Kundërshtimi i Osmanit nga opozita, a mund ta votojnë atë deputetë të LDK-së?

Politika

Kundërshtimi i Osmanit nga opozita, a mund ta votojnë atë deputetë të LDK-së?

Nga: A.SH Më: 18 mars 2021 Në ora: 14:59
Vjosa Osmani

Nga PDK-ja kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin dhe nuk do ta votojnë kandidaturën e Vjosa Osmanit për kryetare të shtetit.

Ndërsa, nga AAK, vet kryetari Ramush Haradinaj ka deklaruar se është në përgjegjësinë e fituesve të zgjedhjeve të gjejnë të mënyrën për të formuar institucionet.

Edhe LDK, kryetari Lumir Abdixhiku ka thënë se në vikend do të definojnë qëndrimin për postin e presidentit.

Analisti politik Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar këtë, duke thënë se qeveria dhe presidenti i Kosovës dihen, për shkak se qytetarët kanë vendosur për ndryshime që Albin Kurti të jetë kryeministër e Vjosa Osmani presidente e Republikës së Kosovës dhe se nuk ka kthim prapa e as zgjedhje të reja parlamentare.

Ai deklarata e opozitës i quan politike, dinamike e mediatike.

“Edhe pse të gjitha partitë opozitare: LDK, PDK e AAK deklarojnë se nuk do ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente, megjithatë, këto janë vetëm zhurma të pazareve të partive opozitare deri në momentin e votimit të Vjosa Osmanit për presidente. Qeveria e presidenti i Kosovës dihet, për shkak se qytetarët kanë vendosur për ndryshime që Albin Kurti të jetë kryeministër e Vjosa Osmani presidente e Republikës së Kosovës, kthim prapa nuk ka, po dhe zgjedhje të reja parlamentare nuk ka. Deklaratat e partive opozitare si gjithmonë janë politike, dinamike e mediatike për tërheqje vëmendjesh se ja dhe opozita vendos për president të shtetit”, ka thënë Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

 

Ai thotë se deputetët e pakënaqur të LDK-së me Lumir Abdixhikun, me siguri do votojnë Vjosa Osmanin për presidente.

“Puna e presidentit të Kosovës do zgjidhet lehtësisht e pa farë problemi sapo të formohet qeveria Kurti-2. Kur Zaevi për ndryshimin e emrit në Maqedoni Veriore i gjeti nëntë deputetë të opozitës për të ndryshuar kushtetutën, pse dhe Albin Kurti mos të gjente aq deputetë të opozitës për të votuar Vjosa Osmanin për presidente të Kosovës. Deputetët e pakënaqur të LDK-së me Lumir Abdixhikun me siguri do votojnë Vjosa Osmanin për presidente”, është shprehur profesori.

Tutje, ai shton se PDK-ja nuk do ta votojë për shkak të dhjetë kërkesave të Hoxhajt drejtuar Albin Kurtit.

“Deklarata paralajmëruese për të votuar Vjosa Osmanin erdhi edhe nga Haradinaj me tërheqjen e kandidaturës së tij për president. Nuk pritet vota për Vjosa Osmanin vetëm nga PDK-ja për shkak të dhjetë kërkesave serioze të Hoxhajt drejtuar Albin Kurtit, votat për Vjosa Osmanin do vijnë nga deputetët e LDK-së që s'janë të kënaqur me zgjedhjen e Lumir Abdixhikut për kryetar të LDK-së dhe nga grupi parlamentar i AAK-së. Pra, Vjosa Osmani do bëhet kryetare me votat e një numri të deputeteve të LDK-së, të deputetëve të AAK-së dhe deputetëve të pakicave jo serbe”, ka deklaruar Sylejman Mehazi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat