Vjosa Osmani po synon postin e presidentit të shtetit të Kosovës.
Ajo në zgjedhjet e 14 shkurtit mori mbi 300 mijë vota nga qytetarët e Kosovës, derisa ishte kandidate për të parën e vendit,
Pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, tani ka mbetur që të zgjidhet presidenti.
E për këtë, PDK dhe AAK kanë thënë se nuk e votojnë Osmanin. Ndërsa, LDK-ja ka marrë vendim që t’ia bëjë kuorumin Osmanit.
Kështu e ka bërë të ditur kreu i partisë, Lumir Abdixhiku pas takimit me deputetët e partisë së tij.
“LDK-ja nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e presidentit të vendit, që LDK si gjithherë do të ushtrojë detyrimin e saj kushtetues e të marrë pjesë në votimin e presidentit të vendit”, tha ai.
Abdixhiku tha se ky është vendimi i Kryesisë së LDK-së të votuar me shumicë absolute, duke shtuar se ai pret që të gjithë 15 deputetët e partisë të tij, të respektojnë këtë vendim. Madje ai tha se presidenti i ri i vendit, duhet të jetë bashkues dhe i të gjithëve dhe jo t’i “nënshtrohet një pushteti".
Mirëpo, ndryshe nga vendimi i Abdixhikut, deri 3 deputetë të LDK-së mund të mos qëndrojnë në sallë gjatë seancës për president, njëri ndër ta është edhe Agim Veliu, i cili ia ka bërë të qartë Abdixhikut se ai nuk merr pjesë në seancën për votimin e Vjosa Osmanit për Presidente.
Përpos Veliut, kundër vendimit të kryesisë së LDK-së janë edhe Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj.
Dilemat e këtyre 3 deputetëve për çështjen e presidentit i ka konfirmuar edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Mospjesëmarrjen e këtyre deputetëve në seancë për votimin e presidentit e kanë komentuar edhe disa njohës të çështjeve politike.
Shahu: Deputetët e LDK-së kanë të drejtë të reagojnë ndaj Osmanit
![Image](/media/botasot.info/images/2021/April/01/auto_850x636_Rexhep-Shahu16147207871617298181.jpg)
Njohësi i çështjeve politike Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se pasi Osmani rrënoi LDK-në, kanë të drejtë të reagojnë ndaj saj, si duke mos ia dhënë votën ashtu edhe duke mos marrë pjesë në seancë.
“Unë nuk e di a do të marrin pjesë apo jo 4 deputetë, siç nuk e di as unë dhe besoj as Vjosa se a do ta votojnë atë deputetët e LDK-së. Natyrisht që nuk është pranverë me lule shumë. Dita që do të votohet Vjosa nga deputetët e LDK-së, të cilët e dinë mirë se Vjosa për karrigen e saj e rrënoi LDK-në, atëherë deputetët e LDK-së kanë të gjithë të drejtën të reagojnë ndaj Vjosës, si duke ia dhënë votën, apo duke mos ia dhënë votën, duke mos marrë pjesë në seancë, duke marrë pjesë e duke abstenuar. Deputetët janë sovranë dhe nuk besoj se LDK-ja me kryetarin e ri do të shndërrohet në repart ushtarak, pasi ky votim veç të tjerave është edhe shumë emocional”, ka deklaruar Shahu.
Burjani: LDK duhet të bëjë koalicion me LVV-në
![Image](/media/botasot.info/images/2021/April/01/auto_auto_Blerim_Burjani15929397121617298181.jpg)
Ndërsa, juristi Blerim Burjani, ka thënë se kjo e sjellë LDK-në në pozitë të vështirë dhe sipas tij, LDK-ja duhet të bëjë koalicion me LVV-në sepse do të ishte diçka pozitive dhe do t’i sillte stabilitet LDK-së por edhe perspektivë në të ardhmen.
“Kjo prapë e sjell në pozitë të rëndë LDK-në, kjo është e arsyeshme. Votimi i Vjosës duhet të bëhet për të kthyer Vjosën në LDK, kjo do të ishte e arsyeshme. Mendoj se LDK-ja duhet të hyjë në koalicion me LVV-në, ia jep votat por edhe bëhet pjesë e qeverisë, kjo do të ishte shumë pozitive për LDK-në dhe qeverinë aktuale për të krijuar stabilitet. Pra, LDK-ja duhet të hyjë në koalicion, nuk ka tjetër zgjidhje për shkak se përçan LDK-në, pra duhet të fillojnë bisedat urgjente me LVV-në për te arritur një marrëveshje për qeverisje me LDK-në, kjo do t’i sillte stabilitet LDK-së dhe perspektivë në të ardhmen”, ka theksuar Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.
Bajraj: Vendimi i LDK-së, e bën atë të nënshtruar dhe të dorëzuar
![Image](/media/botasot.info/images/2021/April/01/auto_auto_auto_auto_auto_tygh15583831201560803418157037346516061505641617298183.jpg)
Ndërsa, analisti i çështjeve politike Fatmir Bajraj, vendimin e LDK-së e quan vendim oportun dhe jo parimor, sepse e nxjerr LDK-në subjekt të nënshtruar.
Sipas tij, LVV ka përdorur shantazh kundër LDK-së, sepse sipas tij, duhej të kërkonin bashkëpunim dhe koordinim për zgjedhjen e një presidenti konsensual në vend të atij partiak.
“Mos mbështetja e Vjosa Osmanit, besnikëri ndaj LDK-së dhe 110 mijë qendrestarëve-votues. Vendimi i Kryesisë së LDK-së më të cilin zotohet se do t'i bëjë kuorumin kandidates së LVV-së për presidente, znj.Vjosa Osmani është vendim oportun dhe jo parimor dhe mbi të gjitha është vendim absurd i cili e nxjerr LDK-në, si subjekt të nënshtruar dhe të dorëzuar përballë frymës së hegjemonizmit, duke u sjellë sikur patericë e pushtetit njëpartiak, njëmendësisë dhe totalitarizmit Kurtian. LDK-së, nuk i është kërkuar mbështetja nga LVV-ja, dhe lideri saj Kurti për kandidaten e tyre për presidente, bile nuk i është kërkuar as mendimi i saj, përkundrazi LVV-ja, dhe z.Kurti kanë përdorë shantazhin kundër LDK-së me dërgimin e vendit në zgjedhje në vend që të kërkonte bashkëpunim dhe koordinim në zgjedhjen e një presidenti konsensual në vend të atij partiak, siç është znj.Vjosa Osmani (LVV)”, ka deklaruar Bajraj.
Tutje, ai ka theksuar se nuk është e detyruar LDK-ja t’ia bëjë kuorumin, edhe atëherë kur nuk i ka numrat në Parlament.
Bajraj thotë se vendimi i LDK-së, nuk është parimor dhe as programor përderisa nuk ka të bëjë me kandidaturën e LDK-së, madje duke i dhënë edhe mbështetje kandidates për president, do të ishte me pasoja për LDK-në.
“Servilizmi fatalist i LDK-së, përballë LVV-së, është shenjë dobësie dhe dorëzimi dhe assesi sjellje dhe qasje konstruktive dhe institucionaliste, përkundrazi. LDK-ja, nuk i detyrohet fituesit të zgjedhjeve t'ia bënë kuorumin dhe t'ia shtroj rrugën për shtrirjen e pushtetit monist-bolshevik, edhe atëherë kur ky pushtet agresiv nuk i ka as numrat në Parlament që të sillet me kaq arrogancë dhe agresivitet. Vendimi i Kryesisë së LDK-së, në rastin konkret, nuk është vendim parimor-konceptual dhe as programor e statutar, kur dihet se ky vendim nuk ka të bëjë më kandidaturë të LDK-së, dhe as për një kandidat konsensual i cili do duhej të mbështetej për interes të shtetit dhe proceseve delikate nëpër të cilat po kalojmë. Dhurata e LDK-së për LVV-në e z.Kurti, duke ia përmbushur hegjemoninë me mbështetjen e kandidates për presidente, do të ishte akt vetëvrasës dhe me pasoja të pa parashikueshme për LDK-në dhe për vendin, kur premisat e një diktature në ardhje , janë në horizont”, ka shtuar ai.
Ai e quan akt moral kundërshtimin e LVV-së për presidentë, ndërsa, vendimi i LDK-së për të mos mbështetur Osmanin, nuk është kundër, por vetëm do të ishte veprim i pjekur politikisht.
Bajraj thotë se ata që nuk e votojnë Osmanin, janë deputetë me dinjitet të lartë të LDK-së.
“Deputetët besnik të LDK-së, nuk tradhtojnë qendrestarët. Kundërshtimi i kandidates së LVV-së për presidente është jo vetëm premtim i mbajtur ndaj qendrestarëve, por është edhe akt moral dhe parimor në politikë, duke promovuar konsistencë dhe koherencë në qasje dhe veprim. Vendimi i deputetëve të LDK-së që të mos mbështesin Vjosa Osmanin për presidente, nuk është i drejtuar kundër Kryetarit të LDK-së, z.Lumir Abdixhiku, dhe as kundër interesit të LDK-së dhe Kosovës, përkundrazi do të ishte një veprim i pjekur politikisht dhe në dobi të vendit. Ata të cilët nuk votojnë dhe nuk i bëjnë kuorumin Vjosa Osmanit, janë deputet më integritet dhe dinjitet të lartë në LDK, në të cilët besojnë dhe shpresojnë qendrestarët të cilët nuk ia kthyen shpinën LDK-së në ditët më të vështira”, ka përfunduar Fatmir Bajraj për “Bota sot”.