi se nëse nuk zgjidhet presidenti në Kuvend, vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
“Presidenten e ka zgjedh populli. Prandaj, Vetëvendosje s’ka nevojë me fol me kurrkënd tjetër. Mbahet seanca dhe votohet Vjosa Osmani për presidente. Nuk zgjidhet presidentja, shkojmë prapë në zgjedhje” ka thënë Loshi, përcjell “Bota sot”.
Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Osmani është e zgjedhura për postin e presidentes. Sipas tij, presidenti duhet të zgjidhet nga populli por ja që zgjidhet nga Kuvendi.
“Nëse flasim në kuptimin e besimit. natyrisht se Vjosa është e zgjedhur për postin e presidentes dhe kjo nuk ka dyshim. Mirëpo, nuk mund të shpërfillim rregullat demokratike si dhe ato ligjore. Zgjedhjet e 14 shkurtit kanë qenë zgjedhje për qeverinë, pasi presidenti zgjidhet nga Kuvendi. Edhe pse është gabim kjo, presidenti duhet të zgjidhet direkt nga populli, por ja që nuk është kështu”, deklaroi Mehmeti për “Bota sot”.
Më tej, ai ka theksuar se zgjedhjet duhet shmangur, por vetëm nëse nuk mund të ketë gjuhë të përbashkët në mes LVV-së dhe opozitës, duhet të shkohet në zgjedhje.
“Kështu që Loshi nuk duhet të bëjë thirrje për shpërfillje të rregullave, ndryshe dalin jo serioz para votuesve të tyre. Duhet të flitet me opozitën, t'i kërkohet asaj të qëndrojë në kuvend. LVV-ja nuk duhet të bie pre e dëshirave të opozitës, mirëpo duhet të tregohet bashkëpunuese brenda rregullave, pastaj po nuk pati vullnet dhe gjuhë të përbashkët edhe të shkohet në zgjedhje. Por, zgjedhjet duhet të shmangen me çdo kusht, qytetarët janë lodhur tashmë”, përfundoi ai.