“Problem të bindet Agim Veliu, por jo edhe Avdullah Hoti e Driton Selmanaj”

Politika

“Problem të bindet Agim Veliu, por jo edhe Avdullah Hoti e Driton Selmanaj”

Nga: A.Morina Më: 4 prill 2021 Në ora: 16:53
Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj

Njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi në një prononcim për gazetën "Bota sot" ka komentuar veprimin e tre deputetëvetë LDK-së, Avdullah Hotit, Agim Veliut dhe Driton Selmanajt, për mos votimin e Vjosa Osmanit presidente.

Krasniqi beson që pavarësisht këtyre votave të ‘treshes’ së LDK-së, Osmani do arrijë të bëhet presidente e vendit.

“Sot besoj që do të bëhet kuorumi për presidente, pavarësisht problematikës së kuorumit.

Është problem të bindet z. Veliu, por jo z.Hoti dhe z. Selmanaj sepse vetë ata ishin që e sulmonin kandidaten e tyre për kryeministër tani për presidente znj.Osmani se s'po e respekton vendimin e partisë”, deklaroi ai.

Analisit tha se partitë opozitare kanë shumë arsye për ta bërë kuorumin e presidentit, njëra ndër ato është se në këtë mënyrë ata shmangin zgjedhjet e reja dhe sigurojnë stabilitet politikë.

“Partitë opozitare kanë shumë arsye për ta bërë kuorumin për postin e presidentit, me të cilën sigurojnë mos dërgimin e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe thellimin e një krize të re, me të cilën nuk është atakuar me parë ndonjë vend demokratik”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, Krasniqi bëri apel te subjektet politike që t’i lënë anash inatet personale dhe politike dhe të bashkohen për të mirën e vendit dhe qytetarëve të saj.

“Këtë kohë e veçon pandemia, ku klasa politike pozitë dhe opozitë duhet t'i lënë inatet politike dhe personale me një anë dhe të bashkohen për të mirën e qytetarëve dhe përmirësimin e gjendjes së tyre socio-ekonomike dhe shëndetësore, pasi që koronavirusi çdo ditë po vret.

Edhe nëse z.Kurti ka vepruar kështu sa ishte opozitë, këta mos të veprojnë në të njëjtën mënyrë por ti japin shembull z.Kurti dhe qeverisë së tyre, se ti ishe gabim dhe për ne nuk ka rëndësi pushteti por sovrani, qytetari duke i siguruar institucione stabile në këtë kohë luftë, që tërë bota është në luftë më koronavirusin”, potencoi Krasniqi.

Ai tha se e gjithë opozita duhet ta marrë shembull deputeten e AAK-së, Albena Reshitaj, e cila erdhi në Kuvend, vetëm që presidenti të mos varej nga Lista Serbe.

Analisti tregoi edhe kartën të cilën Albin Kurti mund ta përdorë për zgjedhjen e Vjosa Osmanit president.

“Pra opozita duhet të marrin shembull deputeten e AAK-së, Albena Reshitaj, e cila e arsyetoi votën e saj që presidenti të mos varej nga Lista Serbe.

Po ashtu duhet të kuptohet se sikur z.Kurti ti ofronte edhe një ministër Listës Serbe apo edhe një zv.kryeministër s’do të mungonte kuorumi, (si qeveritë e kaluara). Andaj duhet të shihet si akt moral pjesëmarrja në Kuvend e jo të listohen në të njëjtën anë më listën serbe. Po ashtu edhe z.Kurti mund të përdorë kartën me Listën Serbe duke e futur në koalicion, por më e mirë për vendin është opozita të bëjë kuorumin duke ia humbur fuqinë Beogradit brenda institucioneve tona!”, përfundoi Islam Krasniqi, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat