Vetëm pak ditë më parë Kosova ka themeluar institucionet e reja me kryeministrin e ri Albin Kurti, që u zgjodh në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Kurti gjatë fushatës zgjedhore ka përmendur edhe çështjet kyçe me të cilat do të merret në mandatin e tij, çështje këto për të cilat i ka kritikuar shumë qeveritë paraprake.
Njëra ndër proceset që më së shumti i shqetësojnë qytetarët e Kosovës, është ajo e liberalizimit të vizave.
Lidhur me këtë edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von-Cramon i ka kërkuar qeverisë së ardhshme të punojë dhe përfshihet në dialog me vendet skeptike për t’i bindur se meriton liberalizimin e vizave.
“Liberalizimi i vizave është në dorën e Këshillit: Janë vendet anëtare të BE-së ata që do të duhet të japin dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave. Sidoqoftë, nuk do të thotë që Qeveria e Kosovës nuk mund të bëjë asgjë. Rruga përpara është të sigurohemi që Qeveria e Kosovës të përfshihet në një dialog me ato shtete anëtare, të cilat janë skeptike për momentin. Më e rëndësishmja, qeveria franceze duhet të bindet se Kosova është e gatshme për liberalizimin e vizave. Ata duhet të sigurohen që çdo gjë që Franca ose shtetet e tjera anëtare do të kërkojnë mund të adresohet nga autoritetet kosovare, nëse mund të përcaktojnë aspekte të caktuara pse hezitojnë deri më tani, Kosova duhet t’i përmirësojë këto aspekte”, thotë Von-Cramon.
Kurti deri më tani nuk ka folur ende për këtë çështje sa i përket liberalizimit të vizave, mirëpo deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku në një përgjigje për “Bota sot” ka folur për planet e qeverisë Kurti në këtë drejtim.
Millaku: Qeveria Kurti do ta luftojë korrupsionin dhe më pas do të bëhet liberalizimi i vizave
Ajo ka deklaruar se pengesa kryesore për mosliberalizimin e vizave, ka qenë korrupsioni dhe lufta kundër korrupsionit. E sipas saj, Qeveria Kurti do të luftoj këto dukuri.
“Pengesat kryesore për mos liberalizimin e vizave ka qenë korrupsioni dhe mungesa e luftimit të korrupsionit. Qeveria Kurti padyshim që e ka në plan luftimin e korrupsionit dhe jam e bindur që kjo do të arrihet me punë në këtë drejtim dhe do të bëhet liberalizimi i vizave”, ka deklaruar Drita Millaku për “Bota sot”.
Mehmeti: Liberalizimi i vizave s’mund të ndodh para vitit 2023 dhe jo më larg se 2025
Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti ka përmendur edhe disa nga arsyet pse nuk kemi ende liberalizim të vizave.
“Liberalizimi i vizave është peng i korrupsionit të lartë, nepotizmit si dhe varfërisë së madhe. Pa hequr këtu as zbatimin e ligjit, si njëra ndër veprimet kryesore të hezitimit të shteteve kryesore për liberalizim”, ka thënë Mehmeti.
Po ashtu, analisti Mehmeti ka përmendur edhe periudhën kur mund të arrihet liberalizimi i vizave, duke thënë se kjo mund të ndodhë jo më larg se vitit 2025.
“Ky proces është i vështirë, duhet punë e madhe dhe hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Liberalizimi i vizave s’mund të ndodh para vitit 2023 dhe jo më larg se 2025. Brenda kësaj periudhe pritet të bëhet liberalizimi i vizave”, ka theksuar analisti Faton Mehmeti për ‘Bota sot’.
Ndryshe, mekanizmat evropianë e kanë konfirmuar që Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizim, por për të ndodhur kjo, secili nga shtetet anëtare të BE në Këshillin Evropian, duhet ta konfirmojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Prej muajit janar udhëheqjen e Këshillit e ka marrë Portugalia.
Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që akoma nuk e gëzon të drejtën e lirisë së lëvizjes në zonën Shengen.