Flet ish-këshilltari i Kurtit: E panevojshme shtyrja e takimit për të premten nga Abdixhiku - krijimi i institucioneve është urgjencë

Politika

Flet ish-këshilltari i Kurtit: E panevojshme shtyrja e takimit për të premten nga Abdixhiku - krijimi i institucioneve është urgjencë

Nga: N. H Më: 17 mars 2021 Në ora: 17:11
Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku

Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk është takuar ashtu siç ishte planifikuar në Kuvend me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e u.d e presidentit, Vjosa Osmani.

Në ditën e parë të punës si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ai i ka dërguar nga një letër Kurtit e Osmanit, duke kërkuar që takimi të mbahet për ditën e premten.

E, siç mësohet, është konfirmuar kërkesa e kreut aktual të Lidhjes Demokratike të Kosovës që takimi mes tyre të ndodhë ditën e premte.

Në lidhje më shtyrjen e këtij takimi, për gazetën “Bota sot”, ka folur Driton Tali, bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit në ardhje, Albin Kurti.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Tali, i cili ishte edhe këshilltar i ish-kryeministrit Albin Kurtit, e ka quajtur si të paarsyeshme dhe të panevojshme shtyrjen e takimit nga ana e kreut të ri të LDK-së.

Ndërsa, gjithë këtë, Tali thotë se lideri i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës po e bën pasi ka nevojë për prestigj.

Ai poashtu shprehet se beson se kuorumi do të bëhet për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, pasi shkuarja edhe njëherë në zgjedhje të reja nuk është në interes të asnjë subjekti politik, e aq më pak për qytetarin.

Image
Albin Kurti dhe Driton Tali

“Po tashti ky çuni i ri ka nevojë për prestigj, unë kështu e shoh këtë prolongim panevojë disa ditorë të takimit me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin. Unë besoj se kuorumi do të bëhet për zgjedhjen e Vjosa Osmanit në postin e presidentes, sepse alternativa është shkuarja panevojë në zgjedhjet e reja. E zgjedhjet e reja nuk janë në interes të asnjërës parti e aq ma pak për qytetarin e Kosovës”, ka deklaruar Tali, të mërkurën për gazetën “Bota sot”.

Tutje, Tali ka theksuar se krijimi i institucioneve të reja duhet të ndodhë menjeherë, pasi që, sipas tij, është një urgjencë shumë e madhe për vendin.

“Sa i përket krijimit të institucioneve, nëse e marrim parasysh se nga rrëzimi i ‘Qeverisë Kurti 1’, ne de facto s’kemi pasur qeveri të rregullt. Ishte një mazhorancë e cila nuk ishte në gjendje as ta bëjë kuorumin e thjeshtë për mbajtjen e seancave kuvendare, andaj edhe tekstualisht me muaj s’patëm as seanca kuvendare. Andaj, krijimi i institucioneve është urgjencë shumë e madhe. Veç shihe se si po sillemi karshi pandemisë”, ka thënë ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Tali, për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat