Me 50.28 për qind apo 438.335 vota, partia e tij u shpall fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit.
E kështu, lideri i saj Albin Kurti, u zgjodh kryeministër i Kosovës me 22 mars, me gjithsej 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim.
Ashtu edhe siç ishin deklaruar, partitë opozitare nuk e votuan atë.
Por, përpos kësaj, nuk kishin si të mos merrnin vëmendje veprimet e tyre, menjëherë pas votimit të Kurtit si kryeministër i vendit.
Në momentin kur po bëhej betimi i kabinetit qeveritar, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, e lëshuan sallën. Ishte u.d i kryetarit të PDK-së Enver Hoxhaj që u ngrit për ta lëshuar sallën, e pas tij njësoj veproi edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
LDK dhe PDK janë kritikuar nga opinioni publik për këtë veprim.
Po ashtu, njohës të çështjeve politike kanë hedhur kritika për lëshimin e sallës nga PDK-ja dhe LDK-ja.
Sipas tyre, një gjë të tillë nuk do duhej ta bënte LDK-ja. Ndërkaq, shprehen se partitë politike duhet të reflektojnë dhe t`i lënë anash inatet politike.
Mehmeti: LDK nuk duhet të bie nën nivel të PDK
Analisti politik Faton Mehmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, është shprehur se LDK-ja nuk ka pasur arsye që të dalë nga salla.
Po ashtu, ai ka thënë se LDK nuk duhet të bie në nivelin e PDK-së, e as të bëhet vegël e saj.

“Nuk besoj se ka pasur arsye LDK të dalë nga salla. Është thjeshtë vendim për të treguar gjoja opozitarizëm. LDK nuk duhet të bie në nivel të PDK-së e as të bëhet vegël e saj e veprimeve të saja opozitare”, ka potencuar ai për “Bota sot”.
Gjithashtu, Mehmeti shpreson se LDK s’do bie nën diktatin e PDK-së.
“LDK është dashur të qëndrojë në Kuvend dhe të votojë kundër, por jo të largohet nga salla. Shpresoj se LDK s`do bie nën diktatin e PDK, por të bëj një opozitë të shëndosh dhe në nivel të saj . Megjithatë LDK veprojë mirë kur dorëzojë pushtetin duke treguar një nivel të larte të përgjegjësisë”, ka deklaruar Mehmeti për “Bota sot”.
Bytyçi: LDK në sinkron me PDK-në
Ndërsa, opinionisti Adem Bytyçi, ka deklaruar se LDK-ja është duke vepruar në sinkron me PDK-në dhe partitë tjera.

“Po LDK-ja mendoj unë është duke vepruar në sinkron me PDK-në dhe partitë tjera që i humbën zgjedhjet e fundit të parakohshme. Tani, nuk mund të them me saktësi se çka do të ndodhë pas bisedimeve të Kryetarit të tanishëm të LDK-së, me Vjosa Osmanin kandidate për Presidente, se a do të votojnë Osmani për Presidente apo do t'i bashkohen kalvarit kundër Vjosës së bashku me PDK-në.”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Hertica: Subjektet opozitare janë duke e emituar në të kaluar VV
Kurse, njohësi i çështjeve politike, Ali Hertica, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka kritikuar daljen e deputetëve nga salla e Kuvendit të Kosovës, këtë e ka quajtur jo përgjegjësi të tyre.

“Situata e cila e ka kapluar vendin tonë nga skenarët politik, dhe deputetet e papërgjegjshëm, së bashku me liderët e tyre partiak po trumbeton si një mos përgjegjësi politike dhe morale ndaj shtetit dhe institucionit.
Tani daljet e deputetëve nga salla e kuvendit gjatë vendimeve që janë vendimtare për shtetin thuajse janë bërë si një lojë pingpongu nga subjektet ku për inate dhe teke partiak dhe mos gatishmërinë politike po shtytjen e proceseve lëshojnë sallat pa dhënë kurrfarë përgjegjësie as institucionale as morale sepse sovrani ju ka dhënë bekimin të janë në sallë e jo jashtë saj”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.
Me tej, Hertica është shprehur se tani subjektet opozitare janë duke e imituar në të kaluar VV-në.
“Tani situata është që të gjithë bashkërisht duhet të marrin vendime të qëndrueshme të shtetit ligjor dhe institucional. E gjithë kjo po reflekton nga subjektet politike, siç është PDK, por më herët këtë e bënte edhe vet VV dhe e gjithë kjo ka filluar nga ky subjekt politik dhe tani subjektet opozitare janë duke e emituar në të kaluar VV”, ka theksuar ai për “Bota sot”.
Po ashtu, Hertica ka shtuar se subjekt politik duhet t`i lënë inatet politike anash.
“Mirëpo tani duhet të reflekton secili subjekt politik dhe të lihen me një anë inatet sepse shteti është parësor dhe situata është jo e mirë politikisht në vend, prandaj bie në kundërshtim me përpjekjet e popullit për çlirim, bie në kundërshtim me te ardhmen e sigurt të gjeneratave që vijnë”, ka përfunduar Ali Hertica për “Bota sot”.