Para disa ditës Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka provokuar shqiptarët me publikimin e hartës së Kosovës, e cila u mbulua me flamurin serb.
Kjo ka bërë që të reagojnë shqiptarët në Kosovë e Shqipëri.
Ky veprim i Vuçiqt u cilësua si një skandal i radhës karshi shtetit të Kosovës, shkruan “Bota sot”.
Në mbishkrimin e kësaj, fotografie ai ka shkruar se Serbia nuk është e dobët.
“Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por dhe nuk harron, dhe nuk do të lejojë që 17 Marsi të ndodhë përsëri. Ne kujtuam dhe ngulitëm çdo mësim në të cilin ishim humbës, por nuk do të heshtim ndaj viktimave tona. Ne e dimë se çfarë ka ndodhur dhe ne e quajmë atë me emrin e saj të vërtetë – masakër”, ka shkruar Vuçiç.
Në lidhje me këtë temë njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që këto deklarata të tilla të shtetit të Serbisë provokojnë shtetin e Kosovës edhe pse kjo e fundit është pranuar nga mbi njëqind shtete ndërkombëtare.
Ahmeti shton që nuk janë të papritura këto deklarata por që kjo politikë e tyre nuk mund të prodhoj raportë të mira shtetërore por polarizime mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Deklaratat të tilla provokojnë shtetin e Kosovës dhe faktin juridik të shtetësisë së Kosovës të pranuara në mbi një qind shtete ndërkombëtare. Presidenti i Serbisë është i vetëdijshëm për legjitimitetin dhe legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por këto deklarata politike më shumë i përdor për konsum të brendshëm politik. Politika serbe po vazhdon të e provokojë shtetin e Kosovës në forma të ndryshme, edhe pse një gjë e tillë nuk është e papritur. Politika destruktive serbe nuk mund të prodhoj raporte të mira ndër shtetërore, por polarizime ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë”, u shpreh Ahmeti.
Më tej, analisti thotë që ky provokim na tregon që shteti i Serbisë është po e njejta si më herët dhe se kjo gjuhë pengon edhe dialogun mes dy shtetëve.
Ahmeti thekson që Serbia duhet të ndryshojë qasjen karshi një realiteti të pranuar ndërkombëtarisht pasi nëse nuk krijohet një marrëveshje mes dy shtetëve atëhere antarësimi në BE do të jetë vetëm në letër.
“Një logjikë e tillë politike tregon haptazi se politika serbe është po e njëjta dhe, nuk mund të prodhoj një realitet tjetërfare, rrjedhimisht gjuha e tillë pengon edhe vazhdimin e jë dialogu konstruktiv ndërshtetëror. Shteti serb duhet ta ndryshoj qasjen karshi një realiteti juridik të pranuar nderkombëtarisht, pasi rrugëtimi politik i të dyja shteteve është BE-ja dhe pa raporte të mira ndërfqinjësore realitetin për anëtarësim për BE do jetë vetëm në letër”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.