Raporti i DASH-it “shuplakë” për Kosovën, të gjithë sytë kah Qeveria Kurti

Politika

Raporti i DASH-it “shuplakë” për Kosovën, të gjithë sytë kah Qeveria Kurti

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 1 prill 2021 Në ora: 17:16
Albin Kurti

Kosova po vazhdon të ballafaqohet me probleme mjaft të mëdha.

Këto probleme janë evidentuar edhe në vitin 2020 nga Departamenti i Shtetit amerikan, të cilët e kanë publikuar raportin e fundit për Kosovën.

Në këtë raport flitet për përfshirjen e zyrtarëve në aferat korruptive, mos ndëshkimi i tyre, si dhe për dështimet në sistemin e drejtësisë në luftën ndaj korrupsionit.

Më tej, në raport përmendet qartë që zyrtarët e korruptuar vazhdojnë të punojnë në sektorin publik, ndërkaq ka nga ata që janë dënuar, por kanë marrë dënime të buta.

Me raportin e Dash-it pajtohen edhe ekspertët, ku sipas tyre, Kosova me vitet të tëra po vazhdon të ballafaqohet me këto probleme. Por, ata shohin shpresë të Qeveria e re.

Sipas tyre, Qeveria e re e udhëhequr nga Qeveria Kurti, do të punojnë në përmirësimin e këtyre problemeve.

Raporti i Dash-it, Qarri pret ndryshime për të mirë nga Qeveria e re

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se u vërtetua nga DASH se Kosova po vazhdon të ballafaqohet me probleme të njëjta, por shpreson që Qeveria e re do të bëjë ndryshime në këto aspekte.

Image
Gani Qarri

“Fatkeqësisht deri më tani Kosave ka vazhduar me të njëjtat probleme, ashtu sikur se edhe gjatë viteve të kaluara, gjë që u vërtetua përfundimisht nga vet Departamenti i Shtetit Amerikan, DASH, në raportin e tij, të sapo publikuar për Kosovën. Andaj, Kurti është kryeministri i parë që pas më tepër se dy dekadave, kaos ligjor e politik në vend, përfundimisht, pritet t`ia ndryshojë për të mirë, imazhin e shkatërruar nga bandat, të shtetit tonë të brishtë, ta rivendos rendin e ligjin dhe vejë para drejtësisë, të gjithë kriminelët dhe të korruptuarit, të cilët për 21 vite me radhë, e sollën Kosovën në këtë gjendje pa rrugëdalje”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se çfarë thuhet në raportin e DASH për Kosovën dhe çfarë duhet bërë nga Qeveria e Kosovës.

“Madje siç theksohet edhe në raportin e DASH për Kosovën, në krye të institucioneve shtetërore vazhdojnë të qëndrojnë ende edhe shumë të inkriminuar, kundër të cilëve Qeveria e re duhet të ndërmarr të gjitha hapat e nevojshme për mënjanimin sa më parë të tyre nga funksionet dhe dërgojë ata ku e kanë vendin”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Më tej, Qarri ka treguar se cila është frika e ish pushtetarëve të cilët e kanë udhëhequr vendin në këto 20 vitet e fundit.

“E pikërisht frika e madhe e ish pushtetarëve të deridjeshëm mafioz politik, për ballafaqimin me ligjin, mbi bëmat dhe të kaluarën e tyre kriminale, është arsyeja kryesore dhe e vetme pse ata po tentojnë, në çdo mënyrë, që të riorganizohen dhe bashkohen në një grupacion të ri të inkriminuarish të ashtuquajtur bllok opozitar, duke bërë gjithçka për ta penguar dhe pamundësuar me çdo kusht jetëgjatësinë e Qeverisë  së re dhe bllokuar sa më gjatë zgjedhjen e presidentit duke nxitur edhe provokimin e zgjedhjeve  të reja, sa për të fituar në kohë, por besoj se çdo gjë e kanë kot dhe as që do të kenë sukses, për vet faktin se siç e kanë vërtetuar edhe vet votimet e 14 shkurtit të famshëm, ata zgjedhjet i kanë të humbura qysh tani, e nëse e sprovojnë veten edhe një herë, do shndërrohen apriori në teprica tërësisht të pa vlera politike”, ka vlerësuar Qarri.

Gjithashtu, analisti ka përmendur disa nga shfuqizimet që duhet bërë nga Qeveria e Kosovës.

“Qeveria e re duhet t’i shfuqizojë edhe të gjitha aktet bizare, të Hashim Thaçit e Isa Mustafës, për formimin e Asociacionit kundërkushtetues të komunave serbe, për vetëm 20 mijë banor serb, akt renegat, që rrezikon hapur rregullimin e brendshëm shtetëror dhe çon në bosnjëzimin e Kosovës si dhe ta vendosë kuislingun Thaçi para drejtësisë, për kërkesën e jashtëligjshme antikombëtare dhe antishtetërore të tij drejtuar edhe faktorëve ndërkombëtarë për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës, duke sjell vendin mbi dy dekada, pas çlirimit, në prag të ekzistencës dhe shuarjes së tërësishme të shtetësisë së Republikës së Kosovës si shtet i lirë dhe i pavarur”, ka vlerësuar Gani Qarri për “Bota sot”.

Bytyçi: Qeveria Kurti do t'i abrogojë të gjitha pengesat

Ndërkaq, opinionisti Adem Bytyçi në një prononcim për “Bota sot”, shprehet optimist për ndryshimet nga Qeveria e re.

Image
Adem Bytyçi

Ai ka thënë se duhet bërë shfuqizimi i pengesave të cilat përmenden në raportin e departamentit amerikan.

“Gjithsesi se do të ndryshojë Raporti DASH për Kosovën, me rastin e ardhjes së Qeverisë Kurti në qeverisjen e vendit. Qeveria Kurti do t'i abrogojë të gjitha pengesat të cilat kanë influencuar që DASH të nxjerr raporte negative në mënyrë të përsëritur për Kosovën”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga Kurti, do të përmirësojë performancën në fushat ku Kosova ka eksperienca negative.

“Unë gjykoj se Qeveria Kurti, do të përmirësojë performancën në çdo fushë, për t'i eliminuar të gjitha eksperiencat negative në të cilat DASH i ka mbështetur raportet jo të mira për Kosovën”, ka theksuar Bytyçi për “Bota sot”.

Mehmeti: Raporti i DASH, shuplakë për institucionet e Kosovës

Ndërkaq, analisti politik Faton Mehmeti, ka theksuar se problemet të cilat janë përmendur çdo vjet në raportin e DASH janë serioze dhe janë pasojë e politikës së mbrapshtë.

Image
Faton Mehmeti

“Fatkeqësisht çdo vjet pothuajse përsëritet i njëjti raport, pasi edhe problemet janë të njëjta: korrupsioni, nepotizmi, mungesa e funksionimit të pavarur të drejtësisë etj. Të gjitha këto janë probleme serioze, e të cilat janë pasojë e politikës së mbrapsht. Politikanët tanë, asnjëherë nuk janë mërzitur për raportin e DASH, ata kanë heshtur përballë saj, dhe prapë kanë vazhduar me avazin e vjetër. Sidomos, drejtësia e kapur nga politika, e ndikuar nga ajo është problem shumë serioz”, ka deklaruar ai për ”Bota sot”.

Sipas Mehemeti, raporti i DASH-it duhet të merret seriozisht dhe të bëhen reforma të thella.

Po ashtu, ai ka cekur se ky raport është shuplakë për institucionet e Kosovës.

“Të gjitha në këtë raport duhet të merren shumë seriozisht, të bëhen reforma të thella në drejtësia, e cila është baza kryesore për të evituar të gjitha këto problem ose thënë më realisht, të zvogëlohet shkalla e korrupsionit. Ky raport është shuplakë për institucionet e Kosovës, për dështimet e tyre në fushat kryesore të shtetit. Dua të besoj së në raportin e vitit të tjetër të ceket angazhimi i institucioneve të Kosovë, për të luftuar korrupsionit dhe me reformat në drejtësi”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat