Pritjet nga Qeveria Kurti 2

Politika

Pritjet nga Qeveria Kurti 2

Nga: M.H Më: 23 mars 2021 Në ora: 15:34
Pamje nga Kuvendi i Kosovës gjatë formimit të qeverisë Kurti 2

Gjatë ditës së djeshme është formuar qeveria e re e Kosovës, me kryeministër Albin Kurtin. Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan për qeverinë e re të Kosovës me kryeministër Albin Kurti.

Qeveria Kurti mori 67 vota për dhe 30 kundër. Pas marrjes zyrtare të detyrës si kryeministër, sot u zhvillua mbledhja ceremoniale e Qeverisë së Kosovës, nën drejtimin e Albin Kurtit.

Para kabinetit qeveritar Kurti tha se vendi është në krizë të madhe shëndetësore, për çka kërkoi nga ministrat e tij që te hartojnë plane konkrete për menaxhimin e pandemisë dhe për ringjallje ekonomike.

Në lidhje me qeverinë e re të krijuar, ka folur për “Bota sot”, njohësi i çështjeve politike Leon Duhanaj, i cili u shpreh skeptik që kjo qeveri mund të ketë program të qartë qeverisës.

Analisti tregon katër arsye pse shprehet skeptik që kjo qeveri mund të ketë performancë të mirë, duke filluar në arsyen e parë ai thotë që Kurti nuk ka program të qartë qeverisës, së dyti analistit thotë që nuk kanë eksperienca qeverisëse, së treti Kurti dëshiron të ketë kontrollin individual dhe së katërti situata me pandeminë është tejet e rëndë e që kjo mund të i zhgënjejë qytetarët që presin zgjidhje nga kjo qeveri.

Image
Leon Duhanaj

“Për sa i përket Qeverisë së re Kurti, nëse bazohemi në performancën e tij tash e sa vite, nuk është që kam ndonjë pritshmeri të madhe, përkundrazi. Në radhë të parë, mendoj që z. Kurti nuk ka program të qartë qeverisës. Së dyti mendoj që u mungon eksperienca qeverisëse dhe edhe nëse ka kualitet diku, diku, nuk ka eksperiencë që të priten ndryshime të menjëhershme pozitive. Së treti mendoj që duke u bazuar në qasjen e deritanishme të z. Kurti, ai synon ta ketë situatën 100% nën kontrollin tij individual dhe kjo është e pamundur të ndodhë. Në ketë kontekst, mund të kemi stagnim dhe pengesë e lëvizjes përpara. Së katërti, duke qenë se situata është tejet e vështirë, qoftë me pandeminë Covid-19, qoftë edhe ajo ekosociale, mendoj që qytetarët të cilët presin zgjidhje cezariane, do të dalin të zhgënjyer”, u shpreh Duhanaj.

Nga ana tjetër, analisti thotë që pavarësisht skepticizmit të tij, koha do të tregojë nëse kjo qeveri do sjellë ndryshime pozitive. “Sido që të jetë, koha do të tregojë me saktësi çfarë do të ndodhë por që pritshmëria ime nuk është edhe aq e madhe. Sido që të jetë, në demokraci ndryshimet janë pozitive, sjellin freski të re dhe mundësi për reforma”, theksoi Duhanaj, për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat