Marrëveshja e Washingtonit e nënshkruar me 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, i solli Kosovës njohjen e rëndësishme nga shteti i Izraelit.
E pas kësaj njohje historike, e tillë ishte edhe hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Kosova është vendi i tretë pas SHBA-së dhe Guatemalës që hapi misionin e saj diplomatik në Jerusalem.
Mirëpo, për hapjen e Ambasadës pati edhe reagime të shumta.
Turqia ishte ajo e para e cila kishte shprehur qëndrimin e saj kundër, por reagime ka pasur edhe nga Bashkimi Evropian, i cili u shpreh i shqetësuar me zotimin e Kosovës për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.
Pavarësisht këtyre, ky është një hap i rëndësishëm për Kosovën, për marrëdhëniet me Izraelin.
Analistët një gjë e thonë me siguri qe njohja e Kosovës nga Izraeli, është ngjarje historike.
Lepaja: Jo korrekt që Erdogan të na përfshijë në konfliktin mes Izraelit dhe botës islame
Njohësi i çështjeve politike Fadil Lepaja, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se hapja e ambasadës atje është ngjarje historike.
Sipas tij, popullin e Kosovës me atë hebre e lidh fati i ngjashëm i përndjekjeve dhe terrorit të ushtruar ndaj nesh, për të na shfarosur apo për të bllokuar kapacitetet tona zhvilluese dhe krijuese.
“Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem është ngjarje historike. Ne me popullin hebre na lidhë një fat i ngjashëm i përndjekjeve dhe terrorit të ushtruar ndaj nesh për të na shfarosur apo për të bllokuar kapacitetet tona zhvilluese dhe krijuese. Besoj se ndajmë edhe ide qytetare dhe shoqërore të ngjashme”, ka thënë Lepaja.
Sipas tij, nuk është korrekte që Erdogan të na përfshijë në konfliktin mes Izraelit dhe botës islame, që zhvillohet për motive që nuk kanë të bëjnë asgjë me shtetin tonë të vogël dhe të brishtë.
“Edhe me Turqinë moderne na lidhin miqësi dhe interesa të përbashkëta dhe nuk kemi çështje të hapura me energji negative mes dy vendeve dhe popujve. Nuk është korrekte nga presidenti Erdogan të na përfshijë në konfliktin mes Izraelit dhe botës islame që zhvillohet për motive që nuk kanë të bëjnë asgjë me shtetin tonë të vogël dhe të brishtë. Ne u ofrojmë miqësi të gjitha shteteve dhe vendeve që dëshirojnë marrëdhënie të mira me ne dhe janë subjekt i të drejtës ndërkombëtare. Uroj që marrëdhëniet tona me Izraelin mik të mos ndikojnë në marrëdhëniet me Turqinë po ashtu mike dhe se Presidenti Erdogan do të ketë mirëkuptim për interesat shtetërore të Kosovës”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.
Voca: Më me rëndësi njohja nga Izraeli, se sa vendi ku instalohet Ambasada
Ndërsa, doktori i shkencës dhe ligjëruesi i Gjeopolitikës në Paris, Mirsad Voca, për “Bota sot” për hapjen e ambasadës në Jerusalem, ka thënë se derisa nuk ka përditësim të saj nga Administrata e J. Biden, për Kosovën është pakrahasimisht shumë më me rëndësi njohja nga Izraeli, se sa vendi ku instalohet Ambasada.
“Tani në këto rrethana të reja pas asaj marrëveshjes së Washingtonit dhe deri sa nuk ka përditësim të saj nga Administrata e J. Biden, për Kosovën është pakrahasimisht shumë më me rëndësi njohja nga Izraeli sesa vendi ku instalohet Ambasada. Tek e fundit, për Kosovën është me interes vital çdo njohje e në veçanti kjo nga Izraeli”, është shprehur Voca.
Sipas tij, vendndodhja e ambasadës nuk duhet ta shqetësojë Kosovën deri atje ku të rrezikohet miqësia me Izraelin.
“Vendndodhja e Ambasadës është një çështje që nuk do të duhej ta shqetësojë Kosovën deri në masën që të rrezikohet miqësia me Izraelin. Aq më tepër, kur kemi të bëjmë me një çështje ku ndërthuren raportet e fuqive të mëdha në ç‘gjë Kosova nuk do të mund të kontribuojë dhe aq”, ka potencuar ai.
Voca thotë se Kosova tani mund të bëjë një komunikim të ngushtë me shtetet mike, sidomos për të sqaruar se për Kosovën është vitale çdo njohje duke përfshirë përforcimin e raporteve me ato shtete.
“Atë që Kosova mund dhe duhet të bëjë pas instalimit të Ambasadës në Jerusalem, është një komunikim i ngushtë me shtetet mike sidomos për të sqaruar se për Kosovën është vitale çdo njohje duke përfshirë përforcimin e raporteve me ato shtete. Për më tepër, Kosova nuk mund të imponojë vendndodhjen e Ambasadës dhe se në këto rrethana, do të varej tani më së shumti nga vendi akreditues. Kosova nuk do të diskutojë apo futet në diskutime të çështjeve të pazgjidhura me përmasa ndërkombëtare, por që do t‘ua linte këtë preokupim shteteve mike që kontribuuan më së shumti në ndërkombëtarizimin dhe përforcimin e shtetit të Kosovës”, ka përfunduar Mirsad Voca për “Bota sot”.
Mehmeti: Hapja e ambasadës, e forcon më shumë Kosovën në syrin e administratës amerikane
Edhe analisti Faton Mehmeti mendon se derisa kjo është në harmoni me politikën amerikane, është për t’u përshëndetur.
Ai thotë edhe pse diskutimet do të vazhdojnë, Kosova nuk guxon të bie pre e agjendave të ndryshme.
“Është për tu përshëndetur një akt i tillë që është në harmoni me politikën amerikane dhe si e tillë e forcon akoma më shumë Kosovën në syrin e administratës amerikane. Diskutimet për ambasadën në Jerusalem do të vazhdojnë edhe më tutje, mirëpo Kosova nuk guxon të bie pre e agjendave të ndryshme”, ëshë shprehur Mehmeti.
Sipas tij, Kurti nuk guxon të bëjë gabim që ta zhvendos ambasadën nga Jerusalemi, sepse do të ishte fundi i tij në politikë.
“Nëse Albini bën gabim ta zhvendos ambasadën nga Jersualemi ky do të ishte fundi i tij në politikë. Dua të besoj se qeveria e re së bashku me Vjosën, s’do të bien pre e ndikimeve të huaja, por do vazhdojnë t’u qëndrojnë pranë marrëveshjeve me SHBA. E përshëndes një vendim të tillë për ambasadën, ajo duhet të mbetet aty”, ka përfunduar Faton Mehmeti për “Bota sot”.
Ndryshe, ambasadore e Kosovës në Jerusalem është Ines Demiri.