Këshilli i Bashkimit Evropian i ka vazhduar mandatit të dërguarit të saj për dialogun Kosovë –Serbi.
Mirosllav Lajçak do ta jetë në krye të dialogut edhe për 17 muaj.
Por, në Kosovë ka mendime se BE-ja nuk është dashur t`ia vazhdojë misionin Lajçak-ut.
Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, ka theksuar për "Bota sot" se Lajçak ka bërë disa gabime, për të cilat nuk është dashur t`i vazhdohet misioni.
“Gjykoj se vazhdimi i mandatit të Dërguarit Special për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, potencialisht është vazhdimësi e logjikës së njëjtë dialoguese, pasi po njëjti ka bërë disa gabime të cilat do ta arsyetonin për të mos ia vazhduar mandatin”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes lidhur me emërimin e ekipit negociator.
“Qeveria e re duhet të jetë syhapur në emërimin e ekipit negociator dhe të ketë një strategji të qartë dialoguese, si një çështje shumë të ndjeshme për të ardhmen dhe anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtar”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Në fund, Ahmeti ka vënë në theks se Lajçak nuk duhet që të jetë në frymën e shtetit nga është, por në frymën e institucioneve të BE-së .
“Lajcak duhet objektiv e të përfaqësoj mandatin e tij në mënyrën më të mirë të mundshme e jo të jetë i njëanshme , pasi dialogu si dy palë të barabarta nuk do të ketë kuptim. Mandati i zotit Lajçak nuk duhet të jetë në frymën e shtetit nga është, por në frymën e institucioneve të BE-së për të ndërtuar besim e siguri reciproke si dy shtete të barabarta në dialog, por mbi të gjitha për të prodhuar rezultate konkrete në raportet e mira në mes dy shteteve”, ka përfunduar Ahmeti për “Bota sot”.