Pas konfirmimit të Lumir Abdixhiku në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kuvendi i kësaj partie muajin e kaluar ka zgjedhur edhe nënkryetarët dhe Kryesinë e re të saj.
Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka dhe Kryesinë e saj të re e cila përbëhet nga 33 anëtarë, shkruan “Bota sot”.
Këto reforma në këtë parti mund të jenë të suksesshme nëse kryetari i ri dhe kryesia e re e ruajnë substancën, bëjnë zgjerimin dhe konsolidimin e radhëve si frymë dhe qasje pragmatike, në vend të asaj të përjashtimit dhe linçimit të akterëve me bagazh. Kështu ka vlerësuar veprimtari shumëvjeçar i këtij subjekti.
Veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në diasporë, Fatmir Bajraj, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se përballja e kryetarit të LDK-së me sfidat e zgjedhjes e të parës së vendit ishte imediate dhe me gjasë edhe me pasoja për të ardhmen e këtij subjekti politik.
“Me marrjen e detyrës, pas zgjedhjes në krye të LDK-së, nga ana e Lumir Abdixhikut, dhe zgjedhjes së Kryesisë së LDK-së, përballja me sfidën e zgjedhjes së Presidentit, ishte imediate dhe me gjasë edhe me pasoja për të ardhmen e LDK-së, dhe pse jo edhe për vendin. Vendimi i Kryesisë së LDK-së, që t’i bëjë kuorumin LVV-së, në procesin e zgjedhjes së Presidentit, në këtë rast, të Vjosa Osmanit, ishte vullnet i liderit të ri, Lumir Abdixhiku, i cili i parapriu këtij vendimi, duke krijuar një standard të ri në jetën politike parlamentare të vendit, por efekti i të cilave mund t’i kushtoj vetë LDK-së, në radhë të parë, dhe pse jo edhe vendit për pasojë. Kurti; “Sot, 80 vota në kutinë e votimit për Presidenten Osmani, ose nesër 500 mijë vota LVV-së, në zgjedhjet reja”. LDK, shtriu qafën duke i’u nënshtruar presionit, kërcënimit dhe shantazhit të LVV-së, se në rast të mos suportimit të kandidates së LVV-së, në procesin e zgjedhjes dhe votimit në Parlament, vendi do të shkoj në zgjedhje, dhe faturën do ta paguajnë ata të cilët abstenojnë në proces, dhe jo ata të cilët ishin të detyruar si fitues të zgjedhjeve të krijonin shumicën e nevojshme si derivat i konsensusit politik në Parlamentin e Kosovës”, ka thënë Bajraj.
Tutje, Bajraj shprehet se qasja e liderit të ri të LDK-së nuk është pritur mirë nga shumica absolute e votuesve të LDK-së, dhe e qendrestarëve të cilët i dhanë votën kësaj partie.
“Si pasojë e një rezultati të ulët nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, vendimi i Kryesisë së LDK-së, që t’i bëjë kuorumin Vjosa Osmanit, mund të prodhoj një shkak të ri në LDK, përkatësisht një momentum të determinuar nga motivi së ky vendim i Kryesisë së LDK-së, krijon premisa dhe një frymë të re nga e cila përfiton LDK-ja, dhe mbi të gjitha vendi, ngase e para mund të rikthehet fuqishëm me një politikë parimore dhe qasje konstruktiviteti, derisa vendi, krijon stabilitet politik dhe institucional, për çfarë kemi nevojë bashkërisht. Kursi politik i liderit dhe lidershipit të ri të LDK-së, Lumir Abdixhiku, karshi Vjosa Osmanit, kandidate për Presidente, dhe tani më, edhe Presidente e zgjedhur e Republikës së Kosovës me ndihmën e pakusht të LDK-së, edhe pse Osmani konsiderohet si njëra nga shkaktaret e rezultatit të dobët të LDK-së në zgjedhjet e fundit parlamentare, dhe në anën tjetër; përballë fituesit të zgjedhjeve, LVV-së dhe liderit të saj, Kurti, tanimë Kryeministër i Republikës së Kosovës, nuk është pritur mirë nga shumica absolute e votuesve të LDK-së, qendrestarëve të cilët i dhanë votën dhe besimin me 14 shkurt të këtij viti”, ka thënë veprimtari Bajraj.
Veprimtari Bajraj është i mendimit se LDK-ja pësoi në zgjedhjet e fundit për shkak të diskursit publik dhe politik të arrogancës së fituesit të zgjedhjeve, si dhe të suportuar nga agresiviteti medial dhe ai i rrjeteve sociale.
“LDK-ja, ra në pusi të diskursit publik dhe politik të arrogancës së fituesit gati absolut të zgjedhjeve dhe të suportuar nga agresiviteti medial dhe ai i rrjeteve sociale, duke marrë mbi vete fajin dhe përgjegjësinë e keqqeverisjeve të kaluara; dështimeve dhe gabimeve faji i vetëm i së cilës ishte, bashkëqeverisja, por jo edhe abuzimi dhe keqpërdorimi i pushtetit siç është rasti më gjithë tjerët, pa përjashtuar LVV-në e cila tani ka në substancën dhe qenien e saj, keqbërës, delikuent dhe eksponentë me precedentë gjyqësore për vepra krimi e korrupsioni”, tha ai.
Mirëpo, veprimtari Bajraj është i mendimit se marrja e bajrakut për “dështimin e shtetit”, si refleksion i lidershipit të LDK-së, mund ta penalizojë këtë të fundit nga elektorati besnik dhe qendrestar i saj, i cili nuk ia ktheu shpinën asnjëherë dhe as tani, kur LDK-ja ishte në ditët e saja të liga të historikut të saj mbi tridhjetëvjeçare.
“Fryma dhe filozofia politike institucionaliste e LDK-së, si kulturë dhe artikulim i promovuar dhe provuar prore, u konfirmua edhe kësaj radhe, përkundër faktit se kjo qasje i ka kushtuar gjithmonë LDK-së, në rrëshqitje dhe “gjakderdhje” elektorale, për çfarë kanë përfituar të tjerët, por ka fituar Kosova dhe kauza e jonë për shtet të lirë dhe demokratik. Lideri i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe Kryesia e LDK-së, si organ kolegial-ekzekutiv i strukturës së përgjithshme të LDK-së, përfshi Këshillin e Përgjithshëm, para vetes ka detyrë imediate arsyetimin e vendimeve të marra para anëtarësisë së LDK-së, elektoratit të vet dhe qytetarëve të vendit të cilët janë target potencial i LDK-së për zgjedhjet lokale të tetorit të këtij viti, dhe në anën tjetër, duhet të punoj shumë dhe fuqishëm me kartën e një opozitarizmi konstruktiv dhe kreativ përballë një mazhorance dhe arrogance të numrave të pushtetit të agresiv të Kurtit, tendenca totalitare e të cilit është në dukje e sipër”, u shpreh me tej Bajraj.
Sipas veprimtarit Bajraj, LDK-ja duhet të angazhohet që të përcjellë hap pas hapi pushtetin e ri të Kosovës.
Bajraj potencon se opozitarizmi i fuqishëm dhe alternativa qeverisëse e LDK-së, duhet të jetë platformë politike e kësaj partie, dhe e lidershipit të saj gjatë qeverisjes së LVV-së.
“LDK-ja, duhet të punoj shumë që të përcjellë në hap pushtetin e ri të LVV-së, duke i nxjerrë në sipërfaqe keqpërdorimet dhe abuzimin me pushtetin, dhe në anën tjetër, duke i “kujtuar” asaj, premtimet dhe kauzat populiste që frynë mbështetjen dhe rritën e saj në këto përmasa marramendëse dhe i mundësuan asaj, pushtetin absolut, përfshi këtu edhe tri pozicionet në hierarkinë e shtetit, dorën në zemër, me kontributin tonë. Opozitarizmi i fuqishëm dhe alternativa qeverisëse e LDK-së, duhet të jetë platformë politike e LDK-së, dhe e lidershipit të saj gjatë qeverisjes së LVV-së, në Parlament dhe në jetën institucionale të vendit përgjithësisht, por duke mos lënë anash, për asnjë moment votuesin besnik dhe koabullimin e strukturave të LDK-së, të lëna pas dore, të çakorduara dhe të dëmtuara nga proceset politike dhe ato të vendimmarrjes, pa përjashtuar këto të lidershipit të ri në funksion të suportimit të LVV-së, në rrumbullakimin e krijimit të Institucioneve të vendit”, ka theksuar veprimtari i LDK-së.
Krejt në fund, veprimtari i LDK-së, Fatmir Bajraj, ka nënvizuar se ruajtja e substancës, zgjerimi dhe konsolidimi i radhëve si frymë dhe qasje pragmatike, në vend të asaj të përjashtimit dhe linçimit të akterëve me bagazh, kontribut dhe pedigre, duhet të jetë imperativ krucial i Kryetarit Abdixhiku dhe lidershipt të LDK-së, poqëse duan rikthim të fuqishëm të LDK-së, dhe kurorëzim të projektit nacional të saj dhe të presidentit historik Rugova; Kosova shtet sovran dhe demokratik.