Nga formimi i institucioneve në vend, çështja ka mbetur vetëm te zgjedhja e presidentit.
Është ndër temat themelore sepse moszgjedhja e presidentit, mund ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Partitë opozitare PDK, AAK kanë shprehur qëndrim kundër sa i përket mbështetjes dhe votimit të Vjosa Osmanit për presidente.
Por, LDK ka nisur takimet me Osmanin për zgjedhjen e presidentit.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku disa ditë më parë ka zhvilluar një takim me Vjosa Osmanin, kandidate për presidente të Kosovës.
Ai ka thënë se seanca për presidentin mund të thirret nëse ka pajtueshmëri edhe nga akterët tjerë politikë, ndërsa ka thënë se do të ketë edhe një takim tjetër me Osmanin, pasi do të takohet me kryesinë e partisë për të vendosur për këtë temë.
“Takimi është zhvilluar në atmosferë të mirë. Kemi diskutuar edhe pozicionin e saj karshi akterëve partiakë. Do të kemi edhe një takim të ardhshëm", ka thënë Abdixhiku.
“Zgjedhja e presidentit duhet të ndodh brenda afatit të shkurtër kohor. Në të ardhmen bashkëpunimi mbetet i hapur me ata që përputhen me LDK-në. S’mund të ketë qëndrime individuale, por vendimet i merr në organet e saja më të larta”, ka deklaruar kreu i LDK-së.
Ata ende nuk kanë caktuar se kur mund të mbahet takimi i radhës mes tyre.
Voca: LDK do të jetë konstruktive dhe do të marrë pjesë në votimin e kandidates, Vjosa Osmani
Profesori i gjeopolitikës dhe ligjëruesi në Paris, Mirsad Voca, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se zgjedhja e Lumir Avdixhikut në krye të LDK-së, po jep përshtypje të një reflektimi konstruktiv.
“LDK bëri kthesë interesante dhe shumë reformative, një rrugë të cilën do të duhej ndjekur edhe partitë tjera opozitare. LDK me kryetarin e saj të ri Lumir Abdixhiku, po jep përshtypje të një reflektimi konstruktiv dhe kjo është për tu lavdëruar. Humbja e LDK-së i shërbeu asaj që të kalojë nëpër këtë fazë reformimi dhe ky momentum i jap asaj kahje të ndryshme lidhur me të ardhmen e saj. Megjithatë, deri më tani, lënë anash paragjykimet se mund të ketë, siç flitet ndonjë prapavijë apo të tjera vlerësime nga qarqe që nuk ia duan të mirën jo vetëm LDK-së por as Kosovës, kjo e fundit po tregon diskurs të lartë politik”, ka thënë Voca.
Sipas tij, bisedimet mes Osmanit dhe Abdixhikut janë për t’u lavdëruar dhe se LDK do të jetë konstruktive dhe do të marrë pjesë në votimin e kandidates Vjosa Osmani, sepse zgjedhjet e fundit treguan se shumica e popullit votoi për Albin Kurtin për kryeministër dhe Vjosa Osmanin për presidente të Republikës së Kosovës.
“Bisedimet mes kandidates për Presidente Zonjës Vjosa Osmani dhe ish kolegut te saj, tani kryetar i LDK-së Lumir Abdixhiku, janë po ashtu për tu lavdëruar dhe nuk mund të jetë ndryshe sepse tek e fundit Vjosa Osmani është rritur në atë shtëpi dhe vjen nga ajo familje politike. Besoj se LDK do të jetë konstruktive dhe do të marrë pjesë në votimin e kandidates Vjosa Osmani, sepse zgjedhjet e fundit treguan se shumica e vullnetit të popullit votoi Albin Kurtin për kryeministër dhe Vjosa Osmanin për presidente të Republikës së Kosovës. Ani pse zgjedhja e Presidentit nuk bëhet me votim të drejtpërdrejt, referendumi i thirrur nga kandidatja Vjosa Osmani dhe Albin Kurti doli të jetë me mbi 50 për qind, pra për ndryshim”, është shprehur Voca.
Sipas tij, nuk duhet të vihemi kundër këtij referendumi është njëjtë sikur të vihemi kundër vullnetit të popullit të Kosovës.
Ai si shqetësim e sheh mospjesëmarrjen në parlament të PDK-së e AAK-së, sepse sipas tij po rreshtohen kah Lista Serbe dhe kundër vullnetit të sovranit.
të vihemi kundër këtij referendumi është njëjtë sikur të vihemi kundër vullnetit të popullit të Kosovës dhe vet Shtetit të Kosovës, të cilën gjë vetëm Serbia dhe Lista Serbe do ta admironin. Nga ky këndvështrim shoh se prapavija e vërtetë ndodhet tek partitë tjera opozitare siç janë PDK dhe AAK, të cilat zyrtarisht u deklaruan se nuk do të marrin pjesë në Parlament për të votuar Presidentin. Kjo është shqetësuese sepse këto parti opozitare po rreshtohen kah Lista Serbe dhe kundër vullnetit të sovranit, këtë herë si asnjëherë më parë sepse kemi shumicën e popullit që ka votuar për ndryshim”, ka deklaruar Voca.
Më tej, ai ka theksuar se nëse PDK dhe AAK nuk marrin pjesë në votim të Presidentit të Republikës së Kosovës, në këtë rast të kandidates Vjosa Osmani, patjetër që ndëshkimi ndaj tyre do të jetë i pariparueshëm.
“Nëse PDK dhe AAK ndjekin këtë diskurs politik dhe nuk marrin pjesë në votim të Presidentit të Republikës së Kosovës, në këtë rast të kandidates Vjosa Osmani, patjetër që ndëshkimi ndaj tyre do të jetë i pariparueshëm, sepse të dalësh kundër vullnetit të popullit, kundër një referendumi të qartë të popullit të Kosovës, është njëjtë sikur të rreshtohesh krahas politikës serbe, e cila nuk merr fare parasysh vullnetin e Popullit të Kosovës dhe e mohon ekzistencën e tij. Partitë opozitare, pa inate por duke e pranuar humbjen, sepse humbjet janë të mira shpesh për të na çliruar nga gabimet, duhet të marrin pjesë në votim të Presidentit të ri, përndryshe do jenë pikërisht këto parti opozitare që do e bartin tërë barrën në rast se kemi ngërç politik apo tentim për të bllokuar funksionimin institucional të Republikës së Kosovës. Mbi të gjitha, nuk besoj se do ia bëjnë këtë vetes sepse Kosova prapë do të vazhdojë përpara me apo pa ato dhe duke reflektuar pozitivisht do të marrin pjesë në Parlament për të votuar Presidentin, ose në rastin më të keq populli tashmë i vetëdijesuar, e kupton saktësisht se kë do ta ndëshkonte më së shumti", ka vlerësuar ai.
Po ashtu, ai shton se diskurset e disa opinionistëve se barra kryesore do të bie mbi LDK-në në rast të ngërçi eventual politik nuk janë asgjë tjetër veçse të njëanshme dhe jo të drejta.
"Kushtetuta kërkon prej të gjithë deputetëve përgjegjësi institucionale ndërsa diskurset e disa opinionistëve që flasin se barra kryesore i bie LDK-së për ndonjë ngërç eventual politik dhe shfajësojnë partitë tjera, duke u orvatur t’i largojnë ato nga përgjegjësia e tyre, nuk janë asgjë tjetër veçse të njëanshme dhe jo të drejta dhe si të tilla nuk shkojnë në favor të një debati intelektual. Dhe në fund, për ata që vënë etiketime, këtu nuk kemi të bëjmë as me kandidat përçarës dhe as populist por me dy personalitete mjaft unifikuese, të cilët thjesht shumica e qytetarëve të Kosovës i votoi për të udhëhequr me Shtetin”, ka përfunduar Mirsad Voca për "Bota sot".
Ahmeti: LDK ka vetëm një rrugë racionale, votimin e znj.Osmani për presidente
Edhe analisti politik Hidajet Ahmeti, për “Bota sot”, ka thënë se LDK-ja ka vetëm një rrugë racionale, votimin e Vjosa Osmanit për presidente.
Ai shprehet se tentimi për të shantazhuar me presidentin nga ana e LDK-së, është në dëm të saj.
“LDK ka vetëm një rrugë racionale, votimin e znj.Osmani për presidente. Çdo tentim për të shantazhuar me zgjedhje apo ndonjë modus tjetër është në dëm të saj. LDK-ja do të mundohet të kamuflojë çështjen e votimit me një president apartiak, e cila për mendimin tim sa është e palogjikshme është edhe absurde, pasi kurdo që bëhet presidente nuk asnjë garanci që ai/ajo të jetë e anshme politikisht”, është shprehur Ahmeti.
Sipas tij, me këto takime LDK-ja po mundohet të kamuflojë presidentin me një logjike absurde.
“Prandaj, LDK-ja po mundohet të kamuflojë presidentin me një logjike absurde, por logjikisht e racionalisht ka vetëm modusin për të votuar presidentin, çdo variant tjetër është në dëm të LDK-së”, ka përfunduar Hidajet Ahmeti për "Bota sot".