Më shumë se një muaj pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, filloi formimi i institucioneve në Kosovë.
Me 22 mars u konstituua Kuvendi i Kosovës, me kryetar të tij Glauk Konjufcën.
Po atë ditë u formua edhe Qeveria Kurti 2, me kryeministër Albin Kurtin, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila doli fituese në zgjedhje me mbi 50 për qind të votave.
Për tu kompletuar formimi i institucioneve, tani duhet të zgjidhet edhe presidenti i Kosovës, që këtë post e synon Vjosa Osmani. Kjo e fundit nuk gëzon përkrahje nga partitë tjera opozitare si PDK, AAK e LDK.
Por, kryeministri Albin Kurti është i sigurt se ajo do të bëhet presidente.
Qëndrimi i LDK-së nuk është ende i qartë për këtë, derisa ata do të takohen me Osmanin.
Por, sa ka shanse që ajo të zgjidhet presidente dhe kështu të formohen institucionet e të fillojnë punën? Sa ka mundësi që deputetët e LDK-së ta votojnë atë?
Mehazi: Për Listën Serbe votuan 91 deputetë, çfarë logjike e prishur e deputetëve do ishte të mos votohet Vjosa Osmani me 80 deputetë
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike Sulejman Mehazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, është shprehur se zërat nga LDK, PDK e AAK që janë kundër Vjosës, janë të kotë.
Sipas tij, në Parlamentin e Kosovës nuk vendosin partitë po individualisht deputetët e Parlamentit të Kosovës që me votat e tyre do vendosin, Vjosa Osmanin, presidente të Kosovës e jo Hoxhaj, Abdixhiku e Haradinaj
“Pas konstuimit të shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë Kurti 2, pa humbur kohë e sa më shpejtë duhet të zgjidhet edhe presidentja e vendit, znj. Vjosa Osmani. Të kotë janë zërat e partive opozitare: LDK, PDK e AAK, kundër Vjosës. Si përherë partitë opozitare jo vetëm ndaj presidentit të shtetit do jenë kundër Kurtit e Vjosës, po edhe ndaj çdo veprimeve qeverisëse të tyre. Janë normale kundërshtimet e partive opozitare ndaj partive në pushtet, pasi detyra e tyre është të veprojnë kundër çdo veprimi të keq apo të mirë të qeverisë. Pas verifikimit të deputetëve e konstituimit të Kuvendit të Kosovës të kota janë reagimet opozitare për mos pajtimin e zonja Osmanit për presidente, pasi brenda parlamentin të Kosovës nuk vendosin partitë po individualisht deputetët e parlamentit të Kosovës që me votat e tyre do vendosin, Vjosa Osmanin, presidente të Kosovës e jo Hoxhaj, Abdixhiku e Haradinaj”, ka deklaruar Mehazi.
Sipas tij, kur u bënë për Listën Serbe votuan 91 deputetë, atëherë çfarë logjike e prishur e deputetëve do ishte të mos votohet Vjosa Osmani me 80 deputetë, Presidente e Republikës së Kosovës.
“Nëse për Listën Serbe të Vuçiçit votuan 91 deputetë, atëherë çfarë logjike e prishur e deputetëve do ishte të mos votohej Vjosa Osmani me 80 deputetë Presidente e Republikës së Kosovës. Jemi optimistë se aftësia e Kryetarit të ri të Kuvendit, Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti, do gjejnë aq deputetë sa për ta zgjedhur Vjosa Osmani presidente të Kosovës. Ligjërisht, askush nuk mund t'ua marrë të drejtën deputetëve të mos votojnë ashtu si duan vetë, pasi brenda parlamentit janë të dërguarit e popullit e shtetit e jo të partive të tyre jashtë parlamentit të Kosovës. Që me konstituimin e parlamentit deputetët e opozitës bëhen zëdhënës së qytetarëve e të Republikës së Kosovës e jo të partive të tyre politike”, ka thënë Sylejman Mehazi për “Bota sot”.
Lepaja: Çelësi i një zgjidhjeje është një marrëveshje mes VV-së dhe LDK-së, nëse ajo arrin të reformohet
Edhe analisti Fadil Lepaja, ka thënë se nëse LDK nuk reflekton dhe nuk mbështet antikorrupsionin dhe dekriminalizimin e institucioneve dhe proceseve në këtë shtet, do të humb kuptimin e ekzistencës së vet.
“Unë edhe më herët kam thënë se çelësi i një zgjidhjeje është në marrëveshje mes VV-së dhe LDK-së, nëse ajo arrin të reformohet. Me zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë, kjo LDK mund të gjejë një interes të përbashkët në kompletimin e institucioneve. Edhe LDK nëse nuk reflekton dhe nuk mbështet antikorrupsionin dhe dekriminalizimin e institucioneve dhe proceseve në këtë shtet, do ta humb kuptimin e ekzistencës së vet. Prandaj mendoj se duhet të bashkëpunojë pa kushte në këtë proces pra edhe zgjedhjen e presidentes dhe duhet të jap kontribut të pazëvendësueshëm edhe në procesin e dialogut”, është shprehur Lepaja.
Por, ai shprehet skeptik sepse thotë se pa qëndrimin në sallë të njërës nga dy partitë e mëdha të opozitës, mbetet vetëm shkuarja në zgjedhje të reja.
“Gjithashtu mund të jap një kontribut në të gjitha proceset me rëndësi nacionale dhe në rrugë e sipër të reformohet plotësisht dhe mbase në zgjedhjet e radhës të jetë konkurrent serioz për qeverisje. Gjithsesi, pa qëndrimin në sallë të njërës nga dy partitë e mëdha të opozitës mbetet vetëm shkuarja në zgjedhje të reja ose edhe një mundësi e vogël e një pazari me AAK-në dhe Listën Serbe çka nuk duket reale”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.