Pas dështimit në zgjedhje, tani me kryetarin e ri Lumir Abdixhikun, Lidhja Demokratike e Kosovës duket se ka filluar të këndellët, pas reformave të bëra.
Edhe pse LDK pësoi një rënie të thellë, me spastrimin e kastës së vjetër politike, mundësia që ajo të rikthehet fuqishëm në skenën politike nuk po mungon, shkruan “Bota sot”.
Një hap shumë i rëndësishëm që LDK bëri në lidhje me interesin e qytetarëve ishte bërja kuorumit për votimin e tashmë presidentes Vjosa Osmani, gjest ky i cili u lavdërua duke arritur të eliminojë mbajtjen e zgjedhjeve të dyta të jashtëzakonshme.
Abdixhiku nuk po heziton asnjëherë të tregojë gatishmërinë që ka për vendin dhe bashkëpunimin me presidenten.
Kjo këndellje e LDK-së po arrihet shumë shpejt të vërehet edhe nga opinionin publik, pasi që kasta e vjetër politike po dëshmohet edhe njëherë që ishte ajo e cila shkaktoi rënien e thellë të LDK-së.
Kasta e vjetër politike duke shikuar interesat e tyre, nuk arritën të sjellin mendim kritik dhe të arsyeshëm për elektoratin e tij, përkundrazi ndjekja e “pazareve politike”, detyroi që përfundimisht ata të largohen nga njëra ndër partitë politike më të vjetra në vend.
Kështu, i gjendur përballë një sfide, Abdixhiku si duket ka filluar të mësojë nga gabimet e të parëve të tij, e gabimet tyre duke i vënë në mësim për vete.
Abdixhiku së fundmi tregoi edhe njëherë se do të bashkëpunojë me të gjithë për të mirën e qytetarëve, duke zhvilluar kështu një takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Në takimin e zhvilluar mes Osmanit dhe Abdixhikut, presidentja falënderoi kreun e LDK-së për rolin konstruktiv që luajti në procesin e përmbylljes së formimit të institucioneve.
“Partitë opozitare kanë rol kyç në proceset e rëndësisë së veçantë për vendin. Prandaj, sot prita në takim kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun. E përgëzova atë për rolin konstruktiv që LDK luajti gjatë procesit të përmbylljes së formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit”, shkroi Osmani.
Më tej, ajo u shpreh optimiste për bashkëpunimin që ata do të kenë edhe më tej.
“Me z. Abdixhiku u pajtuam që të vazhdojnë diskutimet për temat që kërkojnë konsensus të gjerë politik dhe shoqëror”, u shpreh Osmani.
Ahmeti: LDK ka filluar të reflektojë dhe të sjell ndryshime pozitive
Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që zgjedhjet e 14 shkurtit i ka detyruar disa parti politike të reflektojnë dhe të marrin seriozisht rëniet e tyre.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/April/15/auto_auto_auto_auto_hidajet1485328110152949434515365739521618498964.jpg)
Ahmeti thotë se LDK ka filluar të reflektoj dhe sjellë ndryshime pozitive duke filluar nga procesi i themelimit të institucioneve e deri tek takimet që po vazhdojnë.
““Tërmeti politik” i shkaktuar nga zgjedhjet e 14 shkurtit i ka detyra partitë politike të reflektojnë dhe kjo është diçka shumë pozitive që ka ndodhur në skenën politike në Kosovës. LDK-ja e ka marrë seriozisht çështjen e reflektimit mbi rezultatin e zgjedhjeve, pasi vazhdimi i logjikës së njëjtë do ta vinte në dyshim ekzistencën e LDK-së si parti politike parlamentare. Sjellja konstruktive e LDK-së në procesin e themelimit të institucioneve është për tu vlerësuar në kontekstin pozitiv, por LDK-ja nuk duhet me u ndje komode, pasi e presin shumë sfida deri në këndelljen e saj”, ka potencuar Ahmeti.
Analisti më tej thotë se shkëputja e LDK-së nga kasta e vjetër merr më shumë kohë, mirëpo vlen të vlerësohet përpjekja për tu shkëputur nga logjika e kastës së vjetër.
“Logjika shkëputjes së LDK-së nga kasta e vjetër është më i gjatë se sa mendohet, pasi me disa veprime formale e kozmetike nuk mund të shkëputët nga një fryme që është ndërtuar me vite të tëra. Mendoj se qëndron pohimi se LDK-ja është duke bërë përpjekje për tu shkëputur nga logjika e kastës së vjetër, por ky është vetëm fillimi. LDK-në e presin shumë sfida e, për të cilat duhet të jenë syhapur, vigjilentë e konstruktiv”, ka deklaruar Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.
Shahu: Takimi i Osmanit me Abdixhikun duket si shaka e rëndë
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar takimin që Osmani zhvilloi ditë më parë me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/April/15/auto_wjdjajkdfj1618498927.jpg)
Shahu u shpreh që ky takim është një shenjë mirënjohje për bërjen e kuorumit që LDK ia bëri Osmanit, mirëpo që nuk e arsyeton veprimet që presidentja ia ka bërë LDK-së para se të merrte postin e presidentes.
“Takimi i presidentes Osmani me kreun e LDK-së më duket shaka e rëndë. Vjosa që e shkatërroi LDK-në, e përçau, ia mori njerëzit e votat e të pakënaqurve duke u premtuar yjet, u bashkua me Albinin kundërshtar i LDK-së dhe LDK e zgjodhi presidente. Ajo tani sikur i bën karshillëk LDK-së, e lavdëron kreun e LDK-së dhe mbase edhe deputetët e LDK-së apo gjithë LDK-në, që edhe duke cenuar moralin e vet politik e zgjodhi Vjosën presidente. Tani Vjosa hedhë valle rrotull të rrëzuarës LDK. Kjo është pamja e takimit mes presidentes dhe kryetarit të LDK-së, i cili është gjithsej i pafajshëm sepse beson se ka bërë veprim konstruktiv për Kosovën duke zgjedhur Vjosën presidente”, është shprehur Shahu.
Sipas tij, nëse kastë e re politike quhen ata të cilët braktisin LDK-në ndërsa kastë e vjetër janë ata që qëndrojnë, atëherë ai preferon të jetë me kastën e vjetër (qëndrestarët).
“Nëse ata që tradhtojnë LDK-në, nëse ata që e dëmtojnë LDK-në, që bashkëpunojnë me kundërshtarët politikë të LDK-së, që nuk bëjnë qëndresë e luftë politike brenda LDK-së, por trimëria e tyre është me ikë e me u bashku me kundërshtarin e LDK-së, nëse këta pra janë apo quhen kasta e re politike dhe ata që janë qëndrestarë të LDK-së, që nuk e braktisën kurrë LDK-në edhe pse e qortojnë dhe kanë vërejtje shumë për të, quhen kasta e vjetër politike, unë jam me kastën e vjetër, jam me qëndrestarët”, ka vlerësuar analisti.
Tutje, Shahu thotë se kastë e re e LDK-së nuk mund të quhet as Osmani, pasi që ajo ka punuar ndër të parët për LDK-në.
Ndër të tjera analisti nënvizon që LDK nuk ka nevojë për Osmanin mirëpo ajo ka nevojë për LDK-në.
“Edhe Vjosa nuk është kastë e re e LDK-së, është e vjetër sa shumica e politikanëve aktivë të Kosovës, ka punuar gjithmonë me të parët e LDK-së ose të parët e vendit. LDK nuk ka asnjë gramë nevojë për Vjosën siç është, Vjosa ka nevojë për LDK-në sepse dëshiron të jetë jo pjesë e listës së saj por pjesë e një shtëpie të madhe si LDK”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.