Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka refuzuar ftesën e presidencës për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
Hoxhaj e cilësoi si person jo unifikues, Vjosa Osmanin, që të cilën vazhdimisht e ka deklaruar që nga humbja e thellë që PDK, e pësoi në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kryetarit të PDK-së, në ditën e inaugurimit të Vjosa Osmanit, iu kujtua edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, ku ky i fundit ishte edhe një nga arsyet e refuzimit të ftesës.
Dje kam pranuar një ftesë nga presidenca për të marrë pjesë në aktivitetin e inaugurimit të zonjës Osmani që mbahet sot. Pjesëmarrja ime, si kryetar i PDK-së do të ishte e paevitueshme, sikur të kishim një situatë normale dhe të merituar, ku Hashim Thaçi do ta bënte dorëzimin e detyrës së tij si president i vendit
Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti ka treguar arsyet e mllefit që Enver Hoxhaj, kryetari i PDK-së, ka ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Mehmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot”, PDK-në e ka cilësuar si një parti përçarëse dhe të dëmshme, e cila nuk i pranon ndryshimet demokratike.
“Pavarësisht se mundohet të bëj duket parti demokratike, në esencë të saj PDK është parti e krimit, përçarëse dhe e dëmshme për vendin. Urrejtja e saj apatologjike që kanë ndaj Vjosës është e mjaftueshme për të kuptuar fytyrën e saj të vërtetë, që nuk pranon ndryshimet demokratike”, deklaroi Mehmeti.
Tutje, analisti u shpreh se mospjesëmarrja e PDK-së në ceremoninë e presidentes Osmani, është vazhdimësi e veprimeve kundër personave që i kanë kundërshtuar ata.
Madje, Mehmeti urrejtjen e PDK-së ndaj Vjosa Osmanit, e krahasoi me urrejtjen që ata kishin dikur për Presidentin historik, Ibrahim Rugova.
“PDK është mësuar të jetë kapëse e shtetit, tani që nuk janë më në pushtet e shpërfaqin veten e tyre. Mospjesëmarrja në ceremoninë e Vjosës presidente është vazhdimësi e tyre ndaj çdo kujt që i ka kundërshtuar, dhe nuk është bërë pjesë e kapjes së shtetit. Njësoj si dikur Rugovën, sot e urrejnë Vjosën, kjo është PDK e njëjta”, theksoi Mehmeti.